Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeBashkitë të pakënaqura me buxhetin e 2026-ës, kërkojnë ndihmë për të larë...

Bashkitë të pakënaqura me buxhetin e 2026-ës, kërkojnë ndihmë për të larë borxhet:Të jemi përfitues nga ‘Paqja Fiskale’ – Sot News


Për vitin 2026, transferta e pakushtëzuar që shkon për bashkitë arrin në vlerën 47.3 miliardë lekë, ose 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por shoqatat dhe bashkitë kërkojnë që fondet të rriten pasi limiti është që të jetë 1% e PBB-së por ato janë të pamjaftueshme për të përballuar të gjitha zhvillimet klimatike apo edhe për të rritur investimet në territor.

“Kjo është e pamjaftueshme përballë detyrave që ka qeverisja lokale. Është vendosur një dysheme 1% në ligjin e financave lokale, dhe ne gjithmonë kemi marrë vetëm 1%, pra duhet të rritet. Të ketë fonde shtesë për të rritur standardet, apo shërbimet. Sa i takon grantit të performancës ai duhet të vazhdojë, dhe të futet si kriter edhe tek transferta e pakushtëzuar. Ka ardhur koha të rishikohet formula e transfertës së pakushtëzuar pasi kanë kaluar 10 vite nga reforma dhe kemi rezultatet e reja të censit”, tha Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive.

“Kërkojmë krijimin e një fondi të veçantë për bashkitë rurale dhe malore. Ky fond duhet të marrë parasysh, si territori i gjerë, dendësia e ulët të popullsisë dhe kostot e larta të infrastrukturës. Pa këtë instrument të dedikuar, pabarazia territoriale do të thellohet edhe më tej. Bashkia Kavajë përballet me mungesë të theksuar fondesh veçanërisht në infrastrukturën rurale. Rrugët rurale mbeten prej vitesh një sferë e pazgjidhur për shkak të financimeve të pamjaftueshme. Ndonëse ato janë thelbësore për ekonominë lokale, lëvizshmërinë e komuniteteve dhe patjetër për turizmin”, tha Fisnik Qosja, kryetar i Bashkisë Kavajë.

Halli i pazgjidhur i kryebashkiakëve është shlyerja e detyrimeve të prapambetura, që shumica janë nga koha e ish komunave, pra i takojnë ndarjes së vjetër territoriale.
Kryetari i Bashkisë së Pogradecit kërkon nga qeveria grant për të shlyer borxhet e vjetra pasi herë pas here bashkia bllokohet nga kompanitë për shkak se fitojnë gjyqet.

“Pogradeci ka trashëguar pas reformës 6 mln euro borxh me gjithë përpjekjet është përgjysmuar por ne nuk ja dalim dot sidomos ndaj tyre që janë fituar me vendime gjyqësore. Kemi 300 mijë euro në vit shlyerje detyrimesh, por ne nuk shlyejmë asgjë sepse vetëm shlyejmë borxhe që dalin nga vendimet gjyqësore. E kam ngritur zërin ka 6 vite, nuk mund të shkojnë dëm 300 milionë lekë. dua mbështetjen tuaj, dua një grant nga qeveria sepse gabimi është bërë që me reformën territoriale. Sepse ky borxh nuk duhet të ishte i bashkisë por duhet borxh publik. Bashkia herë pas herë bllokohet nga kompani që kanë fituar gjyqet, e kam të pamundur të vazhdoj në këtë situatë. Pavarësisht se i kemi rritur të ardhurat e bashkisë, mbledhim 6 milionë euro në vit, por nuk mjaftojnë. Të paktën të shlyejmë këto borxhe, ndaj kërkojmë një grant nga buxheti”, tha Ilir Xhakolli, kryetari i Bashkisë së Pogradecit.

Madje për të çliruar bashkitë nga borxhet kërkohet që edhe ato të përfitojnë nga paqja fiskale, për fshirje të borxheve më të vjetra se 10 vjet.

“Kemi shumë bashki me borxhe ende, dhe ne propozojmë që edhe ato të jenë pjesë e ‘Paqes Fiskale’, dhe tu falen borxhet e para 10 viteve”, tha Adelina Farrici Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive.



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat