Rama reagon sërish për pezullimin e Ballukut nga SPAK: Është absurde, vendimi ka bllokuar edhe nisjen e linjës ajrore me Kanadanë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për kërkesën që ai ka çuar në Gjykatën Kushtetuese pezullimin e Belinda Ballukut, me vendim tw GJKKO.
Ai pranoi se shembulli i dhënë më herët për linjën ajrore me Kanadanë mund të jetë dukur “i tepërt”, por theksoi se qëllimi është të ilustrohet absurditeti i situatës së krijuar me pezullimin e Ballukut.
Rama shtoi se për shkak të pezullimit janë bllokuar një sërë procesesh, përfshirë marrëveshjen me Kanadanë për fluturimet ajrore, për të cilën qeveria po përpiqet të gjejë zgjidhje në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme. Por sipas tij, ky është vetëm një element i situatës së vështirë.
“U bë sebep një mik i mirë për ta bërë këtë komunikim me një mesazh që më shkruan e kuptoj shqetësimin tënd lidhur me precedentin e rrezikshëm që krijoni pezullimi i ministres, së nesër bëhet rrugë dhe prokuror dhe gjykatës të heqin kë të duan nga qeveria. Po ajo e linjës ajrore me Kanadanë mu duk pak e tepërt. Mbase është shumë e tepërt, por shembujt që unë sjell i sjell për të thënë sa i tepërt është pezullimi i një ministri. Ndryshe nga cdo funksionar që mund të pezullohet, ministri i pezulluar jo vetëm që nuk firmos dot vetë asgjë, por bën që askush tjetër të mos marrë vendim dhe të firmosë në emër të dikasterit. Sepse Kushtetuta ia jep atij dhe vetëm atij ministrit autoritetin ekskluziv të padelekueshëm tek askush tjetër. Prandaj pezullimi është absurd si koncept, sepse është bllokim i zinxhirit të vendimmarrjes që ministri mbulon. Ndër gjërat që janë bllokuar është edhe marrëveshja me Kanadanë për fluturimet ajrore që po mundohemi ta zgjidhim me ministrinë e Jashtme. PO ja ta zëmë se e zgjidhëm, po me 35 vendimet e tjera të qeverisë si do ja bëjmë? PO me lejet e ndërtimit për investimet në energji të rinovueshme, në godina publikë që kanë kaluar në KKT por nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar si do ja bëjmë”, tha Rama.
Sipas Ramës punët e bllokuara për shkak se Balluku është e pezulluar do të shtohen edhe më tej. Ndaj sipas tij “çështjen e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese”.
“Nuk jam këtu të ndërhyj në punën e prokurorit apo gjykatësit në fjalë dhe as si dhe pse ata po merren me një dosje të një anëtari të qeverisë. Unë flas për ndërhyrjen brutale në përbërjen e qeverisë, për marrjen konkrete të kompetencave që kushtetua më jep mua në këtë rast”, u shpreh kryeministri.
Një përgjigje, Rama kishte edhe për ata që e kritikojnë pse nujk e heq ministre: “Heqja e ministrit në këtë rast nuk e zgjidh këtë problem themelor, por do të krijonte do krijonte një problem themelor për të nesërmen, jo për mua, por për të nesërmen”.
“Kjo i jep përgjigje edhe pyetjes, pse nuk e heq ky ministren dhe merr zgjidhje ky problem. Jo, sepse heqja e ministrit nuk do zgjidhet këtë problem, por do krijonte problem për të nesërmen, jo për mua, por për çdo qeveri. Miu i zhbalancimit të pushteteve që do kalonte në mustaqe me idenë se ministrat mund të hiqen pa gjyq, pa dorëheqje, pa vendim të kryeministrit, por mjafton një masë sigurie, do kthehej në ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzte kuvendin, do përqeshte votën popullore. Ja pse kam shkuar në Kushtetuese dhe ja pse kjo betejë për të hequr të parin pezullim në botë të një ministri nuk ka asnjë lidhje me emrin e vetë ministrit”, tha Rama.
Komunikim i Kryeministrit Edi Rama në Facebook
Përshëndetje! U bë sebep një mik i mirë për ta bërë këtë komunikim me një mesazh ku më shkuan “unë e kuptoj mirë shqetësimin tënd lidhur me parimin dhe me precedentin e rrezikshëm që krijon pezullimi i ministres se nesër bëhet rrugë dhe i bie që prokuror dhe gjykatës të heqin kë të duan nga qeveria, por ajo e linjës ajrore me Kanadanë mu duk pak e tepërt”.
Tani ok, mbase s’është pak e tepërt, mbase është shumë e tepërt, por shembujt që unë sjell, i sjell për të thënë se sa i tepërt është në fakt pezullimi i një ministri.
Sepse faktikisht ndryshe nga çdo funksionar publik që mund të pezullohet, ministri i pezulluar, jo vetëm që nuk firmos dot vet asgjë, por ama bën që askush tjetër të mos marrë dot vendim dhe të firmosë gjësendi në emër të dikasterit sepse Kushtetuta ia jep atij dhe vetëm atij, ministrit, autoritetin ekskluziv të padelegueshëm tek askush tjetër.
Prandaj dhe pezullimi i ministrit është absurd si koncept sepse është bllokim i krejt zinxhirit të vendimmarrjes për sektorët që ministri mbulon. Dhe ndër gjerat që janë bllokuar nga pezullimi deri tani është dhe marrëveshja me Kanadanë për fluturimet ajrore, të cilën po mundohemi tani mos e zgjidhim me Ministrinë e Jashtme. Ja ta zëmë që e zgjidhëm megjithëse mua më duket shumë e sforcuar, po me 35 vendimet e tjera të qeverisë si do ja bëjmë? Po me lejet e ndërtimit për investimet në energji të rinovueshme, në infrastrukturë, në godina publike që kanë kaluar në KKT dhe nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar, si do ja bëjmë? Dhe këto janë punë të bllokuara që do të shtohen përditë.
Prandaj dhe unë kam shkuar në Gjykatën Kushtetuese sepse nuk jam këtu për të folur për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve teorikisht, për mosndërhyrjen e një pushteti tjetër në përbërjen e ekzekutivit, teorikisht, për mosmarrjen e kompetencave të Kryeministrit nga një prokuror dhe një gjykatës, teorikisht. Jo! Unë nuk flas teorikisht dhe as nuk jam këtu të ndërhyj në punën e prokurorit dhe të gjykatësit në fjalë dhe as merrem me pse dhe si ata po merren me një dosje të caktuar të një anëtari të caktuar të kabinetit. Jo, unë flas për cenimin konkret të balancës midis pushteteve, për ndërhyrjen konkrete brutale në përbërjen e qeverisë, për marrjen konkrete të kompetencave që Kushtetuta ia jep kryeministrit, mua në këtë rast dhe nuk thotë gjëkundi që ato mund t’i përdorin sipas qejfit apo sipas tyre sipas nevojës dhe prokurorët dhe gjykatësit.
Dhe më konkretisht akoma pastaj flas sesi prekja e gjithë këtyre bllokon punët në sektorët përkatës ku hyn dhe ajo marrëveshja me Kanadanë, që e përmenda dje, jo pa qëllim. Dhe e përmenda pikërisht edhe sepse më vjen plasja që u bë kaq kohë që përpiqem me mish dhe me shpirt që të hapim ato fluturime trans-oqeanike për Shqipërinë dhe një marrëveshje e parë fantastike për shqiptarë që jetojnë në Kanada, por jo vetëm për ata, na bllokohet sepse na del ky “shkop në rrota”. Dhe besoj që sa shpjegova dhe sa po shpjegoj këto ditë jep përgjigje dhe pyetjes “po mirë pse nuk e heq ky ministren dhe ja ku u zgjidh edhe ky problem bashkë me gjithë litarin që i behet kular këmbeve te atyre sektorëve duke bllokuar punën.
Jo sepse heqja e ministrit në këtë rast nuk do zgjidhte këtë problem themelor, por do krijonte një problem themelor më vete për të nesërmen. Jo për mua, por për çdo qeveri, pasi “miu” i zhbalancimit të pushteteve që do të kalonte këtë herë në mustaqe me idenë që ministrat mund të hiqen pa gjyq, mund të hiqen pa vendim të formës së prerë, mund të hiqen pa dorëheqje, mund të hiqen pa vendim të kryeministrit dhe thjeshtë mjafton një masë sigurie në një gjykatë të shkalles së parë do të kthehej në një ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzë parlamentet, do përqeshte votën popullore nga ku dhe buron përbërja e çdo qeverie. Ja pse kam shkuar unë në Gjykatën Kushtetuese dhe ja pse kjo betejë institucionale aspak politike për të hequr të parin pezullim në botë të një ministri më vendim gjykate nuk ka asnjë lidhje fare me emrin e vetë ministrit!



