Teksa Taulant Balla ka qenë duke folur për të drejtën e vetos në foltoren e Kuvendit, deputetët e opozitës kanë ‘hedhur’ fjalët e tyre duke krijuar tensione midis kreut të grupit parlamentar të PS dhe demokratëve.
“Por thamë t’ju pyesim juve njëherë. Por s’kishim kohë. Realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin, t’ju merrnim në telefon dhe t’ju pyesnim si mendoni.”- replikoi Balla nga foltorja.
Një koment i rëndë ka përshkallëzuar seancën në Kuvend teksa ky i fundit ka ironizuar deputeten demokrate Albana Vokshi.
“0900, se për ty kam këtë numrin për ty Albana.”- shtoi ai.
Menjëherë, deputetët e opozitës janë revoltuar dhe janë ‘vërsulur’ drejt foltores. Kjo situatë çoi në ndërprerjen e seancës.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë, Edith Harxhi, anëtare e kryesisë së Partia Demokratike e Shqipërisë, kritikoi ashpër sjelljen e Taulant Ballës gjatë seancës, duke e cilësuar incidentin me ironinë ndaj Albanës Vokshi si një shfaqje të turpshme të mungesës së moralit në Parlament.
“Ngjarja e djeshme është e turpshme sepse Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një arenë burracakësh dhe njerëzish të papërgjegjshëm që nuk lënë pa fyer zonjat.
Ajo që çfarë mua më indinjon më tepër është mungesa e reagimit nga ana e zonjave të PS aty në sallë, që duhet të kishin reaguar menjëherë për ngjarjen e djeshme.
Mendoj që kjo duhet të dënohet nga e gjithë shoqëria pasi ne po vuajmë nga një mungesë morali jo vetëm në Parlament, por tashmë kjo kulturë ka deportuar edhe në shoqëri.
Më vjen shumë keq që në Parlamentin ku janë ulur pushtetas si Ahmet Zogu, Gjergj Fishta, Fan Noli e të tjerë, apo dhe intelektual të rëndësishëm të viteve 90′ pas rënies së komunizmit, është kthyer sot në një arenë shumë të shëmtuar, ku deputetët e PS, vijnë nga background i papërshtatshëm për të qenë në atë parlament, nuk rreshtin së fyeri edhe zonjat.
Nuk është thjesht një deklaratë seksiste. Për mua ajo është jashtëzakonisht e rëndë sepse kalon përtej moralit të traditës Shqiptare. Kur i drejtohet zonjës Vokshi, mendo se çfarë ndodh në shkolla, në rrugë, në shoqërinë shqiptare dhe nuk ka asnjë lloj reagimi”, u shpreh Harxhi.



