Friday, March 6, 2026
Google search engine
BallinaEkonomiResorti në Pashaliman, Korporata e Investimeve lidh kontratën

Resorti në Pashaliman, Korporata e Investimeve lidh kontratën


Në shtator të këtij viti një vendim i Komitetit Strategjik të Investimeve i dha status një subjekti që parashikon ndërtimin e një eko restori në zonën ushtarake të Pashalimanit.

Subjekti “Meta Resorts Albania” synon marrjen në përdorim, rijetëzimin/restaurimin e ish-godinave ushtarake, si dhe ankorimin e strukturave lundruese në Lagunë.

Qeveria ka zgjedhur që Korporata e Investimeve Shqiptare do të jetë ajo që do të mbrojë interesat e shtetit shqiptar në këtë investim çka bëri që kjo e fundit të kërkojë konsulencë dhe ekspertizë shtesë.

Së fundmi në 8 janar në sistemin e prorkuimeve Korporata njoftoi se kishte lidhur tashmë kontratën me objekt “Mbështetje me ekspertizë ligjore, financiare, teknike dhe mjedisore për projektin e investimit “Pashaliman Laguna Eko Resort” pak javë më parë.

Sipas vendimit të KIS projekti i investimit synohet të zhvillohet në ZK 1569, në Pashaliman/Orikum, Bashkia Vlorë, me sipërfaqe totale 25 Ha. Zhvillimi prek pjesërisht territorin përreth Lagunës së Orikumit ku parashikohet të bëhen investime mbi rijetëzimin/restaurimin e objekteve ekzistuese si dhe pjesërisht Lagunën e Orikumit nëpërmjet ankorimit në tokë të strukturave lundruese (vila druri) së bashku me strukturat e kalimit. Projekti i investimit strategjik parashikon realizimin e investimit me vlerë totale mbi milionë Euro.

Statusi që investitori mori më herët i jep mundësinë që të përfitojë nga masat mbështetëse të kryerjes së procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike. Po kështu masa mbështetëse të asistencës në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit, në përputhje me afatet e parashikuara, sipas legjislacionit të investimeve strategjike.

Një tjetër element është ai i masës për konsolidim toke si dhe vënie në dispozicion e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të shtetit shqiptar, për zhvillimin dhe realizimin e këtij projekti investimi strategjik me destinacion zhvillimin e projektit eko turistik dhe me kushtin e mos tjetërsimit të pronës, me fokus të veçantë në mbrojtjen absolute të pasurive arkeologjike.

Në parim kjo masë mbështetëse zbërthehet në mundësimin e së drejtës për të zhvilluar në zonën përreth Lagunës, rijetëzimin/ restaurimin e objekteve ekzistuese si dhe mundësimin e së drejtës për të vendosur struktura lundruese të ankoruara në tokë dhe kalimet respektive në Lagunën e Orikumit.

Pronat në fjalë transferohen në favor të Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), çka kushtëzohet me ndjekjen e të gjitha procedurave ligjore të nevojshme në fuqi, të parashikuara në legjislacionin e pronave të paluajtshme shtetërore, nga ana e Korporatës Shqiptare të Investimeve(AIC), Agjencisë Shtetërore të Kadastrës si dhe Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Ekonomisë./ N.Maho

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat