Aktivistja e njohur Dorina Mema ka reaguar me tone të forta emocionale dhe pa doreza në një studio televizive, pas miratimit në Kuvend të projektligjit për barazinë gjinore, një nga nismat më të debatueshme të javëve të fundit në politikën shqiptare.
Kuvendi miratoi ligjin me 77 vota pro, 36 kundër dhe 2 abstenime, çka ka nxitur një valë reagimesh nga përfaqësues të shoqërisë civile, organizata feministe dhe aktivistë për të drejtat e njeriut.
Por ndër zërat më të ashpër ka qenë pikërisht Mema, e cila gjatë debatit televiziv nuk i kurseu kritikat ndaj klasës politike dhe mënyrës se si po trajtohen çështjet e barazisë dhe lirisë sociale.
“Unë mendoj që sonte hipokritët e Shqipërisë janë analfabetët që kemi votuar dhe haram vota e çdo shqiptari për ata deputetë. Haram ajo rrogë që ata marrin nga taksat e këtyre shqiptarëve që unë mund të jem e para që do largohem që këtu nga kjo Shqipëri!” – deklaroi ajo .
Mema u shpreh se ndjehet e zhgënjyer dhe e lodhur nga politika shqiptare, të cilën e përshkroi si “politikë të shurdhët”, që sipas saj nuk përfaqëson më interesat e qytetarëve, por klientelizmin dhe interesat e ngushta të grupeve të caktuara.
Duke iu rikthyer me emocion rrënjëve të saj, ajo rrëfeu se dashurinë për vendin e ka ushqyer që e vogël, gjatë viteve kur punonte si cicerone në kalanë e Skënderbeut në Krujë, ku kishte mësuar anglishten dhe italishten me ndihmën e babait të shkrimtares Mimoza Ahmeti.
“Unë rrija në këtë Shqipëri se e dua vendin tim. Jam rritur në kalanë e Skënderbeut. Kam punuar 10 vjet cicerone, si dija anglisht e italisht, ma mësoi babai i Mimoza Ahmetit në Krujë. Isha nxënëse dhjeta dhe ashtu më është rrënjosur në gjak dashuria për vendin tim, trimëria, patriotizmi,” – tregoi ajo.
Aktivistja akuzoi klasën politike për hipokrizi dhe mungesë të vlerave morale, duke thënë se shumë nga deputetët që votojnë ligje “në emër të popullit” janë të shkëputur nga realiteti dhe nuk kuptojnë më çfarë përfaqësojnë.
“Haram vota që i është dhënë këtyre analfabetëve të cilët janë të gjithë kundër, janë të gjithë hipokritë, janë të gjithë homofobë. Po t’i pyesësh tamam, unë e ti ndoshta jemi më të dashura me një trans, më të kuptuara me një homoseksual, ku mundohem gjithmonë të gjej fjalët që mos t’i cenojmë, mos t’i lëndojmë si njerëz, ndërsa këta maskarenj po mbajnë karriget duke shitur fëmijët e Shqipërisë për t’i bërë qejfin atyre që i kanë sponsorizuar për t’i sjellë në atë karrige,” – u shpreh ajo e revoltuar.



