Kryeministri Edi Rama ka dalë hapur në mbrojtje të Belinda Ballukut dhe vartësve të saj, duke sulmuar Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për vendimet që, sipas tij, po cenojnë kompetencat e ekzekutivit. Në podcastin e djeshëm, Rama komentoi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku me vendim të GJKKO-së, duke theksuar se ankimimi i tij në Gjykatën Kushtetuese nuk lidhet me politikën, por me “mbrojtjen e balancës mes pushteteve”.
Ai argumentoi se masa e sigurisë ndaj Ballukut, edhe pse “de jure” quhet pezullim, “de facto” përbën një “nënshtrim brutal të ekzekutivit”. Si argument të ri të pasojave që sjell pezullimi i Ballukut në qeverisjen e vendit, Rama solli edhe bllokimin e punës së Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Korporatës Elektroenergjike Shqiptare, pasi 2 vartësit e Ballukut, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, ndodhen në arrest shtëpie me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së. Numri një i ekzekutivit thotë se i vetmi ministër në kabinetin qeveritar që mund të emërojë drejtuesit e ri të ARRSH dhe KESH është ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, por që momentalisht është në pamundësi për të ushtrimit të detyrës.
Rama merr në mbrojtje hajdutët e Belinda Ballukut
“Edhe njëherë dua të ritheksoj qëndrimin tim lidhur me domosdoshmërinë e moscenimit të parimit themelor të ruajtjes së balancës mes pushteteve kushtetuese në Republikën e Shqipërisë. Edhe njëherë, dua ta theksoj, se ankimimi që kam bërë në Gjykatën Kushtetuese nuk është një betejë politike, nuk është as një kundërvënie ndaj drejtësisë, nuk është as një presion mbi këdo qoftë, përfshirë edhe këto shpjegime, të cilat janë të domosdoshme për ata që më kanë besuar privilegjin e udhëheqjes së këtij vendi, por është një betejë institucionale, një betejë themelore për mbrojtjen e kufijve mes pushteteve dhe për moslejimin e marrjes së kompetencave ekskluzive të kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit nga një prokuror e një gjykatës, një precedent kërcënues për demokracinë, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës dhe krejt i panjohur në Europë dhe në krejt botën demokratike.
Ky veprim, që “de jure” quhet pezullim, por “de facto” është nënshtrim brutal i ekzekutivit, sjell përditë pasoja pas pasojash. Arsyeja, pse unë i ndaj disa shembuj me publikun, është për t’u kuptuar deri në fund se çfarë ka ndodhur, çfarë po kalojmë dhe çfarë po përpiqemi dhe po përpiqem të bëj, përmes adresimit të kësaj problematike befasuese dhe të befasishme në Gjykatën Kushtetuese, dhe të ndaj, jo vetëm pasojat, por edhe dëmet që mund të bëhen të pallogaritshme. Ja për shembull, janë vendosur në arrest shtëpie drejtori i ARRSH dhe drejtori i KESH-it.
Nuk ka asnjë rëndësi se si i mendoj unë arsyet e këtyre ndalimeve, se kjo po, kjo është punë e prokurorit dhe gjykatësit – për sa kohë, siç kanë konstatuar me shqetësim më shumë sesa një herë autoritetet e Këshillit të Europës, paraburgimet e arrestet e shtëpisë, pa gjyq, janë bërë “bukë e djathë” në Shqipëri. Por fakti është se ata nuk hetohen në gjendje të lirë, dhe kështu cila është pasoja? Pasoja është se lihen pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin, të cilat mbulojnë infrastrukturën kombëtare të rrugëve dhe infrastrukturën kombëtare të energjisë.
Mirëpo, pse kjo pasojë tani është e lidhur drejtëpërdrejtë me pezullimin dhe pse kjo pasojë tani bëhet e pariparueshme, për sa kohë pezullimi, jo vetëm antidemokratik, por edhe alogjik i një anëtari të kabinetit, e bën të pamundur zëvendësimin e tyre, pasi ligji nuk ia jep askujt tjetër, përveç autoritetit ekskluziv të ministrit edhe të drejtën e këtyre emërtesave. Kaq e thjeshtë është pse ministri nuk mund të pezullohet si të ishte një funksionar publik i çfarëdolloj niveli tjetër Ka një devizë, ne e kemi ndjekur si postulat: Mos ndërhy në punët e drejtësisë. Por, nga ana tjetër, kjo ndërhyrje brutale në trupin e qeverisë është një kambanë alarmi, që duhet dëgjuar deri në fund, për të mos u përsëritur më kurrë. Dhe kështu, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke rivendosur në pozicionet kushtetuese njëri-tjetrin, ndihmojmë Shqipërinë, ndihmojmë konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqiptar”, tha Rama.
Çfarë ka ndodhur?
Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAK ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi. Gjithashtu, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi akuzohen për shkelje të barazisë në tendera për ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Elezi është i dyshuar edhe për tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe. Kujtojmë se Gjyli dhe Elezi janë me “arrest shtëpie”.



