Brukseli ka vendosur të ndërpresë fondet për Shqipërinë, një veprim drastik që vjen si reagim ndaj dyshimeve për një cikël të mbyllur korrupsioni, ku paratë e abuzuara përdoren për blerje mandatesh dhe për ruajtjen e pushtetit.
E ftuar në një emision televiziv, avokatja Adriana Kalaja deklaroi se gjatë këtyre 10 viteve është ndërtuar një mekanizëm i rrezikshëm qeverisjeje, ku abuzimi me fondet publike shkon paralelisht me rritjen e mandateve politike.
Sipas Kalasë, sa më shumë rriten skandalet dhe vjedhjet, aq më shumë forcohet pushteti politik, duke krijuar një “qark të mbyllur”, ku përmes korrupsionit blihen mandate dhe përmes mandateve vazhdon korrupsioni në fazën pasuese të qeverisjes.
Ajo theksoi se reagimi i institucioneve europiane tregon se situata duhet të jetë bërë tejet e rëndë. Kalaja përmendi si shembuj konkretë bllokimin e fondeve IPARD, fondet për shoqërinë dixhitale, si dhe hetime të mundshme mbi fondet e SASPAK, që sipas saj janë sinjale të qarta të humbjes së besimit nga ana e BE-së.
Duke iu referuar çështjeve të korrupsionit në shëndetësi, Kalaja deklaroi se dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit dhe shëndetit të qytetarëve është i jashtëzakonshëm, duke folur për qindra miliona euro të abuzuara, ndërkohë që sistemi shëndetësor mbetet në gjendje kritike.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për mesazhet kontradiktore të përfaqësuesve europianë, të cilët sipas saj nga njëra anë shohin probleme serioze me fondet dhe korrupsionin, ndërsa nga ana tjetër deklarojnë se Shqipëria “po ecën përpara” në procesin e integrimit.
Kalaja theksoi se hapja e kapitujve nuk përbën sukses real për një shtet, pasi suksesi i vërtetë matet vetëm me mbylljen e tyre. Ajo kritikoi premtimet politike për integrim të shpejtë dhe “pasaportë europiane”, duke i cilësuar si larg realitetit.
Në përfundim, avokatja apeloi që institucionet europiane të shohin realisht se ku shkojnë paratë e taksapaguesve të tyre dhe të mos mjaftohen vetëm me raportime formale apo deklarata politike, por me verifikime konkrete mbi përdorimin e fondeve në Shqipëri.
Kalaja:
Atëherë, unë po e filloj aty ku edhe ju e nisët mbas insertit. Në fakt ishte shumë e goditur ajo pjesa e fundit, sepse ka edhe një produkt mbas asaj çfarë po ndodh në këto 10 vite. Pra, kjo qeveri, qoftë ajo qendrore edhe ajo lokale, ka parë që sa më shumë të abuzojë me fondet, sa më shumë të vjedhi, aq më shumë rriten skandalet, por paralelisht aq më shumë rriten edhe numrat e mandateve që marrin apo arrihet suksesi po të themi. Sepse është një qark i mbyllur që nëpërmjet vjedhjes blen mandate dhe nëpërmjet mandateve ti vazhdon vjedhjen në në në fazën tjetër të pushtetit.
Ajo fakt që unë dua të ngre me shqetësim janë dy momente në në këndvështrimin tim. E para njëherë situata duhet të jetë aq shumë drastike sa të reagojnë në këtë formë dhe në dijeninë time ka dhe një reagim, mbase jo në kuptim të të bllokimit të fondeve, pra e kemi parë me IPARD-in, sot e pamë, domethënë këto ditë e kemi parë edhe me fondet që lidhen me shoqërinë dixhitale, por unë di që ka dhe një hetim në lidhje me paratë e fondit të SASPAK. Në fakt për hir të së vërtetës, sot Ilir Beqja nuk është për atë aferë të madhe që është bërë, por për disa… nuk asgjë nuk është pak në raport me korrupsionin?
Pra çdo gjë që është korruptive, është korruptive dhe është vepër penale. Por në raport me atë dëm të madh që i ka bërë buxhetit të shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe sot, shëndetit të njerëzve, ato që po vuajmë ne se ju pashë para disa ditësh dhe në fakt ndjeva një një keqardhje të të të tmerrshme për situatën, ndoqa gazetarin Osman Stafa për atë betejë të jashtëzakonshme që po bën ai, duke menduar që janë kaq shumë, qindra e qindra e qindra miliona euro, pra po flasim për qindra miliona euro dhe ne kemi një shëndetësi, po marrim vetëm shëndetësinë pa u futur pastaj arsimit e elementëve të tjerë, të cilët me me shumë pak milionë euro mund ta kishim çuar në rrugën e duhur.
Ndërkohë momenti i dytë që mua më shqetëson si qytetare, si aktiviste në Shqipëri, është që vijnë këta, janë po këta europianë që na vijnë këtu dhe na thonë që Shqipëria po ecën. Shqipëria, domethënë e fundit ishte zonja Marta Kos. Tha, deri në 2027, biles ajo na e hapi derën, deri në 2027-ën thanë ne kemi mbaruar punë me me me kushtet që ju kemi vënë. Ndërkohë që ato vetë e shohin që jo vetëm ne nuk jemi… Po nuk jemi në fillim të rrugës, jo të kemi mbaruar punë. Ne nuk jemi, janë hapur shumë grup kapitujsh, nuk është sukses i një shteti kur hapen grup kapitujt. Sukses i një shteti, që ta kuptojnë dhe qytetarët shqiptarë, është kur mbyllen grup kapitujt.
Dhe vetëm fjala e kryeministrit Rama në takimin e fundit, që e shikonte shumë të largët, pra, në fushatë ishte pashaporta europiane, termi kryesor, oferta kryesore. Ndërkohë… 2013 ishte anëtarësimi absolut i Shqipërisë. Pra do do ta bëjmë se kam parë dhe atë reklamën tuaj shumë fantastike, që do ta bëjmë Europën kaq të vogël sa Shqipëria. Dhe në fakt drejt asaj po shkojmë. Dhe më në fund që europianët duhet në fakt t’i shikojnë gjërat me realitet, mos na dëgjojnë as ne që i kemi çuar edhe për kallëzim penal gjithë këto abuzime, por të shikojnë se ku po shkojnë paratë e taksapaguesve të tyre.



