Rigels Seliman
Gjykata Kushtetuese pritet të marrë sot vendimin përfundimtar në atë që njihet si çështja “Balluku”, një dosje që ka ngjallur debat të fortë politik dhe institucional. Sipas burimeve, trupa e gjyqtarëve kushtetues është ndarë 5 me 3 në favor të kryeministrit Edi Rama, duke i hapur rrugë një vendimi që favorizon zv/kryeministren Belinda Ballukun. Vendimi vjen pas dështimit të mbledhjes së kësaj të marte (3 shkurt), ku 8 gjyqtarët nuk arritën të siguronin shumicën e nevojshme prej 5 votash.
Ankimi i kryeministrit Edi Rama lidhet me përplasjen mes Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme (GJKKO) lidhur me pezullimin e një anëtari të qeverisë. Rama kërkoi nga Kushtetuesja zgjidhjen e mosmarrëveshjes institucionale, duke e cilësuar vendimin e GJKKO si të padrejtë. Por burime pranë procesit bëjnë me dije se balanca e votave tashmë është kthyer në favor të tij.
Ky zhvillim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në pozicionin politik të Belinda Ballukut. Vendimi konsiderohet i rëndësishëm edhe për raportet mes pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë. Në prapaskenë, përfliten edhe presione të forta politike ndaj Gjykatës Kushtetuese, sikundër po e tregon edhe kryeministri Edi Rama me sulmet e vazhdueshme ndaj drejtësisë. Megjithatë, zyrtarisht pritet vetëm shpallja e vendimit për të konfirmuar ndarjen e votave. Çështja “Balluku” ka testuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese në vend. Kështu që sytë janë tani nga Kushtetuesja, e cila pritet të flasë përfundimisht sot.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se Gjykata Kushtetuese nuk mori një vendim teksa u mblodh këtë të martë (këtë javë), lidhur me ankesën e kryeministrit Edi Rama në atë që njihet si “çështja Balluku”. Kryeministri Rama iu drejtua Kushtetueses për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”. Të mbledhur në dhomë këshillimi, 8 gjyqtarët e Kushtetueses nuk kanë arritur të marrin një vendim, çka do të thotë se nuk është bërë i mundur mazhoranca prej 5 anëtarësh, për të krijuar një shumicë në vendimmarrje. Seanca është shtyrë dhe pritet një tjetër mbledhje e anëtarëve të Gjykatës në dhomë këshillimi, ku me shumë mundësi do të ndodhë sot. Sipas afateve ligjore, Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për të marrë një vendim përfundimtar, afat i cili skadon më 22 shkurt.
Nuk dihet nëse Kushtetuesja do e shfrytëzojë të gjithë kohën që ka në dispozicion për të marrë vendimin, por prej tij është kushtëzuar edhe vendimmarrja në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve lidhur me një tjetër kërkesë të SPAK për Ballukun. Vendimi i Kushtetueses pritet t’i japë një përgjigje nëse masa e pezullimit nga detyrat qeveritare të një anëtari të kabinetit nga Gjykata, pa marrë më parë autorizim, është ose jo e ligjshme. Gjyqtarët e Kushtetueses pritet të sqarojnë gjithashtu nëse ka pasur ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në atë ekzekutiv dhe nëse një ministër gëzon të njëjtin imunitet ligjor si një deputet. Opsionet që Gjykata Kushtetuese ka në dispozicion janë: të pranojë ankesën e Kryeministrit, duke rrëzuar kështu SPAK dhe GJKKO-në, të legjitimojë vendimin e GJKKO-së, duke i hapur rrugën një precedenti që mund të rrezikojë çdo anëtar të Kabinetit qeveritar, ose të çojë çështjen në Komisionin e Venecias, për interpretim, dhe duke fituar një kohë të “artë” për vendimmarrjen.
Kjo ishte mbledhja e dytë, pas asaj të 27 janarit, që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk arritën të marrin një vendim. Në mbledhjen e një jave më parë, Kushtetuesja nuk arriti të dilte me një vendim, pasi disa nga anëtarët kërkuan më shumë kohë. Mungesa e një vendimi nga Kushtetuesja, shtyu pa afat edhe mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, ku po shqyrtohet një tjetër kërkesë e SPAK, ajo e vendosjes së një mase sigurie me arrest ndaj zv/kryeministres, Belinda Balluku. SPAK e ka marrë të pandehur Ballukun për çështjen e tunelit të Llogarasë, por edhe për procedurat e tenderave që lidhen me lotet e Unazës së Madhe të Tiranës. Qeveria i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, i cili parashikon se anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit.
Sipas qeverisë, Gjykata e Posaçme nuk mund të pezullojë një ministër pa autorizim. Nga ana tjetër, prokurorët e SPAK-ut, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kanë kundërshtuar këtë qëndrim, duke theksuar se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit dhe se nuk ekziston konflikt kompetencash mes pushteteve. Në dhjetor të vitit 2025, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke shuar masën e sigurisë “pezullim nga detyra” të dhënë më parë nga Gjykata e Posaçme.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, vijimi i kësaj mase rrezikonte të sillte pasoja që prekin interesat shtetërore dhe ushtrimin e kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në përcaktimin e politikave të përgjithshme shtetërore. Ndërkaq, kryeministri Edi Rama, duket se shfrytëzuar një ankesë në Kushtetuese, nga shoqatat e gjyqtarëve, lidhur me sistemin e pagave në sistemin e drejtësisë, nuk nguroi të lëshonte mesazhe të qarta paralajmëruese ndaj anëtarëve të Kushtetueses. Sidoqoftë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më konkretisht me këtë çështje.



