Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se Belinda Balluku ka tre ditë që nuk shkon në shtëpi. Kësaj deklaratë kryedemokrati iu referua një komshie të ish ministres, e cila sipas tij ka shprehur shqetësim.
Po ashtu Sali Berisha thotë se shumë zyrtarë të lartë janë arratisur, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të bllokojë pasaportat për të gjithë zyrtarët që kanë dosje në SPAK.
“Narko policia të ruajë dhe të kryejë detyrat se zyrtarët po arratisen, po ia mbathin si minjtë. Çfarë mendoni ju se është arratisur vetëm Agaçi?! Janë arratisur dhjetëra të tjera, një komshia e Lubisë më thotë që që ka tre ditë që nuk vjen në shpi. Nuk them që është arratisur, po komshia nuk e shikon dhe shpreh shqetësim. Kjo është preokupimi, sidoqoftë i bëj thirrje organit të akuzës, të bllokojë provizorisht të gjitha pasaportat e zyrtarëve që kanë dosje në SPAK. Sepse kudo që të shkojnë do ti gjejnë”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe tek protesta e sotme, që siç u shpreh ai do të sjellë pranverën e re.
“Do të sjellë përmbysjen e hajdutit më të keq, më të pamëshirë që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre. Ndaj jam këtu për të ftuar çdo qytetar, çdo opozitar, qytetar të të gjitha bindjeve dhe besimeve, pavarësisht se çfarë mendimesh, opinionesh, kritikash, pakënaqësish që mund të kemi për njëri tjetrin të bashkohemi kundër kësaj të keqe që po shteron kombin tonë, po shkatërron Shqipërinë”, tha Berisha.



