Inxhinieri i njohur dhe profesori Faruk Kaba ka bërë thirrje për një qasje të re dhe më rigoroze në menaxhimin e veprave publike në Shqipëri. Sipas tij, cilësia dhe jetëgjatësia e rrugëve nuk mund të garantohen pa një kontroll të rreptë profesional dhe pa ndryshime thelbësore në strukturat ligjore e kontraktuale.
Ai ka renditur pesë pika kyçe që do të shërbenin si shtylla për një infrastrukturë moderne dhe të sigurt:
Sipas Prof. Kabës, hapi i parë drejt profesionalizimit është krijimi i Urdhrit të inxhinierit. Ky organizëm do të shërbente si një “filtër” për licencimin, mbrojtjen e etikës profesionale dhe rritjen e përgjegjshmërisë. “Duhet të kemi një institucion që garanton integritetin e inxhinierit dhe mbron profesionin nga ndërhyrjet jashtë-teknike”, – shprehet z. Kaba.
Për të shmangur gabimet në projektim dhe për të ndjekur trendet botërore, ai propozon ngritjen e një Komiteti Shkencor për Rrugët.
Ky organ do të përbëhej nga ekspertët më të mirë të fushës, të cilët do të analizonin standardet teknike dhe do të jepnin konsulencë për projektet strategjike kombëtare dhe të jenë një filtër për projektet e investimeve në infrastruktura kyçe.
Një nga pikat më kritike mbetet jetëgjatësia e investimeve. Eksperti këmbëngul që kompanitë ndërtuese duhet të ofrojnë garanci mbi 10-vjeçare për veprat që dorëzojnë.
Kjo do t’i detyronte firmat të përdornin materiale cilësore dhe të mos kursenin në proceset teknologjike, pasi çdo defekt pasues do të rëndonte mbi buxhetin e tyre dhe jo të shtetit.
Në shumë raste, dështimi i një projekti vjen nga mungesa e mbikëqyrjes në terren. Prof. Kaba thekson se duhet të funksionojnë realisht kontrollet dhe supervizimet. “Supervizori nuk duhet të jetë thjesht një firmë mbi letër, por autoriteti që mban përgjegjësi ligjore për çdo centimetër rrugë të shtruar”, – nënvizon ai.
Z. Kaba propozon që asnjë kontratë ndërtimi të mos nënshkruhet pa përfshirë një plan të detajuar dhe të financuar për mirëmbajtjen afatgjatë. Sipas tij, është më e lirë të mirëmbash një rrugë vazhdimisht sesa ta rindërtosh atë nga e para çdo 4-5 vjet.
Punimet pa CBR, një standard që garanton strukturën e rrugës
Në ndërtimin e rrugëve, CBR (California Bearing Ratio) është një tregues teknik që përdoret për të vlerësuar fortësinë dhe aftësinë mbajtëse të tokës ku do të ndërtohet rruga.
Ai tregon sa rezistente është toka ndaj ngarkesave që do të ushtrohen nga trafiku, nga makinat e lehta deri te kamionët e rëndë. Para se të nisë ndërtimi, inxhinierët duhet të kuptojnë nëse toka ekzistuese është e mjaftueshme për të mbajtur strukturën e rrugës.
Nëse toka është e dobët, rruga mund të fundoset, të çahet ose të krijojë gropa pas një kohe të shkurtër përdorimi. Për këtë arsye kryhet testi CBR, i cili mat rezistencën e tokës ndaj depërtimit dhe e shpreh rezultatin në përqindje.
Një burimi në ARRSH tha se punimet në akset e Korridorit VIII janë bërë pa CBR dhe të gjitha rrugët e bëra vitet e fundit bëhen pa këtë vlerësim.
CBR shërben si bazë për projektimin e gjithë shtresave të rrugës. Sa më e ulët të jetë vlera, aq më shumë ndërhyrje kërkohen për të forcuar bazën, shtresa më të trasha zhavorri, stabilizim me gëlqere ose çimento, apo zëvendësim i tokës së dobët.
Nëse vlera është e lartë, struktura e rrugës mund të ndërtohet me shtresa më të holla dhe kosto më të ulët. Inxhinieri tha se CBR ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësinë dhe sigurinë e rrugës. Një projektim i saktë bazuar në këtë tregues siguron që rruga të përballojë trafikun për vite me radhë pa dëmtime të mëdha.
Për këtë arsye, CBR konsiderohet një nga parametrat më të rëndësishëm gjeoteknikë në projektimin dhe ndërtimin e infrastrukturës rrugore, i cili nuk u krye në Korridorin VIII.
Lexoni edhe:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



