Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalën e tij sot në mbledhjen e grupit parlamentar, para seancës së nesërme në Kuvend, duke e përqendruar diskursin e tij tek çështja më e nxehtë e ditës, marrja e pandehur e zv/kryeministres Belinda Balluku nga SPAK, për skandalin e tenderit të tunelit të Llogarasë.
Kreu i selisë blu tha se Balluku e anuloi tenderin si pa të keq, duke e shtuar mbi 40 mln euro për t’ia dhënë kompanisë turke, duke e cilësuar atë me epitetin “sulltanesha rahmetlie”. Por ai theksoi se kështu është bërë për të gjitha tenderët e punëve publike në Shqipëri.
“Sulltanesha rahmetlie anulon tenderin 140 milionë, pas takimit atje me kompaninë turke, në mënyrë të turpshme, hap tender tjetër me 180 milionë dhe çfarë ndodh, morën përsëri Gjokën për të bërë punën. Të jeni të sigurt se kjo skemë është përdorur absolutisht në çdo tender të punëve publike në Shqipëri. Në këtë rast u demaskua se kryesori ishte i huaj, por kjo ndodh me të gjitha punët publike dhe e kemi denoncuar kaq shumë herë këtë”, u shpreh Berisha para deputetëve demokratë.
Ai vlerësoi se Prokuroria ka kryer hetimin e duhur dhe ka bërë punën e saj duke zbuluar aferën korruptive të qeverisë, teksa tha se Balluku nga një krah e quan Ramën “palloshi i gjatë” dhe në anën tjetër firmos 50 mln euro më shumë.
“Prokurori për mendimin tim e ka bërë punën e tij. Por ky i kërcënon, i zhduk, i thotë e ke personale me mua. Por prokurori i nxori lakuriq, të zinj siç janë, në rrafshin politik. Lubia këtej i thotë pallosh i gjatë, këtej i firmos 50 milionë euro, mendojeni vetë se si janë ata, llum. Koha është e fitimtarëve”, tha kryetari i selisë blu.



