Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk duhet të shkojë para drejtësisë me petkun e pushtetit, por të largohet nga detyra, pasi nëse jo përgjegjësi penale si e pandehur që është marrë aktualisht nga SPAK, ka edhe përgjegjësinë morale.
Kështu u shpreh analisti Agim Baçi në një studio televizive, ku komentoi zhvillimet e fundit politike në vend dhe ato të drejtësisë.
Madje ai kritikoi ministren e Energjetikës dhe Infrastrukturës edhe për mungesën e saj në Komisione për të shpjeguar buxhetin vjetor të institucionit, duke dërguar zëvendësit e saj.
“Zv/kryeministrja Belinda Balluku duhet të ishte larguar, është marrë e pandehur dhe nuk mund të qëndrojë në detyrë. Të mos shkojë para drejtësisë me petkun e pushtetit. Zonja Balluku duhet të kishte shkuar sot në Komision, të përballej për buxhetin atje. Nuk e bën raportimin askund dhe gjen një justifikim, atëherë ku do jepet llogaria?”, tha gazetari.
Ai komentoi edhe situatën politike dhe të ekzekutivit, duke shpjeguar se moralisht qeveria ka rënë pas këtyre skandaleve korruptive dhe marrjes të pandehur të zv/kryeministres, e cila është e dyta në këtë rang që merret nën akuzë për abuzime financiare, pas Arben Ahmetajt.
“Qeveria moralisht ka rënë. Edi Rama nuk mund të heshtë, ai është i rënë moralisht, sepse kur ka akuzë konkrete ka edhe përgjegjësi morale. Sa ministra dhe zv/kryeministra do ketë që të ndodhë diçka. Kryeministri ose është bashkëpunëtor, ose i paaftë. Flasim për përgjegjësi morale dhe politike për rastin e kryeministrit. Nuk mund të vazhdosh të justifikohesh. Dy zv/kryeministra nën akuzë, Rama ka përgjegjësi politike”, tha Baçi mes të tjerash.
Në fund analisti theksoi se opozita duhet të intensifikojë aksionin e saj politik, edhe pse theksoi se tashmë moralisht qeverisja është e rënë.



