Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaAktualitetÇela dhe Dumani në Bruksel takim kryeprokuroren belge, fokusi tek antimafia dhe...

Çela dhe Dumani në Bruksel takim kryeprokuroren belge, fokusi tek antimafia dhe sekuestrimi i aseteve


Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani dhe përfaqësues të tjerë të këtyre prokurorive kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Belgjikë në datat 18–19 nëntor, ku u takuan me Prokuroren e Përgjithshme Federale të Belgjikës, Ann Fransen.

Në delegacion morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të të dy institucioneve.

Takimi u organizua në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara mes palëve dhe si vijim i takimeve të zhvilluara një vit më parë në Tiranë.

Sipas Prokurorisë Përgjithshme, diskutimet u fokusuan te bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar, hetimet financiare, pastrimi i produkteve të veprës penale, përdorimi i kriptomonedhave në aktivitete kriminale, koordinimi i hetimeve dhe krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore. Po ashtu, u trajtuan çështje që lidhen me ndihmën juridike ndërkombëtare, përfshirë ekzekutimin e vendimeve penale dhe letërporosive.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim vlerësuan shumë pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm dhe nënvizuan rëndësinë për zgjerimin e mëtejshëm të tij përmes shkëmbimit më të gjerë të informacioneve, me qëllim hetimin e plotë të aktiviteteve kriminale që prekin të dy vendet.

Gjatë bisedimeve u diskutua gjithashtu për nevojën e përmirësimit të kuadrit ligjor dhe rritjes së efikasitetit në zbatimin e legjislacionit antimafia, duke synuar rritjen e kapaciteteve për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale të subjekteve të hetuara ose të dënuara në Shqipëri dhe Belgjikë.



Burimi Lexo.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat