Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeNë tavolinën e SPAK dosja që fundos Sali Berishën për grushtin e...

Në tavolinën e SPAK dosja që fundos Sali Berishën për grushtin e shtetit në ’98, nga atentati ndaj ministrit të… – Sot News


Rigels Seliman

Pas më shumë se dy dekadash drejtësi të munguar, avokati Idajet Beqiri ka sjellë sërish në dritë një nga kapitujt më të errët të historisë politike shqiptare për ngjarjet e 14 shtatorit 1998, të cilat ai i përshkruan si një “kryengritje e armatosur për përmbysjen e rendit kushtetues”. Kallëzimi që tashmë ndodhet për herë të parë në duart e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), përmban një material voluminoz me dokumente, procesverbale, dëshmi, deklarata mediatike dhe referenca të hetimeve të kohës që rrezikojnë të tronditin pozitat e Sali Berishës dhe grupit të tij të strukturuar kriminal siç e quan Beqiri në atë kohë. Në qendër të këtij kallëzimi që disponon gazeta “SOT” qëndron pretendimi se ngjarjet e 14 shtatorit 1998 nuk ishin shpërthim spontan, por një veprim i organizuar me qëllim marrjen e dhunshme të pushtetit pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari.

Detajet

Për të kuptuar bazën e këtij kallëzimi, Beqiri i kthehet periudhës së paszgjedhjeve të 29 qershorit 1997, kur pas kolapsit të shtetit nga firmat piramidale dhe rënies së qeverisë së Sali Berishës, në pushtet erdhi e majta nën drejtimin e Fatos Nanos. Sipas dokumentit, Partia Demokratike refuzoi të njihte rezultatin dhe nisi një fushatë të vazhdueshme tensioni, bojkotesh dhe thirrjesh për “revolta popullore”. Beqiri thekson se gjatë gjithë vitit 1998 janë përgatitur strukturat organizative lokale të PD-së për të qenë gati në momentin që “do të jepet sinjali për marrjen e pushtetit”. Në kallëzim përmenden edhe procesverbale të mbledhjeve të PD-së në rrethe (Shkodër, Elbasan, Fier etj.) që, sipas Beqirit, përmbajnë udhëzime për “mobilizimin e militantëve dhe marrjen e armëve”.

Vrasja e Azem Hajdarit

Në mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, u vra deputeti Azem Hajdari. Kallëzimi e cilëson këtë moment si “pikën e shpërthimit të planit të përgatitur më parë”. Sipas Beqirit, vrasja u përdor politikisht nga drejtuesit e PD-së për të mobilizuar militantët. Ai sjell si provë deklaratat publike të Sali Berishës, që menjëherë pas ngjarjes kërkonte “hakmarrje” dhe “ngritje popullore”, si dhe praninë e personave të armatosur në selinë e PD-së. “Fabula e Partisë Demokratike dhe e liderit të saj, Sali Berisha, për ta paraqitur grushtin e shtetit si shpërthim spontan të zemërimit të militantëve të Partisë Demokratike ndaj vrasjes së deputetit Azem Hajdari ishte një farsë. Dy ditë para vrasjes së Azem Hajdarit, në datën 10 shtator 1998 Partia Demokratike i bënte thirrje të hapur militantëve të saj: “Ta rrëzojmë këtë qeveri me çdo mjet “. Po e nënvizoj: “me çdo mjet “. Pra, po u bënte thirrje paramilitarëve dhe militantëve të saj të mprihnin armët se kishte ardhur ora e sulmit kundër shtetit. Po pritej vetëm momenti i përshtatshëm për shpërthimin e grushtit të shtetit. Dhe ai erdhi me vrasjen e Azem Hajdarit, të cilin e nxori në pritë Sali Berisha. Faktet e kompletojnë kuadrin. Kryefakti janë deklarimet e vet Sali Berishës në emisionin “Opinion” në TV Klan, ku me zë, me figurë dhe botërisht deklaron sesi e çoi Azem Hajdarin para vrasësve të tij”, thuhet ndër të tjera në kallëzim. Në dokument përmenden edhe dëshmitë e ish-truprojës së Berishës, Izet Haxhia, i cili ka rrëfyer se ditët para dhe pas vrasjes në selinë e PD-së janë futur armë dhe është folur për “marrje të pushtetit me çdo kusht”. Këto dëshmi, sipas Beqirit, përbëjnë “prova kyçe që duhen verifikuar nga SPAK”. Gjithashtu në kallëzim thuhet se Sali Berisha në mitingun me 200 veta të PD në Tiranë në datën 9 shtator 1998, sikurse është e pasqyruar në shtypin e asaj kohe, tre ditë para vrasjes së Azem Hajdarit, deklaroi: “Dikush nga ne do të vdesë, por kjo do të jetë dita e fitores sonë”. Dhe për ta plotësuar këtë skenar makabër, në miting qarkullonte një arkivol bosh.

14 shtatori 1998

Në mëngjesin e 14 shtatorit 1998, mijëra persona të grumbulluar në ceremoninë mortore të Azem Hajdarit, u drejtuan drejt institucioneve të shtetit. Kallëzimi përshkruan me hollësi momentet e “marshimit të armatosur” drejt qendrës së Tiranës, pushtimin e Kryeministrisë, Parlamentit, Radiotelevizionit Shqiptar dhe Ministrisë së Rendit, përdorimin e armëve të rënda, granatave dhe mjeteve të blinduara. Sipas Beqirit, “në këtë ditë ndodhi një kryengritje e armatosur me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues, e drejtuar politikisht nga kryesia e Partisë Demokratike”.  Ai e mbështet këtë me raportet e shtypit të asaj kohe, deklaratat televizive të disa drejtuesve të PD-së, dhe procesverbalet e mbledhjeve të jashtëzakonshme të Kuvendit e Qeverisë, që e cilësuan ngjarjen si “grusht shteti”. “Rreth orës 11.30, grupi i pararojës së turmës, me arkivolin e trupit të Azem Hajdarit në duar, arrijnë para godinës së Këshillit të Ministrave. Djegin e shkatërrojnë makinat që ishin të parkuara para saj. Më pas sulmojnë portën e godinës, duke përdorur të gjithë arsenalin e armëve, nga breshëritë e kallashnikovëve, mitralozët, antitanket, granatat e dorës dhe shishet me lëndë djegëse. Në mënyrë makabre përdorin arkivolin me trupin e pajetë të Azem Hajdarit si “dash” për të hapur portën, siç përdoreshin në luftërat mesjetare për hapjen e portave të kështjellave. Hipokrizi e madhe. Arkivoli me trupin pajetë të Azem Hajdarit u braktis nga turma e militantëve para shkallëve të kryeministrisë, sapo u hap dera për t’u futur në godinën e saj. E kishte kryer misionin. Nuk iu duhej më. Ai u varros në varrezat e Sharrës nga punëtorët e komunales dhe vetëm nga njerëzit e familjes”, thuhet në kallëzimin penal.

Dëshmitari okular

Gjithashtu Idajet Beqiri i drejtohet SPAK se në këtë ngjarje ka qenë vetë dëshmitar okular. “Unë, kallëzuesi, si dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, Neritan Ceka, Gramos Ruçi, Namik Dokle, dhe disa prej punonjësve të shërbimit, ishim në zyrën e Kryetarit të Kuvendit. Situatën në derën e Kryeministrisë me arkivolin e Azem Hajdarit në duar të kryengritësve si dhe kryengritësit e armatosur që nuk i ndanin breshëritë e armëve, i shikonim nga dritaret e Zyrës së Skënder Gjinushit. Mesa duket kryengritësit n’a dalluan në dritare dhe prej platformës së derës hyrëse për në Këshillin e Ministrave dhe pasigodasin me antitank zyrën e kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi, lëshojnë më pas breshëritë e plumbave në drejtimin tonë që ishim në dritaret e zyrës. Xhamat e zyrës u thyen dhe zyra u mbushë më plumba. Ne u shtrim barkas dhe ashtu dolëm te korridori i Zyrës së zyrës së Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, të ruajtur me armë prej punonjësve të sigurisë.  Rreth orës 12.30 largohen nga ambientet e Kuvendit të Republikës Skënder Gjinushi etj. Mbeta unë dhe disa punonjës shërbimi te korridori i Zyrës së Skënder Gjinushit. Në këtë moment është shfaqur në korridor ish kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Mustafa Kërçuku. Ai më ka marrë dhe më ka futur tek ashensori i emergjencës që dilte nga hyrja mbrapa e Kuvendit të Shqipërisë dhe pasi dolëm në ambientin e jashtëm të Kuvendit, jemi ndarë. Në këtë moment turmat kryengritëse vërshuan mbi zyrat e Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në kallëzim

Tentativat për të eliminuar Nanon

“Megjithatë, një nga ditët më të zeza të historisë së popullit tonë do të mbyllej me dy episode tipike për një grusht shteti. Në orët e vona të mbrëmjes, ministrit të Rendit, Perikli Teta, teksa largohej nga dikasteri, i bëhet atentat, por që dështoi falë ndërhyrjes së shpejtë të eskortës së tij. Gjithashtu,sipas gazetës “KJ”, në orët e vona të natës të 14 shtatorit, u bë një tentativë për atentat edhe ndaj kryeministrit Nano, në momentin kur ai po kthehej në Tiranë, i shoqëruar nga eskorta e tij”, thuhet në kallëzim.

Emrat që përmenden në kallëzim si pjesë e organizimit

Në kallëzimin penal të dorëzuar në SPAK, avokati Beqiri përmend me emër personat që ai i konsideron si organizatorë ose drejtues politikë të ngjarjeve. Sipas dokumentit, ata janë: Sali Berisha, në cilësinë e ish-Presidentit dhe kryetarit të Partisë Demokratike në atë kohë; Genc Pollo, ish-deputet dhe anëtar i kryesisë së PD-së; Ritvan Bode, ish-ministër dhe drejtues ekzekutiv i strukturave organizative; Shaban Memia, Pal Dajçi, Frrok Gjini, Dem Dollapi, Alfons Zeneli, Artur Bejzade dhe disa të tjerë të listuar në dokument. Beqiri thekson se këta persona “kanë pasur rol koordinues në strukturat e PD-së në terren”, ndërsa në Tiranë janë parë duke drejtuar grupe të armatosura dhe militantë që hynin në godinat shtetërore. Në kallëzim përmenden gjithashtu si dëshmitarë të rëndësishëm: Izet Haxhia, si ish-truproje e Sali Berishës, që ka rrëfyer publikisht përgatitjen e armatosur; Zenel Nezaj, roja i plagosur i Azem Hajdarit, i cili sipas Beqirit ka pasur një incizim me informacione të vlefshme që nuk është dorëzuar në prokurori; dhe zyrtarë të asaj kohe si Skënder Gjinushi, Gramos Ruçi, Namik Dokle dhe Neritan Ceka, të cilët ishin në ambientet e Parlamentit kur u qëllua me armë drejt tyre.

Provat që shoqërojnë kallëzimin penal

Në dosjen që Beqiri ka depozituar në SPAK, sipas përmbajtjes së dokumentit, përfshihen: Procesverbale të PD-së në disa rrethe, ku përshkruhen takime dhe udhëzime për mobilizim; Deklarata publike të drejtuesve të lartë të PD-së para dhe pas 14 shtatorit; Artikuj të shtypit të asaj kohe, që pasqyrojnë thirrje për “revoltë” dhe nxitje ndaj qeverisë; Dëshmitë e Izet Haxhias dhe materialet e tij të botuara më pas; Vendime dhe akte të Kuvendit e Qeverisë së asaj kohe, ku ngjarjet u cilësuan “tentativë për grusht shteti”; Kopje të fletëve të arrestimit dhe aktakuzës së prokurorisë së 1998-s, që më pas u pezulluan; Dhe materiale që, sipas Beqirit, “dëshmojnë ndërhyrjen politike për të mbyllur hetimet”. Beqiri kërkon që SPAK t’i verifikojë të gjitha këto prova, të marrë në pyetje personat e përmendur dhe të rihapë hetimin për ngjarjet e 14 shtatorit si çështje të krimit të organizuar kundër rendit kushtetues.

Pse Beqiri i drejtohet SPAK-ut pas 27 vitesh

Në kallëzim, avokati argumenton se në vitet 1998–2000 hetimet u ndalën për arsye politike, disa prova nuk u morën në konsideratë dhe asnjë nga drejtuesit kryesorë të PD-së nuk u dërgua për gjykim. “Tani që ekziston SPAK, si organ i pavarur që heton krimet e rënda dhe korrupsionin në nivelet e larta, është koha që ky krim të mos mbetet i pandëshkuar”, thuhet në kallëzim. Ai thekson se “ngjarjet e 14 shtatorit 1998 përbëjnë një sulm kundër rendit kushtetues dhe se organizatorët duhet të japin llogari si çdo qytetar tjetër para drejtësisë”.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat