Një shpërthim i fuqishëm u dëgjua dhe u pa tym në një zonë pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Oslo të Norvegjisë, në orët e para të mëngjesit të së dielës. Sipas mediave lokale, policia u njoftua rreth orës 01:00 të mëngjesit dhe forca të shumta sigurie mbërritën menjëherë në vendngjarje. Autoritetet norvegjeze konfirmuan se janë në kontakt me stafin e ambasadës amerikane.
Më vonë, policia bëri të ditur se shpërthimi ndodhi në hyrje të seksionit konsullor të ambasadës dhe shkaktoi vetëm dëme të vogla materiale. Shkaku i shpërthimit mbetet ende i panjohur, ndërsa autoritetet theksuan se nuk ka persona të lënduar. Hetimet për incidentin janë në vazhdim dhe policia nuk ka dhënë detaje të tjera për momentin.
Një banor 16-vjeçar i zonës i tha televizionit TV2 se ishte duke parë televizor në momentin kur dëgjoi shpërthimin. “Fillimisht menduam se zhurma vinte nga shtëpia jonë, ndaj shikuam përreth. Më pas pamë nga dritarja mbërritjen e shumë oficerëve të policisë”, tha ai.
Sipas tij, në zonë u panë qen policie, dronë, oficerë të armatosur dhe helikopterë që patrullonin mbi vendngjarje. Ndërkohë, ambasadat amerikane në Lindjen e Mesme janë vënë në gatishmëri të lartë për shkak të tensioneve dhe operacioneve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, si dhe kërcënimeve për hakmarrje nga Teherani. Megjithatë, policia norvegjeze deri më tani nuk ka raportuar ndonjë tregues se shpërthimi pranë Ambasadës Amerikane në Oslo lidhet me zhvillimet në Lindjen e Mesme.



