Friday, March 6, 2026
Google search engine
BallinaTeknologjiSHBA krijon një website që do të lejojë evropianët të aksesojnë përmbajtjet...

SHBA krijon një website që do të lejojë evropianët të aksesojnë përmbajtjet e bllokuara


Sipas një raporti të Reuters, SHBA ka ndërtuar një portal të quajtur freedom.gov, i cili synon t’u lejojë përdoruesve, duke përfshirë këtu dhe evropianët, të anashkalojnë kufizimet qeveritare mbi përmbajtjet online, si gjuha e urrejtjes apo propaganda terroriste. Faqja paraqitet me moton “Information is power. Reclaim your human right to free expression. Get ready.” dhe duket se administrohet nga Cybersecurity and Infrastructure Security Agency (CISA), një agjenci nën Department of Homeland Security (DHS).

Portali vjen pas dobësimit nga administrata Trump të programit “Internet Freedom” të Departamentit të Shtetit, i cili për më shumë se një dekadë financoi me mbi 500 milionë dollarë zhvillimin e mjeteve open-source për të anashkaluar censurën në vende si Irani, Mianmari, Kuba dhe Venezuela. Këto mjete ndihmuan gazetarë dhe aktivistë të shpërndanin informacion gjatë bllokimeve të internetit.

Sipas burimeve, freedom.gov shihet si një përpjekje për ta ridrejtuar dhe politizuar këtë program. Ish-zyrtarë amerikanë e kanë cilësuar portalin më tepër si një deklaratë politike sesa nismë teknologjike për liri digjitale. Ndryshe nga projektet e mëparshme që theksonin privatësinë dhe transparencën, ky portal duket se përqendron trafikun në një sistem të centralizuar nën kontroll federal.

Kritikët argumentojnë se kufizimet që synohen të anashkalohen nuk janë bllokime të plota si në Kinë apo Iran, por rregulloret evropiane kundër gjuhës së urrejtjes dhe përmbajtjeve të paligjshme, si Akti i Shërbimeve Digjitale i BE-së apo ligji britanik për Sigurinë Online. Sipas disa ekspertëve, kjo mund të nxisë përhapjen e përmbajtjeve ekstremiste.

Nisma zhvillohet në sfondin e përplasjeve mes SHBA-së dhe BE-së për rregullimin e kompanive të mëdha të teknologjisë. Ndërkohë, CISA deklaron se administron vetëm domenin .gov dhe nuk kontrollon përmbajtjen e faqes, duke theksuar se misioni i saj mbetet mbrojtja e sigurisë kibernetike amerikane.



Burimi Geekroom.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat