Friday, March 6, 2026
Google search engine
BallinaPolitike"Qëllimi kryesor i Ramës, grabitja e pronave"/ Hoxha: Spastrim i Vlorës nga...

“Qëllimi kryesor i Ramës, grabitja e pronave”/ Hoxha: Spastrim i Vlorës nga shërbimet ndaj qytetarëve – Sot News


Qyteti i Vlorës po përballet me një valë largimesh të institucioneve kyçe, një lëvizje që ish-kryetari i Partisë Demokratike në këtë qytet dhe anëtar i Këshillit Bashkiak, Atird Hoxha, e ka cilësuar si një “spastrim institucional” me prapavijë të errët. Goditja më e fundit, sipas tij, është largimi i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, një institucion jetik për qytetarët dhe çështjet e pronësisë.

Në një intervistë televizive, ai denoncoi se largimi i Kadastrës është vetëm maja e ajsbergut. Ai renditi një sërë institucionesh të tjera që janë zhvendosur nga Vlora, duke përfshirë Gjykatën e Apelit, Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Drejtorinë Rajonale Arsimore (transferuar në Fier) dhe Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë (transferuar në Lushnje). Sipas tij, këto lëvizje janë pjesë e një urdhri direkt nga qeveria Rama.

Hoxha hedh akuza të rënda, duke pretenduar se qëllimi real i këtij centralizimi nuk është përmirësimi i shërbimeve, por krijimi i terrenit për “grabitjen e pasurive të paluajtshme”.

Ai thekson se Kadastra e Vlorës mbulon jo vetëm bashkinë qendrore, por edhe zona me interes të jashtëzakonshëm turistik e ekonomik si Himara dhe Selenica. Largimi i zyrës në Tiranë, sipas tij, synon të lehtësojë falsifikimin e dokumenteve të pronësisë dhe të “kullandrisë afera” në favor të klientëve të qeverisë dhe investitorëve strategjikë, veçanërisht përgjatë bregdetit të lakmuar.

Këto akuza vijnë në kontrast të plotë me justifikimin e dhënë nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka mbrojtur lëvizjen si pjesë të strategjisë së centralizimit për të ofruar shërbime më efikase dhe më afër qytetarëve përmes platformës online E-Albania, duke eliminuar sportelet fizike.

Megjithatë, Hoxha e kundërshton këtë argument, duke e quajtur absurd pretendimin se një shërbim bëhet “më afër” duke e zhvendosur 150 kilometra larg. Ai këmbëngul se kjo lëvizje e bën shërbimin praktikisht të paarritshëm, sidomos për të moshuarit që nuk kanë mundësi të përdorin platformat digjitale. Për më tepër, ai pretendon se qeveria gënjen kur flet për heqjen e sporteleve, duke deklaruar se në fakt në Vlorë është hapur një sportel i ri, çka e bën edhe më të dyshimtë gjithë logjikën e këtij vendimi.

Gazetari: Çfarë po ndodh me Vlorën? Sepse nëse do të ishit një bashki e djathtë, mbase do ta mirëkuptonim zotin Rama, po çfarë po ndodh me ju?

Atird Hoxha: Po, ashtu siç edhe ju e njoftuat faktikisht në hyrje të këtij, të kësaj interviste, në qytetin e Vlorës po ndodhin gjëra nga më të ndryshmet, të pakëndshme do t’i konsideroja unë. Për ta nisur me centralizimin e të gjithë institucioneve praktikisht.

Nuk është vetëm kadastra. Kadastra ishte goditja e fundit po themi nga qeverisja e e zotit Rama, për sa i përket qytetit të Vlorës, sepse kadastra nuk është vetëm një institucion, janë bashkuar dy institucione në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, siç ishte më përpara ish-zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe në të njëjtën kohë Agjencia e Legalizimeve.

Pra janë dy institucione me largimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që tashmë nuk do të jenë më në shërbim të qytetarëve. Centralizimi i këtyre institucioneve e kam konsideruar spastrim. E kam konsideruar nga institucionet në qytetin e Vlorës.

Kësaj lëvizje i bashkohet largimi i Gjykatës së Apelit, largimi i Gjykatës Administrative të shkallës së parë, Drejtoria Rajonale Arsimore, e cila është në Fier, Drejtoria Rajonale e Bujqësisë e cila është në Lushnjë. Janë disa institucione të cilat njëra pas tjetrës kanë pasur urdhër nga qeverisja e Ramës për t’u larguar nga qyteti i Vlorës. Fatkeqësisht, e them fatkeqësisht, sepse do të largohen shërbimet ndaj qytetarëve.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk është vetëm për bashkinë Vlorë, por i shërben edhe bashkisë Selenicë, edhe bashkisë Himarë. Por me sa duket, qëllimi kryesor është centralizimi i këtij institucioni për të bërë të mundur më pas grabitjen e pasurive të paluajtshme të qytetarëve, ndofta edhe të pronarëve të cilët nuk i kanë marrë akoma këto pasuri, për të bërë të mundur falsifikimin ndofta të akteve të marrjes së tokës në pronësi, që përgjithësisht interesi kryesor është përgjatë bregdetit. Pa folur pastaj për shkatërrimin total të portit të Vlorës, sepse porti i Vlorës tashmë dihet se nuk ekziston më.

Gazetari: Të ndalemi pak këtu tek institucionet, tek kadastra dhe më pas do shkojmë edhe tek porti dhe çfarë po ndodh Hoxha. Sepse ju u ndalët tek gjykata, sigurisht ajo që është e momentit është edhe jo vetëm ato që u përmendët, Drejtoria Arsimore, ajo e Rajonale e Bujqësisë, por kadastra tashmë.

Zoti Rama në podkastin e tij ditën e sotme, u mundua të justifikohej me centralizimin, decentralizimi, shërbimi më i më afër qytetarëve, të mos ketë më sportele radhe, tashmë E-Albania e famshme. Në gjykimin tuaj, është më afër qytetarit tashmë shërbimi apo më larg? Se unë nuk e kuptoj logjikisht që ta marrësh nga qyteti dhe ta dërgosh 100 km apo 150 km larg të jetë afër, se më duket si ose jemi budallenj ne, nuk e kuptojmë dot kryeministrin, kupton?

Atird Hoxha: Rama do përpiqet, ta mbrojë vendimin e tij absurd. Unë mendoj që pas një dështimi gati 13, 14-vjeçar, jo se më përpara nuk ka pasur probleme, duhet t’i pranojmë edhe më përpara ky institucion ka pasur probleme, por jo në këto përmasa. Në këto 13-14 vjet ky institucion çdo tre-katër muaj ka ndërruar drejtues dhe për këtë arsye unë mendoj që duke mos pasur njerëzit më kurajo për t’u bërë pjesë e aferave, e skemave korruptive…

Gazetari: Pse ndodhi kjo? Kishte presion shumë për përvetësimin e tokave?

Atird Hoxha: Pa diskutim. Sepse thashë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk i shërben vetëm qytetit të Vlorës, i shërben edhe Bashkisë Selenicë, edhe Bashkisë Himarë, që është një nga zonat më të lakmuara tashmë për ndërtuesit, për zhvillimin e resorteve, për investitorët strategjikë, për klientët pranë qeverisë. Mendoj që ka qenë një lëvizje për ta marrë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës të gjithën në Tiranë dhe atje të kullandrisin ato aferat që kanë ndërmend të kullandrisë Rama me klientët pranë qeverisë së tij.

Unë mendoj që kjo, nuk është absolutisht, një lëvizje e kalkuluar për t’ju shërbyer sa më mirë qytetarëve, për të zhdukur sportelet. Madje këtu ai gënjen. Unë mund t’ju konfirmoj dhe ju mund ta merrni qoftë dhe ditën e hënë nëpërmjet operatorëve tuaj, në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, në seksionin e qytetit të Vlorës, i cili, është ngritur një sportel, është hapur një sportel.

Nuk është e vërtetë që nuk ka sportel. Dhe është absurditeti më i madh që institucione të tilla të cilat kanë me doemos, kontaktin me qytetarin, sepse nuk mundet qytetari sot një 65, 70, 80-vjeçar që mund të ketë një pasuri të paluajtshme, të hyjë sot në E-Albania, është e pamundur për atë. Pra këta kanë hequr sportelet dhe kanë hapur zyra ku njerëzit vetë paguajnë nga 10.000 lekë, qoftë qendrat e interneteve.



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat