Gmail po përballet me një ndërprerje të pazakontë funksionimi, duke shkaktuar vonesa dhe probleme sigurie për miliona përdorues. Që prej orëve të para të mëngjesit, përdorues në Reddit dhe X kanë raportuar se email-et po mbërrijnë me vonesa mbi 10 minuta, duke krijuar vështirësi serioze sidomos për mesazhet që përmbajnë kode njëpërdorimshe ose verifikim me dy faktorë, të cilat shpesh skadojnë para se të përdoren.
Një tjetër problem shqetësues lidhet me filtrimin e spam-it. Google ka pranuar se disa mesazhe nuk po kalojnë procesin normal të skanimit, duke shfaqur paralajmërime se email-et nuk janë kontrolluar për spam, dërgues të paverifikuar apo përmbajtje të dëmshme. Kjo situatë rrit rrezikun që mesazhe të padëshiruara ose potencialisht të rrezikshme të përfundojnë drejtpërdrejt në inbox. Sipas Google Workspace Status Dashboard, incidenti ka nisur rreth orës 5:00 të mëngjesit me orën e Paqësorit, edhe pse disa përdorues raportojnë probleme edhe më herët.
Përveç kësaj, Gmail po shfaq probleme edhe me ndarjen automatike të email-eve në tab-e. Mesazhe që zakonisht do të shkonin te “Promotions” apo “Social” po shfaqen në “Primary”, duke shkaktuar një fluks të panevojshëm njoftimesh, veçanërisht për përdoruesit në celular.
Megjithëse Gmail nuk është plotësisht jashtë funksioni, platformat e monitorimit të ndërprerjeve si Downdetector tregojnë një rritje të ndjeshme të raportimeve, ku problemi kryesor lidhet me marrjen e mesazheve.
Deri në zgjidhjen e situatës, këshillohet që përdoruesit të mos klikojnë links të dyshimta, të mos shqetësohen për ndryshime në cilësimet e llogarisë dhe, kur është e mundur, të përdorin aplikacione autentifikimi në vend të kodeve me email. Google ka premtuar një përditësim të mëtejshëm gjatë ditës.



