Megjithëse thekson se vendimin do ta marrë grupi parlamentar, Sali Berisha e ka konfirmuar sot Gazment Bardhin si drejtuesin e deputetëve në Kuvend, në datën 10 shtator.
Gjatë një konference për shtyp, ku u pyet nga gazetarja e Top Channel, Elda Menga, Berisha u shpreh me vlerësime maksimale për Bardhin.
Pyetje: Do shkoni me Gazment Bardhin si kryetar grupi në shtator?
Berisha: Do ta përcaktojë grupi parlamentar.
Pyetje: Është mundësia që Bardhi të mos jetë kryetar i grupit parlamentar në shtator?
Berisha: Nuk po prononcohem, por kam vlerësim qartësisht pozitiv për detyrën që Bardhi ka kryer si kryetar grupi. Funksionet ne i përcaktojmë në mënyrë demokratike, ka një rregull që do të zbatohet. Meqenëse po më pyet mua, Gazment Bardhi gjykoj se e ka kryer me dinjitet atë detyrë. Do të jetë grupi që e përcakton.
Pyetje: Ju do e votoni?
Berisha: A ka mundësi që sekretin e votës të ma respektosh? Kaq.
Pyetje: Do ta hapni seancën e 10 shtatorit?
Berisha: Nuk mund ta hap kurrë një Parlament jolegjitim, nuk mund t’i bëj vendit tim një anti-shërbim të tillë. Po të ishte legjitim, do ta bëja me kënaqësi. Ky Parlament nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë.



