E ngarkuara me punë e SHBA-së, Nancy Vanhorn ka shkuar paraditen e së premtes në kryeministri.
Diplomatja amerikane ka qëndruar në godinën qeveritare përreth 20 minuta.Vizita e saj vjen gjithashtu në një kohë kur Rama pritet që të shpallë kabinetin e ri qeveritar.
Kryeministri Edi Rama pritet që më 11 shtator në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të publikojë emrat e kabinetit të ri qeveritar, duke i dhënë fund dilemave mbi përbërjen e skuadrës së mandatit të katërt.
Gjatë kësaj jave, kreu i qeverisë ka zhvilluar një sërë takimesh me ministrat aktualë, në kuadër të ristrukturimit që pritet të ndodhë.
Nga ana tjetër, edhe kalendari parlamentar është në pritje. Presidenti Bajram Begaj do të duhet të dekretojë datën e seancës së parë të parlamentit të ri, i cili sipas Kushtetutës duhet të mblidhet brenda 10 ditëve nga dita e parë e mundshme. Kjo nënkupton se 10 shtatori është data më e hershme për konstituimin e parlamentit, ndërsa afati i fundit është 20 shtatori.
Ju rikujtojmë se në fillim të muajit gusht, personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara u takua me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit.
Sipas ambasadës, takimi u bë për të kuptuar shqetësimet e komuniteteve të tyre dhe përparësitë në prag të fillimit të mandatit. “Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, tha ambasada.



