Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaPolitike"Buxheti, hapësira më e madhe për të vjedhur"/ Reagon ashpër Zhupa: Debat...

“Buxheti, hapësira më e madhe për të vjedhur”/ Reagon ashpër Zhupa: Debat absurd, nivelet e skandaleve dhe… – Sot News


Në një kohë kur skandalet e korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes trondisin opinionin publik, në Kuvend zhvillohet një debat që duket absurd: diskutimi për buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, i cili prezantohet si më i madhi në histori. Kontradikta qëndron në faktin se ndërsa mazhoranca socialiste e quan këtë buxhet një arritje historike, opozita ngre alarmin se një buxhet më i madh nënkupton thjesht më shumë para për t’u vjedhur, duke e bërë diskutimin tërësisht fiktiv dhe qesharak.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, argumenton se propaganda qeveritare për “buxhetin më të lartë ndonjëherë” fsheh dy realitete të hidhura. Së pari, ky buxhet financohet nga rritja e taksave, gjobave dhe detyrimeve mbi qytetarët. Së dyti, rritja e buxhetit shkon paralelisht me rritjen e nivelit të korrupsionit dhe vjedhjes së fondeve publike.

“Më i madh buxheti, më e madhe hapësira e tyre për ta vjedhur,” shprehet Zhupa, duke sjellë shembullin flagrant të kostove të ndërtimit të shkollave. Sipas saj, një shkollë e ndërtuar me fonde të Bashkimit Evropian kushton rreth 750 mijë euro, ndërsa e njëjta shkollë, kur faturohet nga qeveria apo bashkitë shqiptare, arrin vlerën 2.3 milionë euro.

Për Zhupën, kjo tregon se buxheti i lartë nuk është garanci për shërbime më të mira, por një mundësi për afera korruptive me kosto të shumëfishuara. Një tjetër pikë kritike është shpërndarja e fondeve. Ndërsa premtime si ai i vitit 2013 për një buxhet prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për arsimin nuk u mbajtën kurrë, shifrat tregojnë një rënie të vazhdueshme.

Zhupa shprehet se nga 2.9% në vitin 2022, parashikohet që buxheti për arsimin të zbresë në 2.1% deri në vitin 2028. Në të kundërt, pagesat për inceneratorët që nuk ekzistojnë ose nuk funksionojnë vazhdojnë pa ndërprerje. Kjo situatë, sipas opozitës, e kthen debatin mbi buxhetin në një farsë.

Për Zhupën, çështja thelbësore nuk është sa i madh është buxheti në letër, por sa prej këtyre parave do të shkojnë realisht për shërbime publike si arsimi, shëndetësia dhe ndihma për familjet në nevojë, dhe sa do të përfundojnë në xhepat e qeveritarëve, oligarkëve dhe klientëve të pushtetit. Në këto kushte, debati real nuk është për alokimin e fondeve, por për ndalimin e “vjedhjes së deklaruar” që po ndodh me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Zhupa:

Në propagandën e qeverisë kemi, do e keni dëgjuar dhe nga pothuajse të gjithë si një fjalim e kanë ata që e ripërsërisin të gjithë përfaqësuesit e mazhorancës, teksa thonë që kemi buxhetin më të lartë ndonjëherë të të gjitha kohëve. Dhe kjo thënie në fakt përmban dy elemente në vetvete. Një, përmban elementin i më shumë taksave, më shumë tatimeve, më shumë gjobave, më shumë detyrimeve të marra nga qytetarët, sepse buxheti nuk është ndonjë shpikje. Janë paratë që vijnë nga qytetarët. Dhe së dyti, ky buxheti më i madh shkon në linjë paralele me nivelin e korrupsionit, me nivelin e vjedhjeve.

Do të thotë më i madh buxheti, më e madhe hapësira e këtyre për ta vjedhur, për ta bërë pjesë të aferave, për të bërë ato që janë, që nga shkollat që ndërtohen me shtatëfishin e buxheteve që ndërton Bashkimi Evropian. Pra kur një shkollë e ndërton Bashkimi Evropian në Shqipëri, që ka ndërtuar edhe ato që u shëmbën nga tërmeti, e ka ndërtuar deri në 750.000 euro, kur një shkollë faturohet për ta ndërtuar qeveria shqiptare apo bashkitë, shkon në 2.3 milionë euro.

Dhe ti thua që kam një buxhet të lartë, por në fakt është një buxhet i vjedhur. Sepse po ta shikosh tek zërat që shkojnë për fëmijët, zërat që shkojnë për familjet në nevojë, zërat që shkojnë për arsimin, zërat që shkojnë për personat me aftësi të kufizuar, zërat që shkojnë për shëndetësinë, por kur them për shëndetësinë, jo për koncesionarin e e shëndetësisë, jo për koncesionarin e… po për ilaçe, por për aparatura, por për rimbursim të medikamenteve, kur e shikon atë, ti e shikon se sa pak fonde vihen në dispozicion të gjërave reale, konkrete, që njerëzit mund të marrin një shërbim më cilësor dhe mund të zgjedhin në fund të ditës arsimin publik, shëndetësinë publike apo edhe të qëndrojnë në Shqipëri.

Unë kam krahasuar në fakt, e kisha diskutim dhe dje në në Kuvend, nivelin e buxhetit të arsimit. Pra, qeveria Rama, kur ka ardhur në 2013-ën, ka dhe një broshurë që e ka printuar atëherë, program, se ishte e vetmja herë që kishte program, se herët e tjera pastaj nuk ka pasur më program, ka thënë 5% e prodhimit të brendshëm bruto do jetë për arsimin. Jo që nuk e ka arritur kurrë, por nga 2022-shi dhe duke parë parasysh edhe këtë buxhet, por edhe buxhetin afatmesëm, parashikimet që kanë bërë deri në 2027, 2028-ën, vjen nga 2.9 që ka qenë në 2022-shin, në 2.7 që pritet tani për 2026-ën dhe për 2028-ën 2.1% e buxhetit.

Pra vjen me ulje buxheti i arsimit. Ndërkohë që vijnë me rritje pagesat për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Si mund të paguajë ky shtet, të vazhdojë të paguajë për një shërbim që nuk e merr, për objekte që nuk ekzistojnë? Pra, si mund të vazhdojë të vidhet, se kjo është vjedhje e pastër, e deklaruar, e njohur botërisht. Pra, në këtë aspekt, nuk është lajmi a është buxheti i madh, por sa do vidhet ky buxhet? Sa do të shkojë te qytetarët dhe sa do të shkojë tek xhepat e qeveritarëve, tek oligarkët, tek klientët e pushtetit, tek ata që përdoren për pastrimin e parave të politikanëve.

Dhe kjo është drama e madhe që ka vendi ynë, që ka Shqipëria.



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat