Rama në Njësinë 2: Bizneseve do t’u jepet mundësia që të punojnë qetësisht pa ngarkesa burokratike. Nga 1 janari paga minimale shkon 500 euro dhe rritje rrogash për të gjithë punonjësit në shtet, pa asnjë taksë!
Kryeministri Edi Rama mbajti sot një takim në Njësinë numër 2 në Tiranë me socialistët teksa paraqiti një pjesë të buxhetit 2026 për bashkinë e kryeqytetit.

Rama foli për paketën fiskale, që sipas tij do i japë frymë lirisht biznesit në raport me administratën tatimore.
Sakaq, premtoi edhe investime 4-vjeçarin e mandatit të katërt, investime të shtuara në Tiranë në infrastrukturë, shëndetësi, arsim etj.
Rama: Kemi në projekt paketën fiskale, do ofrojmë mundësinë që të merren vesh me administratën tatimore për të përcaktuar në mënyrë të ndershme rritjen e të ardhurave për të rënë dakord për tatimin mbi fitimin. Do shmangin kontrollet, do të vazhdojnë qetësisht punën pa pasur ngarkesa të tjera burokratike edhe për sa i përket qeverisë do ketë një stabilitet në mbledhje të ardhurave që do i përgjigjet rritjes së ekonomisë.
Paralelisht edhe investimet në infrastrukturë do rriten, në shëndetësi, arsim, e kështu me radhë. Projekti i buxhetit 2026 e shpreh atë që thashë në fillim, rritjen e ekonomisë qëndrueshmërinë e rritjes, dhe kapacitetin për të shpërndarë më shumë. Siç e keni vënë re, në njësinë numër 5 ky është një dëgjesë, do ju lutesha pa hezitim të merrni fjalën për pyetje shqetësime, që lidhen me buxhetin e bashkisë Tiranë, punën e qeverisë.
Rama tha se nga 1 janari rroga minimale do të ndryshojë dhe do jetë 500 euro, kurse deri në fund të mandatit do shkojë deri në 700 euro.

Gjithashtu ai konfirmoi se do rriten edhe rrogat e administratës në të gjithë sektorët dhe veçanërisht ato në arsim, shëndetësi, Polici, ushtri dhe më gjerë. Dhe të gjitha këto rritje sipas tij, nuk do të ketë taksim mbi fitimin, siç bëhet në vendet e tjera të rajonit apo Evropës.
Për çështjen e pensioneve Rama tha:
“Kjo rritje pensionesh nuk ka lidhje me indeksimin. Indeksimi do vazhdojë të bëhet në mënyrë të përvitshme. Dhe duk filluar rritjen e mbështetjes muaj pas muaji për pensionistët, do kemi edhe indeksimin. Dhe indeksimi parashikohet që në pak vite të arrijë në vlerën 50 mln euro”.
Kurse për pagën minimale, ai shpjegoi se prek sektorin publik dhe privat dhe jo vetëm këtë të fundit, teksa shtoi se do bëhet edhe përshkallëzimi apo kategorizimi sipas profilit dhe sektorëve në këtë rritje.
“Edhe rroga minimale nga 1 janari do shkojë 500 euro. Nuk do jetë rritje e thjeshtë, por siç e kemi thënë, me premtimin që bëmë para se të merrnim 83 mandate, e themi se në fund të mandatit paga minimale do shkojë 700 euro. Kjo nuk është për administratën, por për sektorin publik dhe privat. Kjo përcaktohet me ligj, se në Shqipëri nuk do ketë pagë nën 500 euro”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rama shpjegoi edhe çështjen e rritjes së pagave në sektorin shtetëror:
“Po ashtu do rriten pagat për të gjithë punonjësit, sepse kërkon që të bëhen edhe përshkallëzime. Do rriten pagat e mësuesve, mjekëve, infermierëve, policisë, ushtarakëve dhe punonjësve të tjerë. Siç e kemi parë deri më sot, do e shohim edhe në sektorin privat këtë rritje, edhe pse ato s’i rrit qeveria por provat, por ka ndodhur dhe do ndodhë përsëri, do e shohim. Të gjitha këto do bëhen pa prekur dhe pa rritur asnjë taksë. Kemi marrë zotim dhe do i qëndrojmë atij zotimi, që Shqipëria të jetë i vetmi vend në rajon, se në Evropë as bëhet fjalë se taksat janë ku e ku, ku ne bëhemi një vend pa taksë mbi fitimin. Edhe ndaj biznesit të vogël, ku biznesi do paguajë vetëm sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, kontributet, që janë të domosdoshme”.



