Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka komentuar tensionet e krijuara gjatë seancës së sotme maratonë në Parlament pas përplasjeve të forta mes mazhorancës dhe opozitës, të nxitura nga deklaratat e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
E ftuar në emisionin “Top Story”, Mila tha se reagimi i Ballës nuk kishte konotacion negativ, ndërsa theksoi se klima në Kuvend është bërë gjithnjë e më e ashpër, veçanërisht për vajzat dhe gratë në politikë.
“Kolegia Vokshi ka qenë shumë e ashpër me mua, nëse është ndjerë e lënduar, ndihem shumë keq si vajzë si grua sepse jam ndjerë vet jo pak herë keq. Sa herë marr fjalën kam një lumë fyerjesh, si vajzë, deri tek format e mia trupore. Ndoshta qëlloi mirë kjo sot për të krijuar një normë. Unë i besoj kolegut Balla që nuk e kishte me konotacionin negativ. Ai Kuvend është kthyer në një arenë shumë të keqe për vajzat dhe gratë. Kam besuar se duke pasur më shumë vajza dhe gra do ishte e kundërta, dënohemi në moralin dhe integritrin tonë, diskimonohemi si vajza te reja. Unë realisht uroj që le të vlejë ky moment për Kuvendin e Shqipërisë të jetë një normë dhe të vendoset një standard as gjuha të mos jetë më e tillë, ama jo me dy standarde”, u shpreh Mila.
Ajo shtoi gjithashtu se politika shqiptare po përballet me një përplasje të fortë mes dy qasjeve politike.
“Disa herë kam rënë në grackën e mendësisë së vjetër. Edhe trysnia, një lloj tenxhere që vetëm zjen. Mua më duket sikur është një arenë mes dy axhendave politike: njëra që lufton për integrimin në BE dhe tjetra që do të ndalojë shpejtësinë e stacionit tonë. Edhe gjuha është bërë e ashpër. Si një vajzë e re, jam disi e çuditur nga gjuha ofenduese, diskriminimi, denigrimi personal”, u shpreh Mila.
Në debat Mila ju përgjigj edhe akuzave se janë pikërisht ato, deputetet e reja që nxiten nga partia të reagojnë. Për këtë ajo tha se reagimet e saj janë të vërteta dhe të padiktuara.
“Unë kam folur në çdo seancë, nëse shikon reagim organik ndaj një non grate, është se besoj se ai është e keqja më e madhe aty. Në këtë përballje sy më sy, unë e kam vetëm me atë. Unë kam lindur në ‘95-ën kur ai ishte atje, e ku sot pas 30 vitesh është prap aty me të njëjtën gjuhë. Reagimi im është organik, është ai që ke dëgjuar. A ka qenë ai reagimi im i vetëm? Po. A ka qenë ai më i miri? Jo. Por të siguroj që është reagimi im i vetëm. Dal dhe të kërkoj falje publikisht e nëse do të them që e dorëzoj mandatin tim nëse më gjen që reagimi im është i orkestruar. Nuk ka asnjë urdhër për të reaguar në Parlament”, theksoi Mila, ndërsa qëndrimi i saj u mbështet edhe nga Petro Koçi, i cili tha se “nuk ndodh kjo gjë në Partinë Socialiste, ku deputetëve t’u kërkohet të sulmojnë një kundërshtar konkret nga opozita”.



