Që dje Ardon Jashari u bë pjesë e historisë, si shqiptari i parë që luan për ekipin legjendar të Milanit. E kisha ëndërr që një shqiptar të bëhet pjesë e historisë së Milanit. Ekipi i dytë pas mbretëreshës Real Madrid që ka fituar më shumë trofe të Champions League, me plot 5 kurora.
Lidhje ime me Milanin nis që në adoleshencën time në vitet 80-të, atëherë kur ekipit legjendar ju bashkua treshja e famshme Rejkard-Gulit-Van Basten ku së bashku me Barezin, Maldinin,Donadonin e Ançelotin e të tjerë do të formonin ekipin e pathyeshëm për dy dekada. Një ekip që triumfoi në të gjitha kompeticionet duke dominuar falë filozofisë së Presidentit të ndjerë Silvio Berluskoni ku sebashku me trajnerët Saki e Kapello bënë një revolucion në futbollin botëror të klubeve duke e bërë atë më të shpejtin në historinë saj. Një skuadër që të mban gjithnjë nën presion
Lidhja tjetër e imja me Milanin ishte ajo profesionale që nisi si student-gazetar ku më vonë do të bëhësha një reporter milanist për Ballkanin për ndjeshjet e saj në kupat e Europës. Madje ajo nis që në Nëntorin e largët të 1999 me ndeshjen e fazës se parë në grupe për Champions League ku Milani luan në transfertë ndaj turqve të Gallatasarajit , ku megjithëse humbën 3 me 2, ai takim mbetet më i veçanti në karrierën time. Kjo ndeshje ka një histori të bukur sepse do ta ndiqja së bashku me të ndjerin tim atë. Edhe babai im e adhuronte shumë Milanin sepse duke qenë një fans i brazilianëve të Pelesë gjithmonë thoshte se futbollistët milanist ishin të vetmit që i përshtateshin futbollit të sampas me një teknikë të veçantë dhe të shpejtë dhe me pasime të sakta. Pra që të dy ne mezi prisnin të shikonim Milanin e madh nga afër në stadiumin e Gallatasarait që mbante emrin e të birit të Sami Frashërit, themeluesit të saj Ali Sami Jen. Ishim nisur që nga Athina me makinë për të përshkruar mijëra kilometra ku në çdo vend që ndalonim im atë mbante shënime. Gjithë jetën e tij nuk shkonte gjëkundi pa mbajtur shënime për të përshkruar të gjitha detajet dhe mbresat e tij. Blloqet me shënime ishin pjesë e jetës së tij, ndoshta po të jetonte gjatë një ditë donte ti hidhte në një libër autobiografik. Atë bënte edhe kur shkuam në Turqi ku në çdo ndalesë mbante shënim duke detajuar çdo levizje bashkë me objektet e qytetit i cili njihet për historinë e rrallë të saj. Pra im atë me një rrugë bënte disa punë, por më kryesoren kishte takimin me historinë, ëndrra për të parë nga afër Milanin e madh të Silvio Berluskonit dhe Shevçenkon e sapo ardhur. Ishte 2 nëntor, ditë e martë dhe koha ishte shume e bukur me diell. Nga udhëtimi i gjatë dhe i rraskapitur mbi timon Stambollin e gjetëm në errësirë, ndërkohë që humba konferencën e shtypit të dy trajnerëve Terim e Zakeroni. Gjithësesi ne u nisëm drejt hotelit në Taksim, atje ku akomudohej ekipi i Milanit. Më përpara u takuam me Marinin, studentin nga Tirana që studionte në Stamboll, i cili do të bënte edhe përkthyesin tonë gjatë atyre ditëve. Sapo hymë brenda, në hollin e hotelit u takuam me drejtuesit e shtypit të Milanit ku më prisnin të merrja edhe bagjon e gazetarit për të ndjekur ndeshjen në stadium. Pasi ju prezantova babain dhe Marinin, ata më pyetën se nëse im atë jetonte në Stamboll. U thashë se im atë jeton në Shqipëri dhe ka bërë mbi 2 mijë kilometra nga Tirana vetëm për të parë ëndërrën e tij, ekipin e Milanit. E kujtoj që tani sesa u suprizuan të gjithë stafi nga kjo sakrificë e tim eti duke ditur se klubi i Milanit me ambasadën italiane kishin kohë që lëshonin njoftime për të gjithë fansat e Milanit për të patur kujdes kur të udhëtonin drejt Turqisë, për arsye të sigurisë nga incidenti diplomatik i krijuar ndërmjet dy vendeve, në mos ekstradimin e liderit kurd Oçallan në Turqi. Prandaj pala turke nuk u garantonte sigurinë e tifozëve italianë të Milanit duke ditur se një vit më parë ndaj juventinëve në Stamboll krijoi shume incidente. Për italianët e Milanit ishte diçka e trishtueshme mos prania e tifozëve të tyre për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës sepse i duhej medeomos fitorja për tu kualifikuar në turin tjetër. Kjo ishte edhe arsyeja që stafi falënderoi tim atë për këtë gjest sakrifikues, për ta parë Milanin nga afër , duke i ofruar që të nesërmen ta shikonte ndeshjen së bashku me stafin tek tribuna qendrore ku vendet ishin rezervuar vetëm për drejtuesit e Milanit si dhe për diplomatët italianë në Turqi. Babai nuk e besonte këtë sjellje të jashtëzakonshme që i ofroi stafi i klubit legjendar ku vetëm një biletë për vendet e rezevuara të milanistëve kushtonte mbi 200 marka. Por ato bileta përsëri nuk dhanë për arsye të sigurisë ku turqit nuk garantonin asgjë.



