Konflikti mes Iranit dhe Izraelit e SHBA po shoqërohet me dezinformim. Ndërsa luftimet zhvillohen në terren, një tjetër betejë po ndodh në hapësirën digjitale. Përhapja me shpejtësi e informacioneve dhe pamjeve të pasakta.
“Ka një parim në gazetarinë e luftës që dëshmori i parë i luftës është informacioni. Informacioni është bërë pjesë e teknologjisë ushtarake për të mundur kundërshtarin. Në këtë filozofi janë shtuar shumë aktorët që luajnë me emocionet e palëve të përfshira ose të interesuara në konflikt”, u shpreh pedagogu i gazetarisë, Zylyftar Bregu.
Lajme të manipuluara shpesh paraqiten si pamje reale nga fronti i luftës, por sipas verifikimeve rezulton se shumë materiale janë krijuar me inteligjencë artificiale ose bazohen në ngjarje të vjetra, madje edhe nga koncerte me pjesëmarrje masive, por një nga rastet më të përfolura ishte kjo video që pretendon se anija amerikane rrëzon një avion iranian, por në të vërtetë është shkëputur nga loja “War Thunder”.
“Rrjeti është i zhytur nga orteku i videove fake tërësisht ose pjesërisht, si video të luftëra të mëparshme ose të gjeneruara me AI. Janë bërë përpjekje për të matur shpejtësinë e përhapjes së një fake news me një informacion të saktë dhe rezulton që lëviz 6 herë më shumë”, thotë Bregu.
Panik u përhap edhe në Shqipëri me lajme në internet që parashikonin sulme të mundshme të njoftuara nga Irani. Në këtë situatë, ekspertët e komunikimit këshillojnë të mos bien pre e “luftës së informacionit” e të tregojë kujdes në kontrollin e fakteve duke ndjekur media tradicionale të besueshme.
“Kjo ridimensionon fuqinë edhe dobinë e medias tradicionale, që jo vetëm shkon te vërtetësia dhe saktësia por bën edhe atë që quhet hierarkizëm i lajmit nga rëndësia e tij”, shprehet pedagogu.
Edhe rrjetet sociale kanë nisur të marrin masa, ku përdoruesit e platformës X që publikojnë përmbajtje të gjeneruar me AI për luftën, do të humbasin të drejtën e përfitimit monetar.



