Ftesa e shumëpërfolur e Presidentit të SHBA, Donald Trump, drejtuar Kryeministrit Edi Rama për t’iu bashkuar një bordit ndërkombëtar për paqen në Gaza, nuk ka qenë një ftesë personale dhe ekskluzive, por një letër standarde e dërguar në adresë të të paktën 100 krerëve të shteteve dhe qeverive në të gjithë botën.
Këtë fakt e bëri të ditur Ilda Zhulali, drejtuese e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike, e cila e ftuar në një studio televizive, hodhi poshtë narrativën e ndërtuar nga qeveria shqiptare.
Sipas Zhulalit, iniciativa e Presidentit Trump synon krijimin e një organizate të re ndërkombëtare, e cila do të veprojë në vijim të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën. Letra e dërguar Ramës, ashtu si edhe drejtuesve të tjerë, përmban ftesën për t’u bërë pjesë e këtij mekanizmi të ri, statutin e organizatës dhe kërkesën për të caktuar një përfaqësues të përhershëm.
Zhulali në emër të Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se po e përdor këtë ftesë zyrtare shtetërore, si një mjet propagande për të krijuar përshtypjen e një vlerësimi të veçantë dhe personal nga ana e administratës amerikane.
“Vetëm një nivel i lartë dëshpërimi mund ta çojë një kryeministër që të shesë një ftesë zyrtare që i jepet Republikës së Shqipërisë si një ftesë private, thua se është ftuar në shtëpinë e Donald Trump,” deklaroi Zhulali.
Ajo e cilësoi paraqitjen e situatës në Shqipëri si “karagjoze”, duke vënë në dukje mobilizimin e deputetëve dhe ministrave për ta shpërndarë lajmin në mënyrë të orkestruar, si dhe daljen e ministres së Jashtme në një konferencë për shtyp, për të përforcuar idenë e një vlerësimi ekskluziv.
Zhulali theksoi se kjo sjellje e qeverisë vjen si pasojë e dëshpërimit politik të kryeministrit, për shkak të skandaleve të brendshme dhe zhvillimeve të fundit në marrëdhëniet me SHBA, përfshirë çështjen e bllokimit të vizave të emigracionit dhe theksimin e vazhdueshëm nga ambasada amerikane të prioritetit për luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut.
Është një letër ftesë që u është dërguar të paktën 100 vendeve të botës për t’u bërë pjesë e një organizate ndërkombëtare, siç e thotë dhe vetë letra, e cila do të ngrihet në vijim të rezolutës që u miratua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së vitin e kaluar, por që Donald Trump do ta shtrijë përtej rezolutës që u miratua për Gazën. Pra, kemi të bëjmë, duket sikur kemi të bëjmë me një lloj organizate, zgjatim ose paralele me OKB-në, nuk është ende e qartë, sepse kjo gjë nuk është bërë ende, pra nuk ka një dakordësi ende të të gjitha vendeve se ku do të shkojë dhe deri ku do të arrihet konsensusi dhe cilat vende do të marrin pjesë, në çfarë formati. është ende shumë e paqartë, por ajo që dihet është që Donald Trump ka marrë hapin e parë dhe ua ka dërguar këtë kërkesë të tijën rreth 100 vendeve për t’u bërë bashkë dhe për të krijuar një organizatë që do t’i shërbejë paqes.
Këtë ftesë e ka marrë Edi Rama. Bashkë me këtë ftesë, ka marrë dhe statutin e kësaj organizate, ose kartën e kësaj organizate, siç quhet ndryshe, si dhe kërkesën që qeveria shqiptare të përcaktojë një zyrtar të saj, si përfaqësues të saj të përhershëm, për të marrë pjesë në takimet ndërkombëtare që do të zhvillohen në kuadër të këtij bordi. Kështu e ka quajtur Trump, por është më tepër sesa bord. Ajo, po ashtu, Donald Trump ka theksuar se në kuadër të rezolutës së miratuar vitin e kaluar, siç e përmenda, në kuadër të zhvillimeve në Gaza me synimin për ndërprerjen e konfliktit atje dhe për rindërtimin e Gazës, ka krijuar një bord ekzekutiv, ku ka caktuar disa nga përfaqësuesit më të lartë të administratës së tij, po dhe personalitete të tjera që ai gjykon se janë me peshë dhe ndikim shumë të madh dhe do të arrijnë një histori suksesi në Gaza. Dhe më tej, po ashtu, këta persona do të jenë përgjegjës secili për nga një me një objekt të veçantë pune, do të kenë disa teknokratë poshtë vetes, me të cilët do të punojnë për të arritur objektivat që do të vendosen së bashku, duke përfshirë këtu dhe palët e tjera që janë përfshirë në proces, përfshirë Izraelin.
Për këto lista ka patur diskutime, ka pasur mosdakordësi nga Izraeli, për shembull, për pjesëmarrjen e ministrit turk, apo të ministrit të Katarit, por është një proces në zhvillim. Por kjo është një gjë që është, thashë, në proces, ka zhvillime ditë pas dite, është pjesë e një diskutimi shumë serioz dhe të gjerë ndërkombëtar. Por në Shqipëri vjen në formën e vet më karagjoze të mundshme, për shkak të dëshpërimit që ndjen kryeministri ynë, sepse vetëm një nivel kaq i madh dëshpërimi mund ta çojë një kryeministër që të shesë një ftesë zyrtare që i jepet Republikës së Shqipërisë, si një ftesë private, thua se është ftuar të shkojë në një, në shtëpinë e Donald Trump apo në një klub ekskluziv, gjë që s’është aspak e vërtetë. Apo dëshpërimi për të çuar në një kontroll mediatik të atillë, sa i kam ndjekur me shumë vëmendje mediat, asnjëra prej mediave nuk e lexonte letrën se çfarë ishte shkruar aty, sepse letra e tregon qartë që nuk është një ftesë private e drejtuar Edi Ramës, siç e shiti ai për këto dy ditë rresht.
Apo për të shkuar më tej tek kërkesa që u bëri të gjithë deputetëve dhe ministrave të tij, si asnjëherë tjetër, për ta shpërndarë me shpejtësi lajmin, me paragrafët e gatshëm, apo detyrimin që i bëri më në fund ministres së Jashtme, që na doli në një konferencë për shtyp, përsëri për të përsëritur këto fjalësh që thotë Edi Ramës që kjo ftesë është vetëm për vlerësimin e veçantë që Donald Trump na paska për Edi Ramën. Pra, e gjithë kjo sjellje tregon, e nxjerr Shqipërinë një vend karagjoz dhe kjo, kjo shenjë kaq e poshtëruese do të thoja unë për vendin, vjen vetëm si pasojë e nivelit të dëshpërimit ku ka arritur Edi Rama, për shkak të skandaleve që kanë plasur, por edhe për shkak të zhvillimeve të fundit që ka patur në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë këtu edhe vendimin për vizat, për bllokimin e vizave të emigracionit, apo përgjigjen e menjëhershme që i dha ambasada amerikane në Tiranë sapo ai mbaroi fjalimin me drejtuesit e tij ose deputetët e Partisë Socialiste, duke i kthyer përgjigje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një prioritet me Shqipërinë dhe kjo është lufta kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut dhe këtë do ta ndjekin me këmbëngulje deri në fund, tha ajo.
Po mendoj, tash faktet janë publike. Nuk është se po i shpikim ne si opozitë, faktet janë publike që ftesa u është dërguar të paktën, deri dje, të paktën 60 vende kanë konfirmuar publikisht që e kanë marrë këtë letër-ftesë dhe po shqyrtonin çfarë përgjigje dhe çfarë vendimi do të merrnin ndaj këtij propozimi të Donald Trump. Asnjë prej këtyre vendeve, nuk kam parë asnjë kryeministër apo president të botës që ta trajtojë këtë si një ftesë personale dhe ta shesë si një histori suksesi të tij individualisht. I vetmi që bën përjashtim në të gjithë botën është Edi Rama. Sot madje doli lajm që këtë ftesë e ka marrë dhe presidenti rus Putini, i cili është në luftë me Amerikën. E ka marrë dhe Lukashenko i Bjellorusisë. Dje konfirmoi që kishte marrë dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Vietnamit. Kështu që besoj që po marr disa nga shembujt për të kuptuar se cili është vlerësimi kaq ekskluziv për Edi Ramën. Kjo ftesë i është dërguar presidentëve dhe kryeministrave në të gjithë kontinentet, duke, sigurisht përparësi kanë patur vendet atyre që u është çuar së pari, fillimisht, kanë qenë vendet partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.



