Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli këtë të hënë fituesin për kontratën me objekt “Inkubatori i biznesit në arkitekturë dhe ndërtim në Tiranë: Mobilimi”.
Fondi limit vetëm për këtë ndarje ishte 130 mijë euro ndërsa oferta fituese rezulton 89 mijë euro dhënë nga kompania Ro-Al.
Sipas dokumenteve qëllimi i këtij inkubatori biznesi është krijimi i një qendre moderne dhe multifunksionale që fokusohet në kërkimin, zhvillimin dhe eksperimentimin e produkteve dhe shërbimeve të reja në fushën e ndërtimit, teknologjisë dhe projektimit.
“Kjo qendër do të veprojë si një inkubator që trajton probleme reale të komunitetit dhe teston zgjidhje në ambiente autentike, duke u mundësuar studiuesve dhe profesionistëve të kuptojnë më mirë sfidat dhe të zhvillojnë zgjidhje të përshtatshme” thuhet në dokument.
Sipas FSHZH objektivat kryesore të ndërhyrjes janë disa duke nisur nga rehabilitimi i ish-objektit të ISTN dhe i zonës përreth, duke e transformuar në një hapësirë funksionale për inovacion në ndërtim dhe dizajn.
Së dyti krijimi i një qendre kërkimore dhe projektimi që promovon bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm në fusha si zhvillimi urban, teknologjia dhe aspektet sociale.
Së treti zhvillimi i hapësirave për testim dhe prototipim, ku do të eksperimentohen ide të reja dhe zgjidhje për probleme konkrete, me qëllim gjenerimin e parimeve të reja për teknologjitë ndërtimore.
Së katërti trajnimi i brezave të rinj, duke i pajisur ata me njohuri bashkëkohore në projektim, ndërtim dhe teknologji përmes metodave të avancuara të të mësuarit. Qasja që kërkohet është gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, duke përdorur asetet hapësinore, njerëzore, teknologjike dhe akademike për të fuqizuar komunitetin profesional përballë sfidave të kohës.
Inkubatori/Mobilimi
Ambienti parashikohet të ketë disa hapësira ku në katin zero hyrja dhe recepsioni. Po kështu është parashikuar një ambient për studio projektimi, një për VR dhe sallë eventesh, laboratori i teknologjisë dhe ndërtimit FAB Lab dhe së fundmi edhe një depo.
The post FSHZH shpall fituesin për inkubatorin e biznesit në arkitekturë dhe ndërtim në Tiranë appeared first on Revista Monitor.



