Pas dy telasheve madhore për kryeministrin Edi Rama; marrja e pandehur e Belinda Ballukut, politikania e dytë më e fuqishme e vendit, si dhe goditja e Mirlinda Karçanajt, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në krye të manipulimit të tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI – një institucion në varësi të kryeministrit që menaxhon infrastrukturën sensitive digjitale të vendit, një tjetër “bombë” e ngjashme pritet të plasë për qeverinë.
Sapo ka nisur të plasë “qelbi” i kompanisë misterioze të investimeve, që u shpik nga kryeministri Rama si një nismë për të piketuar dhe kaluar në duart e të njëjtit rreth klientësh pronat dhe pasuritë e fundit publike që kanë mbetur. Bëhet fjalë për Korporatën Shqiptare të Investimeve. Në krye të korporatës Edi Rama ka vendosur Elira Kokonën, e gatshme për çdo operacion korruptiv me paratë dhe pasuritë publike.
Kjo korporatë, e krijuar më 15 korrik 2020, ka shfrytëzuar pasuritë shtetërore për t’u dhënë ato në përdorim kompanive private, duke përfituar nga gjithçka që mund të merret dhe duke lënë në errësirë përdoruesit realë të këtyre pasurive, qytetarët dhe institucionet shtetërore. Kjo strukturë ka qenë pjesë e një lëvizjeje që ka përdorur pasuritë shtetërore për të pasuruar miqtë e pushtetit, ndërsa qytetarët janë lënë jashtë çdo mundësie për përfitime reale nga pasuritë që përfaqësojnë të ardhurat e përbashkëta të popullit shqiptar.
Skandali që pritet të hapë “Kutinë e Pandorës”
Afera që është gati të shpërthejë, e denjë për një skenar të filmave hollivudianë, ku Elira Kokona ashtu siç ka bërë Balluku dhe Kërçanaj, ka kopsitur letrat për të bërë fiktivisht një park të madh, duke u lejuar dhjetëra firmave një parajsë fiskale për të mos paguar taksa. Me një të rënë të lapsit, ka krijuar në shkurt të vitit 2025 një shoqëri shtetërore, pa pasur fizikisht një godinë. Jo vetëm kaq, por në këtë godinë, kanë regjistruar plot 46 biznese që nuk paguajnë taksa, madje kanë benefite të tjera të larta, pavarësisht se të njëjta kompani vijojnë të zhvasin qindra miliona euro tendera nga institucionet shtetërore.
Mes tyre janë dy biznesmenët dosjes së AKSHI-t, Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, në kërkim nga SPAK pastrim parash, shkelje e barazisë në tendera e kryer në formën e bashkëpunimit të grupit kriminal, heqje e paligjshme e lirisë, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal. Beqiri qëndron pas kompanive Nsolution dhe Al Soft. Deri dje kemi lexuar dhe dëgjuar se disa nga kompanitë shqiptare regjistroheshin në vendet e njohura si parajsa fiskale, me qëllim zhvendosjen dhe pastrimin e parave.
Por, përse t’i transferojmë kur fare mirë mund të kemi parajsën tonë të vogël? Në dhjetëra dokumente rezulton se në krye të skemës qëndron Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila mori në shfrytëzim një sipërfaqe të madhe pronë në zonën e Xhafzotajt në Durrës, në afërsi të autostradës Tiranë – Durrës. Mësohet se për këtë aferë ka nisur hetime SPAK dhe pritet që Kokona të pësojë të njëjtin fat si Balluku dhe Karçanaj.
Grabitja e pasurive
Më 28 maj 2025, po nëpërmjet Korporatës, u kalua pallati i sporteve “Asllan Rusi” në duar private, ku përveç fitimeve nga shfrytëzimi i hapësirave, do të ndërtohen edhe kulla mbi territorin shtetëror. Korporata ka shfrytëzuar përfitimet e paimagjinueshme nga pasuritë publike. Me Vendim Nr. 185 të datës 27 mars 2024, ajo i dha privatit lejen për shfrytëzim dhe zhvillim të ndërtesave në Tiranë dhe Sarandë. Në veprime të tilla, Korporata ka favorizuar partnerët e saj privatë dhe ka siguruar mundësitë e një fitimi të shpejtë, duke lënë qytetarët pa mundësi për përfitime reale nga pasuritë që përfaqësojnë të ardhurat e përbashkëta të popullit shqiptar.
Një tjetër pikë shqetësuese është fakti që kjo korporatë ka shpërndarë miliona euro nga buxheti i shtetit pa transparencë dhe pa raporte të qarta mbi përdorimin e fondeve. Auditi i Ministrisë së Financave ka konstatuar se për periudhën 2020-2022, Korporata ka marrë 45 milionë Euro nga buxheti i shtetit, por nuk ka pasur asnjë informacion të qartë mbi përdorimin e këtyre fondeve, duke lënë hapësirë për dyshime mbi përdorimin e parave dhe abuzimet e mundshme.



