Turizmi global, megjithëse një nga sektorët më të mëdhenj të ekonomisë botërore, mbetet shumë i ndjeshëm ndaj zhvillimeve gjeopolitike. Konfliktet rajonale, kufizimet në hapësirën ajrore dhe rritja e kostove të energjisë mund të ndikojnë shpejt në mënyrën se si njerëzit udhëtojnë dhe në destinacionet që zgjedhin.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka shkaktuar në shumë shtete pasiguri për sektorin e turizmit edhe në vend, por në vend deri tani sipas operatorëve turistikë, nuk ka pasur anulime masive për Shqipërinë.
Vojsava Bardhi, drejtuese e operatorit “Sava Tour”, shpjegon se prenotimet për Turqinë po ecin normalisht dhe nuk ka pasur asnjë anulim. “Rezervime të reja ka plot, sidomos për ofertat e hershme (early booking), kështu që për Turqinë nuk kemi asnjë problem. Për momentin nuk shoh panik. Ndërsa për destinacionet që kalojnë nëpër Dubai (p.sh. Maldivet, Seychelles) ka pasur nevojë për rishikim”, tha znj. Bardhi.
Ndërkohë, Xhimi Lama, kryetar i operatorëve turistikë, thekson se konflikti ka ngadalësuar rezervimet e reja, por destinacionet europiane që konsiderohen të sigurta vazhdojnë të kenë kërkesë.
“Për momentin destinacionet europiane që konsiderohen të sigurta vazhdojnë të kenë kërkesë, dhe kjo mund të jetë një mundësi e mirë për vende si Shqipëria.
Deri në këtë moment nuk kemi një valë të madhe anulimesh për Shqipërinë, por vihet re një ngadalësim i rezervimeve të reja dhe një tendencë për shtyrje vendimesh, pasi turistët po presin të shohin si do të zhvillohet situata ndërkombëtare”, tha z. Lama.
Për ardhjen e turistëve nga Izraeli në Shqipëri, ai shtoi se, megjithëse nuk ka pasur konfirmime për anulime masive, për muajin mars ekziston një rrezik i mundshëm i anulimeve, pasi turistët nga Izraeli mund të presin stabilizimin e situatës përpara se të marrin vendime përfundimtare.
“Shumë turistë izraelitë po presin stabilizimin e situatës ndërkombëtare përpara se të marrin vendime përfundimtare për udhëtimet e tyre. Shqipëria mbetet një destinacion i preferuar dhe operatorët shpresojnë që rezervimet të rikthehen në ritmin normal sapo situata të qetësohet.
Megjithatë, për sa i përket tregut izraelit, edhe pse deri tani nuk ka konfirmime për anulime masive, ekziston shqetësimi se për muajin mars rezervimet mund të anulohen tërësisht nëse pasiguria vazhdon”, pohoi ai.
Kriza në Lindjen e Mesme mund të tronditë turizmin global, paralajmërojnë mediat ndërkombëtare
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po fillon të reflektohet edhe në industrinë globale të udhëtimeve, ndërsa analistët dhe mediat ndërkombëtare paralajmërojnë se tensionet gjeopolitike mund të ndikojnë drejtpërdrejt në flukset turistike, në çmimet e biletave ajrore dhe në vendimet e udhëtarëve për destinacionet e tyre.
Sipas raportimeve të mediave europiane dhe agjencive të aviacionit, një nga efektet e para të konfliktit është ndërprerja e fluturimeve dhe riorganizimi i rrugëve ajrore mbi Lindjen e Mesme.
Mijëra fluturime janë anuluar ose devijuar, ndërsa disa nga aeroportet më të rëndësishme të rajonit janë mbyllur përkohësisht për shkak të situatës së sigurisë. Analiza e kompanisë së të dhënave të aviacionit Cirium, e cituar nga media ndërkombëtare, tregon se dhjetëra mijëra pasagjerë janë prekur nga anulimet dhe devijimet e fluturimeve.
Mediat ekonomike theksojnë se kriza po ndikon edhe në koston e udhëtimeve. Mbyllja e hapësirës ajrore në disa zona të Lindjes së Mesme detyron kompanitë ajrore të përdorin itinerare alternative, më të gjata dhe më të kushtueshme për shkak të konsumit më të lartë të karburantit. Kjo pritet të reflektohet në rritjen e çmimeve të biletave, sidomos për fluturimet ndërkontinentale mes Europës, Azisë dhe Australisë.
Përveç ndikimit në transportin ajror, krizat gjeopolitike zakonisht ndikojnë edhe në vendimet e turistëve. Media ndërkombëtare vëren se pasiguritë dhe tensionet rajonale shpesh i bëjnë udhëtarët më të kujdesshëm në zgjedhjen e destinacioneve, duke shtyrë ose anuluar rezervimet, veçanërisht për udhëtimet në distanca të gjata.
Industria e turizmit është ndër sektorët më të ndjeshëm ndaj krizave ndërkombëtare, pasi reagimi i konsumatorëve është shpesh i menjëhershëm.
Analistët paralajmërojnë gjithashtu se rritja e çmimeve të energjisë mund të ndikojë në mënyrë të tërthortë në turizëm. Nëse tensionet në Lindjen e Mesme shtyjnë lart çmimet e naftës, kjo do të rrisë kostot e transportit ajror dhe të operimit për kompanitë turistike, duke e bërë udhëtimin më të shtrenjtë për konsumatorët.
Për Shqipërinë ndryshimi i sjelljes mund të jetë dhe pozitiv
Megjithatë, disa ekspertë theksojnë se ndikimi nuk do të jetë i njëjtë për të gjitha destinacionet. Në raste të tilla, turistët shpesh zhvendosin preferencat drejt vendeve që perceptohen si më të sigurta ose më afër tregjeve të tyre kryesore.
Kjo mund të favorizojë destinacione në Europë apo në rajone që konsiderohen të qëndrueshme nga pikëpamja e sigurisë.
Në këtë këndvështrim, Shqipëria mund të dalë edhe fituese, pasi turistët e Europës mund të tentojnë të udhëtojnë në destinacione të shkurtra, apo ata vendas të anulojnë prenotimet që kanë bërë në vendet e largëta, apo dhe Turqi dhe të udhëtojnë në Jug, Durrës, Shëngjin, Velipojë.
Lexoni edhe:
Sa po i kushton Shqipërisë lufta në Lindjen e Mesme
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



