Dy rrugë në Ksamil pritet t’i nënshtrohen rikualifikimit ku ndërhyrja do të përfshijë trotuaret për këmbësorët, rrethimet e brendshme dhe zonat çlodhëse.
Bashkia e Sarandës shpalli fituesin e kontratës “Ndërtim trotuare, rikualifikim i rrethimeve anësore në rrugët e brendshme dhe rikualifikim hapësirave clodhëse Ksamil” kompaninë Shëndëlli me një ofertë rreth 700 mijë euro. Më herët, në dokumente Bashkia sqaronte se cilat ishin rrugët dhe ndërhyrjet specifike që do të kryheshin.
E para është ndërhyrja në rrugën “Lefter Talo – Sami Frashëri” me një gjatësi 1054 metra. Sipas dokumentit rruga ka nevojë për ndërtimin e trotuareve dhe rikualifikimin e rrethimeve anësore në rrugët e brendshme, pra nuk do të ketë prishje të rrugës ekzistuese.
“Projekti fillon me zgjerime për të krijuar aksesin e kalimit të këmbësorëve, ku sipas preventivit të punimeve do të kemi punime gërmimi, punime struktura prej betoni, transport e marrje materialesh si dhe sistemimin e zonës për vazhdimin e fazës tjetër që janë ndërtimi i mureve mbajtës për krijimin e gjerësisë së nevojshme prej 1.5 m në secilën anë të rrugës.
Në vijim do të kemi punimet e shtresave të trotuarit sipas profilit tip të rrugës, gjithashtu do të kemi mbushje me çakëll pas mureve mbajtës. Pas përfundimit të këtyre punimeve do të kemi ndërtimin e mureve rrethues me lartësi 70-90 cm sipas terrenit, të cilët do të vishen me pllakë guri dekorativ.
Sipër murit do të vendosen dhe zgara dekorative hekuri me konfiguracion mesatar me diametër të shufrës 1 cm dhe peshë specifike 0.79 kg të vendosura çdo 15 cm”, thuhet në dokument.
Rruga tjetër ku do të ndërhyhet është ajo “Ibrahim Rugova” në një gjatësi 370 metra ku do të bëhet ndërtimi i trotuareve dhe rikualifikimi i rrethimeve anësore në rrugë. Projekti fillon me zgjerime për të krijuar aksesin e kalimit të këmbësorëve.
Bashkia e argumenton këtë ndërhyrje si të nevojshme për të sjellë në kushte të përshtatshme rrugët e Ksamilit që konsiderohet një nga destinacionet më të frekuentuara dhe marketuara për potencialin e tij turistik. Ndërhyrjet duhet të kryhen 5 muajsh nga nënshkrimi i kontratës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



