Prodhuesi i pajisjeve retro Anbernic po përgatitet të hedhë në treg një dorezë gaming të pazakontë, që bie menjëherë në sy për idenë e tij jo tradicionale, pasi është pajisur me një ekran dhe sensor të rrahjeve të zemrës. Ndryshe nga dorezë e Wii U nga Nintendo, ky ekran nuk shërben si “ekran i dytë” për lojëra, por ka për qëllim ta bëjë personalizimin e pajisjes më të thjeshtë dhe intuitiv, pa pasur nevojë për aplikacione apo softuer shtesë në pajisje të tjera.
Modeli i ri, i quajtur Anbernic RG G01, është i pajisur me një ekran 2.5 inç HD, të cilin kompania e përshkruan si “HD smart screen”. Përmes tij, përdoruesit mund të rikonfigurojnë butonat, të programojnë dhe të ndryshojnë cilësime të ndryshme direkt nga vetë doreza. Kjo qasje synon të ofrojë më shumë autonomi dhe lehtësi për lojtarët që preferojnë rregullime të shpejta dhe të drejtpërdrejta.
Një tjetër element i pazakontë është sensori i rrahjeve të zemrës, i cili, sipas Anbernic, ndihmon përdoruesit të “monitorojnë mirëqenien gjatë sesioneve intensive të lojës”. Edhe pse funksionaliteti i tij mund të duket më shumë si risi kurioze sesa domosdoshmëri praktike, ai përforcon qasjen eksperimentale dhe unike të produktit.
Nga ana teknike, RG G01 ofron lidhje përmes Bluetooth 5.0, wireless 2.4 GHz. Ai mbështet kalibrim të integruar për triggers, joystick-un dhe gyroscope me 6 boshte. Doreza ka 4 butona të programueshëm në pjesën e pasme, si dhe premton një polling rate prej 1,000 Hz si në mënyrë të lidhur, si dhe pa kabllo. Pajisja është e përshtatshme me PC, Nintendo Switch, Android dhe iOS.
Anbernic nuk ka zbuluar ende datën e saktë të daljes në treg apo çmimin, duke u kufizuar vetëm në “së shpejti”, por RG G01 duket qartë se synon adhuruesit e pajisjeve të veçanta dhe ideve jo konvencionale.



