Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama se nuk lejon punonjësit që të kryejnë auditimin. Ky reagim vjen pas deklaratës së dhënë nga kreu i KLSH gjatë raportimit në komision, i cili tha se: “Jam në dijeni të rasteve kur punonjësit janë shprehur se kanë frikë të auditojnë punën e kryeministrit”.
Teksa iu referua edhe raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për çështjen e medikamenteve të Onkologjikut për të sëmurët me kancer dhe shkeljet e shumta, Berisha e ka cilësuar si një krim ndaj njerëzimit.
Ai përmendi edhe mosprezencën e ministrave në Kuvend, veçanërisht të ministres së Shëndetësisë.
“Unë vlerësoj punën që ju keni bërë me abuzimet e tmerrshme me ilaçet e të sëmurëve. Iku zonja, ia mbathi, bëri një zotim por iku, unë do e përgëzoja nëse do e mbante premtimin. Është krim të mos u japësh ilaçe të sëmurëve me kancer. Përben krim kundër njerëzimit sipas konventat ndërkombëtare, shkoni pyesni të sëmurët. Nuk jep asnjë përgjigje, nuk jep asnjë garanci, se ia mbath, ia mbath (flet për ministren e Shëndetësisë)”, tha kryedemokrati.



