Ilir Dako
“Ne bëjmë punën tonë drejtësia bën punën e saj”, – ishte përgjigja e Edi Ramës për rastin Balluku. Një përgjigje që me pak fjalë nënkupton refuzimin e largimit të Ballukut pas skandalit të plasur për tunelin e Llogarasë, nën moton SPAK të bëjë punën, ndërkohë që banda e hajdutëve do të vazhdojë të vjedhë.
Më në fund e çorri maskën e tij dhe po tregohet më dinjitoz nga herët e tjera, ku i akuzonte vartësit se kishin ngrëne kumbulla pas shpinës së tij. Tani zotëria në fjalë e ka pranuar botërisht se është ortak në hajninë e Ballukut dhe në këtë mes kumbullat i ka ndarë së bashku me zëvendësen e vet. Fakti që nuk reagon, nuk merr masa ndaj vartëses së tij, e cila minimalisht duhej shporrur nga qeveria dhe të përballej vetë me drejtësinë për të mos ndotur sktrukturën e tij qeverisëse, tregon qartë se kemi një grup të strukturuar kriminal.
Grup i strukturuar kriminal që nis nga drejtorët, dhe gjithë grupin e menaxhimit të tenderëve dhe shkon direkt në grupin komandues Rama-Balluku, nën drejtimin e të cilëve është krijuar kjo aferë korruptive.
Kryeministri i shqiptarëve ka vendosur të mos reagojë për akuzat ndaj vartëses së tij, duke deklaruar se do të vazhdojë të punojnë së bashku pavarësisht akuzave të SPAK. Për Edi Ramën nuk ka rëndësi ç’bën drejtësia, ka rëndësi ç’bën ai dhe Bella, me të cilën ka pranuar haptazi ortakërinë dhe bashkëfajësinë e tij në gjithçka që ka bërë vartësja e tij. Tashmë këtë e ka konfirmuar katërcipërisht. Nuk u tregua burracak si në rastet e Ahmetajt, Kokës, Bllakos, Erionit, Sajmirit, Ilir Beqes e të tjerë, të cilët i shiti dhe vendosi të tregohet burrë i ndershëm duke i akuzuar vartësit e tij si hajdutë kumbllash. Në fakt vetëm në rastin e inceneratorëve nën urdhrat e tij u morën dhjetra vendime, ndërkohë që fajin ju a ngarkoi vartësve të tij si kumbllaxhinj profesionistë.
Në atë kohë u tregua dhjaks, burracak, i pabesë duke i shitur të gjithë. Sot Edi Ramës i është kthyer karakteri burrëror për mos të lënë në pellgun e fajësisë të vetme Belinda Ballukun, por është hedhur vetë në atë pellg duke treguar që ky është një nga ata njerëz që ka vendosur fatin e tij në një varkë me atë të Ballukut.
Më në fund kemi një kryeministër që i del zot hajdutërisë së vet, duke konfirmuar bashkautorësinë në aferat e Ballukut. Kemi një kryeministër që e ka vrarë ndërgjegja dhe i është prekur sedra nga e kaluara me vartësit e vet dhe po vë në vend burrërinë duke qëndruar para “plumbave” të SPAK në krah të bashkëgrabitëses Belindë. Ai e ka vendosur të shkojë së bashku me Belindën në greminën që i kanë hapur vetes dhe si burrë stoik dhe trim do të zvarritet në rrënimin e plotë të tij dhe qeverisjes së tij.
Ngjarjet e fundit treguan se qeverisja e tij është shndërruar në një kufomë që qelbet era korrupsion, mizerabilitet, nepotizëm, perversitet, anormalitet dhe kriminalitet. Akuzat ndaj Belindës nga ana e SPAK, kanë krijuar si radhëherë në opinionin mediatik një neveri për këtë qeverisje, Për vetë Edi Ramën dhe Sherezaden e tij Belindë. Njerëzit janë të tronditur kur shikojnë një situatë ku mungon qeverisja, por dhe morali. Para tyre mbreti kryeministër është rishfaqur lakuriq, jo si plazhist në plazhet e Francës, por si një hajdut ordiner që i vjedh çdo ditë nëpërmjet bandës së tij së bashku me të ngjashmen e tij , Belindë.
Ai e ka vendosur. Nuk e lëshon Belindën dhe do shkojë zvarrë drejt fundit të vet politik që po vjen me një shpejtësi skëterrë. Deri atëherë drejtësia do bëjë punën e vet dhe Sulejmani i Madhërishëm do vazhdojë të grabisë shqiptarët.



