Friday, March 6, 2026
Google search engine
BallinaTeknologjiApple po punon për zhvillimin e një AI Pin me disa kamera

Apple po punon për zhvillimin e një AI Pin me disa kamera


Apple po eksploron zhvillimin e një pajisjeje të re “të veshshme” me madhësinë e një AirTag, e cila sipas një raporti të The Information mund të prezantohet qënë vitin 2027. Projekti ndodhet ende në faza shumë të hershme dhe, sipas burimeve pranë kompanisë, ekziston mundësia që të anulohet përpara se të arrijë në treg. Megjithatë, detajet e para sugjerojnë një koncept ambicioz që kombinon harduer kompakt me funksione të avancuara të inteligjencës artificiale.

Sipas raportit, pajisja e përshkruar si një “pin” i hollë, rrethor, me trup alumini dhe xhami, do të pajiset me dy kamera në pjesën e përparme: një lente standarde dhe një me kënd të gjerë. Qëllimi i tyre do të jetë kapja e fotove dhe videove të ambientit përreth përdoruesit. Gjithashtu, pajisja do të përfshijë tre mikrofona për regjistrimin e zërit, një altoparlant për përgjigje audio, një buton fizik anësor dhe një sistem karikimi magnetik induktiv, të ngjashëm me atë të Apple Watch. Inxhinierët synojnë që pajisja të ketë përmasa sa një AirTag, por të jetë pak më e trashë.

Raporti thekson se Apple po përpiqet të përshpejtojë zhvillimin për të konkurruar drejtpërdrejt me pajisjen e parë të veshshme të OpenAI, e cila pritet të debutojë në vitin 2026. Ende nuk është e qartë nëse kjo pajisje e Apple do të funksionojë në mënyrë të pavarur apo në bashkëpunim me produkte të tjera si AirPods apo syzet inteligjente që kompania thuhet se po zhvillon.

Megjithatë, tregu i pajisjeve të tilla ka rezultuar sfidues. Raporti përmend dështimin e Humane AI Pin, i cili shiti më pak se 10 mijë njësi dhe u kritikua për performancë të dobët dhe autonomi të kufizuar. Ky kontekst e bën të pasigurt suksesin e një “pin”-i të Apple, pavarësisht fuqisë së markës.

Lajmi vjen në një moment kur Apple po ristrukturon strategjinë e saj në fushën e AI, pas vështirësive në përmbushjen e premtimeve të mëparshme, largimit të drejtuesit të AI John Giannandrea dhe partneritetit të ri me Google për integrimin e Gemini në Siri.



Burimi Geekroom.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat