Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeItalia mund t’i kërkojë çfarë të dojë Shqipërisë

Italia mund t’i kërkojë çfarë të dojë Shqipërisë


Mbledhja e qeverive Rama-Meloni, firmosen 16 marrëveshje dhe memorandume. Kryeministrja italiane: Ditë historike. Rama: Italia mund t’i kërkojë çfarë të dojë Shqipërisë

Shqipëria dhe Italia forcuan edhe më tej partneritetin në fusha të rëndësishme, me shkëmbimin e një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh mirëkuptimi, në kuadër të mbledhjes së parë ndërqeveritare mes vendeve të mbajtur në Romë.

Marrëveshjet që u shkëmbyen nga ministrat respektivë të kabineteve qeveritare mbulojnë një gamë të gjerë fushash strategjike.

Më poshtë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Italisë dhe Shqipërisë

1.       Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin mbi sigurinë kibernetike

2.       Marrëveshje ndërqeveritare në lidhje me koncesionin e një huaje ndihme për mbështetjen e krijimit të një sistemi të mbrojtjes civile shqiptare

3.       Marrëveshje ekzekutive për nismën kundrejt përforcimit të aftësive të mbrojtjes civile në Shqipëri

4.       Marrëveshje për realizimin e projektit në mbështetje të neonatologjisë, në mbrojtje të fëmijëve dhe nënave

5.       Memorandum mirëkuptimi operativ kundër trafikut të drogës

6.       Marrëveshje për bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes

7.       Memorandum mirëkuptimi mes fondacionit MAXXI, Muzeu Kombëtar i Arteve i Shekullit të XXI dhe Galeria Kombëtare e Arteve e Republikës së Shqipërisë

8.       Protokoll mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes civile

9.       Marrëveshje teknike për dorëzimin e dy motovedetave të Guardia Costiera italiane për Forcën Detare Bregdetare Shqiptare

10.   Deklaratë mirëkuptimi mes departamentit të Mbrojtjes Civile Italiane dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile shqiptare dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, zyra e Tiranës

11.   Marrëveshje financiare mes Cassa Depositi e Prestiti SpA dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë eklektike në Shqipërinë veriore, pas tërmetit të vitit 2019

12.   Memorandum mirëkuptimi me Cassa Depositi e Prestiti SpA dhe Ministria e Financave të Republikës së Shqipërisë

13.   Memorandum mirëkuptimi me Simest SpA dhe Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve Shqiptare, AIDA

14.   Memorandum mirëkuptimi mes Fincantieri dhe KAYO, memorandum paraprak përpara krijimit të joint ventures për punimet në kantieret e Pasha Limanit

15.   Memorandum mirëkuptimi mes Leonardo SpA dhe KAYO

Kryeministri Edi Rama foli sërish për procesin e anëtarësimit në Bashkimi Europian duke theksuar se është gati për marrëveshjen edhe nëse nuk do të kemi të drejtë vetoje

Rama: Mund të them që ajo ç’ka tha Meloni shkon në drejtimin e thellimit të marrëdhënie. Kemi një nga projektet më të mëdha në Europë për energjinë, që po ecën para. Jemi tashmë duke punuar për një tjetër projekt të madh që do të lidhë lindjen me perëndimin, do përfshihen Italia, Greqia, Rumania dhe është i një rëndësie të madhe strategjike. Kemi edhe kulturën dhe nëse s’do të ishte pranishme kultura, s’do të ishte as Italia, kjo nderon Italinë dhe ministrin e saj. Më në fund pas kaq shumë vitesh kemi një marrëveshje konkrete. Shpresoj që muezu i artit italian në Shqipëri të jetë një tjetër fakt konkret dhe të jeni ju ai që do të hapë dyert e muzeut.

Koha do të kalojë dhe do të tregojë që unë kam të drejtë, gaboja kur isha më i ri si ministër i kulturës, tani që jam një veteran nuk besoj se gaboj. Nëse duke nisur punën  për këto negociata përgjegjësia do të jetë e Giorgias atëherë do të jemi në duar të sigurta. E kam thënë që jemi gati të bëjmë një marrëveshje me BE për të mos përdorur veton dhe votën, nuk na intereson. Jemi gati që të nënshkruajmë. Këtu sot është një ditë historike dhe nëse në takime të tjera, më duhet të them që me këtë nivel mikpritje, në këtë pallat kaq të bukur dhe me këtë atmosferë, nuk keni sipas meje të dytë, nuk keni konkurrencë, unë jam i anshëm, nuk jam objektiv me ketë që them”- tha Rama.

Kryeministri Edi Rama u pyet gjatë konferencës së përbashkët me homologen italiane, nëse është ‘penduar për marrëveshjen për emigrantët’. Rama tha se të njëjtën gjë do e bënte sërish, por vetëm me Italinë.

“Me Italinë do e bëja 100 herë edhe pse 100 herë ju do ishit kundër. Me vendet e tjera, kurrë! Sepse ju nuk jeni Italia. Italia mund t’i kërkojë Shqipërisë çfarë i vjen në mendje dhe ne jemi të gatshëm për t’u përgjigjur”-u shpreh Rama.

Ditë historike e quan kryeministrja e Italisë Gorgia Meloni këtë të enjte ku u nënshkruan 16 marrëveshje dhe memorandume mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare.

“Jam e kënaqur që mirëpres kryeministrin Edi Rama në Romë në një ditë që mund të quhet historike. Jo vetëm për faktin se qeveritë tona takohen në format të këtij lloji, por për sasinë dhe cilësinë e marrëveshjeve dypalëshe. Ne e dimë që marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë i kanë rrënjët thellë. Shkojnë përtej interesave, kemi qenë të mallëngjyer nga kalimi i asamblesë sonë plenare me të paktën 20 ministra që morën fjalën duke folur në mënyrë ekskluzive italisht, pa pasur përkthim.

Mendoni sesi Italia ka qenë dhe është pikë referimi për Shqipërinë. Duam që marrëdhënien ta shndërrojmë në thesar. Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë, do t’i vendosim marrëdhëniet tona në një plan më të thellë. Kemi lënë një tjetër takim për krijimin e një forumi ku do përfaqësohen ndërmarrje. Kemi përcaktuar drejtimet ku do vijojë bashkëpunimi ynë duke u përqendruar te korridori i 8-të,” – u shpreh Meloni.



Burimi Shekulli.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat