Apeli i GJKKO do të shqyrtojë sot kërkesën e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë.
Seanca u shty për sot, në 09:00, për shkak të kërkesës së avokatit të Metës për përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani me argumentin se muajin e kaluar kishte gjykuar çështjen për revokimin e masës, e cila vendosi mospranimin. Avokati Kujtim Cakrani tha se gjyqtarja nuk mund të gjykojë të njëjtin person për dy kërkesa të ndryshme.
Kreu i PL i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për masën e sigurisë. Meta pretendon se vendimet e 3 shkallëve të gjyqësorit që e kanë lënë në qeli, janë antikushtetuese, pasi shkelin Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se po mbahet në qeli pa akuzë.
Më 11 nëntor u mbajt në GJKKO edhe seanca e radhës paraprake por sërish u shty. Shkak u bë kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Avokati i Metës tha se do të kërkojnë që dosja të kthehet për hetim pasi sipas tij, SPAK ka shkelur procedurën duke paraqitur prova të reja ndërkohë që ka mbyllur hetimet.
Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë.



