Ilir Dako
Kryeministri Edi Rama gjatë diskursit të tij në mbrojtje të Ballukut nuk la pa akuzuar denoncuesit e aferës së ndërtimit të portit të ri në Porto Romano. Me një gjuhë kërcënuese tipike për kalecat e sigurimit ai deklaroi se: “Ata që e luftojnë projektin, ata që nuk po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin dhe ne i dimë kush janë. I kanë bërë llogaritë gabim sepse projekti do bëhet. Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Evropian, për çdo gjë tjetër jam të C”. Gjuha e tij me armiq dhe sabotatorë e ngjashme me kalecët e regjimit komunist, apo sekretarët e partive që sulmonin armiqtë e klasës, na ktheu një shije të shëmtuar të asaj çfarë ka në ADN e tij ky produkt kapitalisto-komunist.
Gjuha kërcënuese për oponentët dhe denoncuesit e procedurave korruptive në tenderimin e këtij porti është një risi në artikulimin që kryeministri shqiptar ka sjellë. Qëndrimi për një kohë të gjatë në pushtet dhe arroganca e mbingopjes nga fuqia që i jep mandati i fundit tregojnë se në fizionominë e re të kryeministrit socialist kanë filluar të spikasin elementët e një autokrati të dhunshëm.
Edi Rama në pikun e arrogancës u mundua të sulmojë kundërshtarët e tenderit duke justifikuar korrupsionin e tenderimit si një sukses të pjesëmarrjes në këtë projekt, të studios më të madhe në botë, e cila sipas Ramës gëzon reputacion absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës. Sipas Ramës, është bërë një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët, por i monitoruar nga konsulenti Royal Haskoning dhe projektuesi projektit.
Në fakt, kemi të bëjmë me një korrupsion tipik të tij, ministres Balluku dhe drejtorit të Portit të Durrësit të asaj kohe, Pirro Vëngu. Historia e tenderit për ndërtimin e Portit të Ri të Durrësit nisi me fitues të përcaktuar, në projektim, konsulencë dhe ndërtim, të cilët ishin: në projektim Royal Haskoning, në konsultim tenderimi Royal Haskoning, dhe në ndërtim Archirodon (Qipro). Çudia më e madhe është se Haskoning ishte dhe fituesja e projektit dhe fituesja e konsulencës, duke marrë të drejtën e tenderimit me vlerë 12 milionë euro, një procedurë që ligjërisht i takon autoritetit kontraktor. Gazeta Sot e ka denoncuar me fakte dhe prova se si u eliminuan kompanitë serioze franceze dhe hollandeze për t’ja lënë një kompanie që nuk ka mundësinë dhe kapacitetet për të ndërtuar portin.
Situata është më komplekse kur shikojmë se çfarë po ndërton Edi Rama në vend të portit të Durrësit. Nga një port me gjatësi 2400 metër siç është porti aktual i Durrësit, porti i ri do të jetë 400 metër, në raport me portin aktual është 6 herë më i vogël dhe nuk mund të bëhet kurrsesi një portë për korridorin 8. Rivalët tanë më të mëdhenj janë porti i Selanikut me gjatësi 6600metra dhe porti i Pireut me gjatësi 24000 metra. Duket qartë që kemi të bëjmë me një sabotim të mirëfilltë të ëndrrës shqiptare për të qenë një nga portat kryesore të korridorit 8 dhe Europës juglindore. Nisur nga kapaciteti i Portit të Ri kemi të bëjme me një basen për të gjuajtur bretkoca dhe jo një portë që të përballojë flukse qoftë edhe si porti shekullor i Durrësit. Kuptohet qartë që gjuha e Edi Ramës me armiq dhe sabotatorë është një thirrje frike për dështimin me aferën e portës së Korridorit 8.



