Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar një reagim në rrjetet sociale, duke ngritur shqetësime të mëdha për mundësinë e ndikimeve politike dhe presionit mbi Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) në çështjet që kanë të bëjnë me Zëvendëskryeministren dhe ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në një postim në Facebook, Bardhi e cilëson Ballukun si “zyrtaren më të korruptuar të shtetit shqiptar në 35 vitet e fundit”, duke thënë se gjurmët e saj të korrupsionit shtrihen në çdo sektor publik, nga energjia tek infrastruktura, përfshirë Tunelin e Llogarasë dhe Aeroportin e Vlorës.
Ai thekson gjithashtu se dosjet ndaj Ballukut në SPAK janë “me dhjetëra”, dhe se një prej tyre ka marrë tashmë rrugë zyrtare.
Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, prokurori i posaçëm, Dritan Premçi, është nën presion të madh, jo vetëm nga nivelet më të larta të pushtetit, por edhe nga segmente të caktuara mediatike dhe nga eksponentë të krimit të organizuar.
Kërkoj sqarime për thirrjen e mundshme të Ballukut si e pandehur, ndërhyrjet e supozuara nga Kryeministri Edi Rama, organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare të ministres për të justifikuar mungesën e saj, si dhe për rolin e drejtuesve të SPAK në mbështetje të prokurorit të posaçëm.
REAGIMI:
Belinda Balluku është zyrtarja më e korruptuar e shtetit shqiptar në këto 35 vite. Në çdo aferë, në çdo sektor, janë gjurmët e saj të korrupsionit, nga energjia tek infrastruktura; nga Tuneli i Llogarasë tek Aeroporti i Vlorës.
Dosjet e saj në SPAK janë me dhjetëra dhe duket se njëra prej tyre ka marrë rrugë tashmë.



