Reformat e fundit kanë krijuar shpesh një zhvendosje gjuhësore, jo mendore. Në dokumente flitet për “kompetenca”, “të menduar kritik”, “të nxënët gjatë gjithë jetës”, por në klasa praktika mbetet e pandryshuar. Kurrikulat shpesh janë të mbingarkuara, të përkthyera dobët, të paqarta konceptualisht. Tekstet mësimore shërbejnë si burime informacioni, jo si mjete pune që nxisin pyetje e hulumtim. Vlerësimi vazhdon të matë riprodhimin, jo të menduarin. Zhvillimi profesional i mësuesve është formal dhe i shkëputur nga praktika reale e klasës.
Prof. Bardhyl Musai
Flasim shpesh për arsimin: hartojmë strategji, miratojmë dokumente, ndryshojmë terminologji dhe shpallim reforma. Megjithatë, ndjesia që mbetet është se thelbësorja nuk po ndryshon – mënyra se si nxënësi mëson dhe mënyra se si shkolla kupton dhe kultivon të nxënët.
Dëshmitë nga praktika e përditshme në klasa, nga vlerësimet kombëtare dhe nga studimet ndërkombëtare tregojnë një hendek të vazhdueshëm midis qëllimeve të politikave arsimore dhe përvojës reale të nxënësve, të cilët nuk kanë aftësinë e nevojshme për të zbatuar njohuritë, për të arsyetuar në mënyrë të pavarur, për të analizuar informacionin dhe për të shprehur ide të strukturuara.
Shkollat nuk ekzistojnë vetëm për të transmetuar përmbajtje. Në një shoqëri që përballet me ndryshime të shpejta, aftësia për të menduar në mënyrë kritike e të pavarur është po aq e rëndësishme sa njohuritë faktike. Ata janë në gjendje të japin përgjigje, por hasin vështirësi kur u kërkohet të shpjegojnë arsyetimin, të integrojnë dhe të zbatojnë dijet në situata të reja.
MANIFEST, JO STRATEGJI
Arsimi shqiptar ka përjetuar një sërë ndryshimesh a reformash – shpesh të nxituara, të paqarta dhe pa koherencë. Shumë prej tyre kanë krijuar iluzionin e ndryshimit, ndërkohë realiteti i përditshëm i klasës ka mbetur pothuajse i pandryshuar.
Arsimi nuk vuan nga mungesa e reformave, por nga mungesa e mendimit që u jep atyre kuptim dhe drejtim. Problemi nuk është fragmentar, por sistemik. Ne duhet të çmontojmë paradigmën e gabuar pedagogjike sipas së cilës shkolla vazhdon të funksionojë mbi modelin tradicional ku të nxënët është thjesht grumbullim informacioni. Arsimi i sotëm kërkon që të nxënit të ndërtohet mbi të kuptuarin, arsyetimin dhe transferimin e dijeve.
Pasojë e kësaj paradigme të vjetruar janë nxënës që “dinë”, por nuk mendojnë; që riprodhojnë, por nuk zgjidhin probleme; që marrin përgjigje, por nuk kuptojnë pyetjen. Kjo shpjegon edhe pse dështojnë në testime që matin krijimtarinë dhe arsyetimin logjik.
Politikat strategjike janë dokumente pa kujtesë dhe pa llogaridhënie. Mbizotëron cikli i hartimit të strategjive të njëpasnjëshme, zakonisht çdo katër vjet – në përputhje me mandatet politike – të cilat mbeten dokumente që rrallë zbresin në terren.
Strategjitë janë të gjata, të stërngarkuara me frazeologji teknike dhe me pak interes publik. Ato nuk mbështeten në vlerësime të sinqerta mbi zbatimin e strategjive paraardhëse. Strategjive u mungon bilanci i arritjeve dhe dështimeve dhe si të tilla mbeten dokumente pa jetë.
Arsimit i nevojiten plane veprimi afatgjata, të kuptueshme dhe të zbatueshme, përtej kufijve politikë dhe elektoralë. Reformat e vërteta nuk maten me numrin e dokumenteve, por me thellësinë e ndryshimit që ndodh në klasë, në mënyrën si mësojnë nxënësit dhe si mendojnë mësuesit.
SITUATA AKTUALE: KU NDODHET ARSIMI SHQIPTAR SOT
Çdo analizë serioze për arsimin nis nga njohja e arritjeve. Në këto vite janë bërë disa përparime të prekshme: pjesëmarrja e rregullt e nxënësve tanë në vlerësime ndërkombëtare; Matura Shtetërore; përmirësime në infrastrukturën shkollore; laboratorët e informatikës në shkolla dhe pajisje digjitale në disa institucione arsimore etj..
Këto hapa janë pozitivë dhe duhen njohur. Ata janë të pamjaftueshëm për të përbërë një bazë të qëndrueshme për reforma të thella. Në shumë zona të vendit, veçanërisht në ato rurale, infrastruktura mbetet e dobët, kushtet për mësim janë minimale dhe hendeku midis shkollave është i dukshëm, pabarazitë janë të mëdha.
Përkundër këtyre përparimeve, të dhënat nga testimet ndërkombëtare dhe analizat kombëtare zbulojnë dobësi strukturore: vështirësi në zgjidhjen e problemeve të panjohura, të nxënë sipërfaqësor dhe afatshkurtër, mbizotërim të mësimdhënies nga mësuesi dhe aftësi të kufizuara të nxënësve për të argumentuar me shkrim dhe me gojë. Këto janë simptoma të një sistemi që shpesh i jep përparësi realizimit të programit, e jo të kuptuarit e tij.
Në shoqërinë e sotme digjitale, shkolla nuk mund të konkurrojë me internetin në sasi informacioni. Roli i saj është tjetër: të ndihmojë nxënësin të kuptojë, të arsyetojë, të interpretojë dhe të zbatojë dijen në situata të reja – të kultivojë kulturën e të menduarit.
Informacioni si pikënisje, jo rezultat. Në praktikën shkollore shqiptare, informacioni trajtohet ende si synim përfundimtar. Nxënësi shpërblehet për sasinë e dijes që riprodhon, jo për mënyrën se si e kupton apo e përdor. Pyetjet kërkojnë përgjigje të sakta, jo shpjegim. Gabimi shihet si dështim, jo si pjesë e të nxënit.
Në klasa ka pak hapësirë për mendim të pavarur, për reflektim apo për pyetje krijuese. Kjo nuk vjen nga mungesa e përkushtimit të mësuesve, por nga një kulturë e mësimdhënies së trashëguar, që e sheh nxënien si riprodhim të kontrolluar të dijes, jo si proces ndërtimi aktiv.
Iluzioni i reformës. Reformat e fundit kanë krijuar shpesh një zhvendosje gjuhësore, jo mendore. Në dokumente flitet për “kompetenca”, “të menduar kritik”, “të nxënët gjatë gjithë jetës”, por në klasa praktika mbetet e pandryshuar. Kurrikulat shpesh janë të mbingarkuara, të përkthyera dobët, të paqarta konceptualisht. Tekstet mësimore shërbejnë si burime informacioni, jo si mjete pune që nxisin pyetje e hulumtim. Vlerësimi vazhdon të matë riprodhimin, jo të menduarin. Zhvillimi profesional i mësuesve është formal dhe i shkëputur nga praktika reale e klasës. Reformat tona kanë ndryshuar fjalorin, por jo mënyrën e të menduarit në shkollë.
TË MENDUARIT – SYNIMI QENDROR I SHKOLLËS
Kultura e të menduarit nënkupton aftësinë e nxënësit për të kuptuar, për të analizuar, për të lidhur, për të argumentuar dhe për të transferuar dijen në situata të reja.
Ajo nuk është metodë e veçantë mësimdhënieje, por mënyrë të kuptuari të mësimit në tërësi – kulturë e klasës ku pyetja ka të njëjtën vlerë si përgjigjja, ku procesi ka të njëjtën peshë si rezultati, dhe ku gabimi shihet si pjesë e domosdoshme e të nxënit. Kultura e të menduarit kërkon që dijet të jenë të qarta dhe të kuptueshme, në mënyrë që nxënësi të ndërtojë shprehi analitike, interpretuese dhe krijuese.
Në epokën e teknologjisë dhe të informacionit, të menduarit është aftësia që i jep kuptim dijes. Aftësia për të menduar nuk nënkupton vetëm saktësi logjike, por edhe prirje për reflektim, ndershmëri intelektuale, kuriozitet dhe angazhim ndaj së vërtetës. Nëse duam një sistem arsimor që i përgatit nxënësit për botën reale, duhet të kuptojmë se një kulturë e të menduarit është vetë themeli i arsimit cilësor.
ANGAZHIME TË MUNDSHME PËR KULTURËN E TË MENDUARIT
Sistemi arsimor shqiptar e ka të domosdoshme ndryshimin e paradigmës së të nxënit. Arsimi duhet të mbështetet mbi një parim themelor: Informacioni është pikënisje – ndërtimi, krijimi dhe përdorimi i dijes është qëllimi. Ky transformim kombëtar kërkon veprim në pesë shtylla kryesore me karakter strukturor dhe transformues.
- Kurrikulë për zhvillimin e të menduarit, e cila të jetë e qartë, e thjeshtëzuar dhe e kuptueshme, me fokus te thellësia, jo te sasia. të reduktojë mbingarkesën e informacionit; të përqendrohet te konceptet thelbësore dhe zbatimi i tyre; të vendosë theksin te kompetencat e të menduarit kritik, krijues dhe praktik.
- Teksti si mjet pune, jo burim informacioni, të nxjerrë nxënësin nga pasiviteti dhe të shërbejë si mjet pune që nxit pyetje, diskutim dhe mendim të hapur dhe të përmbajë: situata nga jeta reale; pyetje zhbiruese, krahasuese e reflektuese; ushtrime që kërkojnë arsyetim, jo vetëm përgjigje. Libri shkollor të bëhet instrument i të kuptuarit, jo enciklopedi e vogël.
- Mësuesi si arkitekt i të menduarit është zemra e reformës. Ai e jetëson kurrikulën dhe i jep jetë mësimit. Roli i tij ndërtohet në dy faza: në fakultetet e edukimit dhe zhvillimin profesional gjatë karrierës. Programet të bazohen në doktrinën bashkëkohore të të nxënit mbi të kuptuarit dhe të arsyetuarit, trajnimet të jenë të qëndrueshme, të lidhura me realitetin e klasës.
- Vlerësimi në funksion të të menduarit, të shpërblejë procesin, jo vetëm rezultatin. Ai të matë dhe të gjykojë aftësinë për të përdorur dije, për të argumentuar, për të shpjeguar dhe për të krijuar qasje të reja ndaj problemeve.
- Llogaridhënie dhe kujtesë institucionale. Arsimi ka nevojë për kulturë të re llogaridhënieje dhe kujtese institucionale. Vetëm përmes transparencës, reflektimit dhe vazhdimësisë mund të ndërtohet një sistem që evoluon dhe përmirësohet me integritet.
Realizimi i reformimit të përmbajtjes kërkon detyrimisht si parakusht buxhet më të lartë, përmirësime në infrastrukturë, pajisje didaktike përfshirë edhe ato digjitale dhe kohë më të madhe të qëndrimit të nxënësve në shkollë ku t’u sigurohet një vakt ushqim i shëndetshëm.
PËRGJEGJËSIA ËSHTË E PËRBASHKËT
Nxënësi dhe mësuesi nuk mund të mbajnë mbi vete peshën e dështimeve sistemike. Përgjegjësia për gjendjen e arsimit, për përmirësimin dhe zhvillimin e tij është kolektive dhe e shpërndarë midis të gjithë aktorëve:
- Politikëbërja – për krijimin e një vizioni të qëndrueshëm, të bazuar në të dhëna dhe jo në cikle elektorale.
- Institucionet arsimore, në qendër dhe në terren – për zbatimin me përgjegjësi e transparencë të politikave.
- Hartuesit e kurrikulave – për ndërtimin e programeve të qarta, të zbatueshme dhe të lidhura me praktikën reale të klasës.
- Botuesit – për prodhimin e teksteve cilësore që nxisin të menduarin dhe jo riprodhimin.
- Universitetet dhe fakultetet e edukimit – për formimin e mësuesve të ardhshëm mbi bazën e hulumtimit shkencor dhe praktikës bashkëkohore.
Mësuesi shqiptar ka mbajtur mbi supe për dekada barrën më të rëndë të sistemit. Ai përballet me dokumente të shumta, programe të ndryshueshme, teste të pafundme dhe pritshmëri shpesh kontradiktore. Ndryshimi fillon nga klasa, por nuk mund t’i kërkohet vetëm mësuesit ta mbajë i vetëm reformën mbi supe.
MËSIME NGA PËRVOJA NDËRKOMBËTARE
Përvoja ndërkombëtare tregon qartë se cilësia e arsimit nuk varet nga numri i reformave, por nga koherenca dhe qëndrueshmëria e tyre. Sistemet që kanë arritur rezultate të larta dhe të qëndrueshme – si Finlanda, Estonia, Kanadaja apo Singapori – nuk janë domosdoshmërisht ato me kurrikulat më të ngarkuara, por ato që u mësojnë nxënësve si të përdorin dijen.
Këto sisteme nuk kanë mbërritur në këtë nivel përmes kopjimit të modeleve të huaja, por përmes përshtatjes së parimeve të qëndrueshme në kontekstin e tyre kombëtar.
Manifesti nuk synon të mbyllë debatin për arsimin, por ta hapë atë. Nuk ka reformë pa mendim, nuk ka mendim pa përgjegjësi, dhe përgjegjësia është e përbashkët.
Mësimet
Përvoja ndërkombëtare tregon qartë se cilësia e arsimit nuk varet nga numri i reformave, por nga koherenca dhe qëndrueshmëria e tyre. Sistemet që kanë arritur rezultate të larta dhe të qëndrueshme – si Finlanda, Estonia, Kanadaja apo Singapori – nuk janë domosdoshmërisht ato me kurrikulat më të ngarkuara, por ato që u mësojnë nxënësve si të përdorin dijen. Këto sisteme nuk kanë mbërritur në këtë nivel përmes kopjimit të modeleve të huaja, por përmes përshtatjes së parimeve të qëndrueshme në kontekstin e tyre kombëtar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



