I ftuar në një emision televiziv deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi komentoi zhvillimet rreth çështjes së Belinda Ballukut dhe debatit për heqjen e imunitetit të saj.
Sipas tij, rasti i Ballukut është ndryshe nga rastet e tjera të zyrtarëve të lartë të përfshirë në hetime, pasi kjo çështje, sipas Këlliçit, prek drejtpërdrejt kryeministrin.
“Nëse bie Balluku, nuk ka më pengesë që drejtësia të shkojë te zyra e kryeministrit. Me të ka shkuar te kabineti më i afërt i tij.”- tha ai.Deputeti tha se afera e tunelit të Llogarasë është elementi kyç, duke kujtuar se takimet për projektin nuk janë zhvilluar vetëm nga ish-ministrja, por edhe në praninë e kreut të qeverisë.
Sipas tij, kjo e bën çështjen politike dhe jo individuale.
Ai foli edhe për mënyrën si u zhvillua votimi në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, duke përmendur ndryshimin e qëndrimit të Bledi Çuçit.
“Këtu nuk ka vendimmarrje autonome. Deputetët janë kartona dhe vendimi merret me një telefonatë.”- shtoi Këlliçi.
Këlliçi u ndal edhe te informacionet që qarkullojnë për komunikime të sekuestruara në kuadër të hetimeve, duke thënë se për dosjen ekziston një hermetizëm i pazakontë krahasuar me raste të tjera.
Sipas tij, në mbledhjen e ardhshme të grupit parlamentar socialist mund të ketë dy skenarë, ose një refuzim për heqjen e imunitetit përmes votës së deputetëve, ose një miratim në emër të procesit të integrimit.Këlliçi u shpreh se mbrojtja e Ballukut lidhet me interesin politik të kryeministrit, pasi rënia e saj, sipas tij, do ta linte atë pa mburojë përballë drejtësisë.



