Bashkëpunimi mes Sam Altman, CEO i OpenAI, dhe Jony Ive, ish-drejtorit legjendar të dizajnit në Apple, po nxit pritshmëri të mëdha në botën e teknologjisë. Sipas raportimeve nga një burim i njohur rrjedhjesh në zinxhirin e furnizimit, i quajtur Smart Pikachu, dyshja po përgatit një pajisje të re inteligjente me fokus te audioja dhe inteligjenca artificiale, e cila mund të rivalizojë drejtpërdrejt AirPods.
Pajisja, me emrin e koduar “Sweetpea”, përshkruhet si një produkt audio i veçantë që nuk vendoset brenda veshit, por pas tij. Ajo përbëhet nga dy elementë në formë kapsule, të cilat ruhen në një kuti vezake kur nuk përdoren. Edhe pse funksionet e sakta nuk janë ende të qarta, pritet që pajisja të shërbejë për dëgjim audio, telefonata dhe ndërveprim përmes komandave zanore.
Në qendër të Sweetpea besohet se do të jetë një asistent zanor i bazuar në ChatGPT. Sipas rrjedhjeve, pajisja do të përdorë një procesor 2 nanometra, të ngjashëm me çipet më të avancuara të smartfonëve, çka sugjeron performancë të lartë dhe mundësi për të funksionuar si një pajisje pothuajse e pavarur nga telefoni. Madje, përmendet edhe zhvillimi i një çipi të personalizuar që mund të zëvendësojë disa funksione të iPhone përmes komandave zanore.
Megjithatë, sfida mbetet e madhe. Kufjet wireless janë tashmë të përhapura, të lira për t’u prodhuar dhe ofrojnë veçori thelbësore si anulimi aktiv i zhurmës. Për të pasur sukses, Sëeetpea duhet të ofrojë diçka më shumë sesa thjesht një alternativë ndaj AirPods. Dështimi i pajisjeve si Humane Ai Pin tregon se zëvendësimi i telefonit me pajisje AI nuk është i lehtë.
Nëse rrjedhjet rezultojnë të sakta, Sweetpea mund të prezantohet që në shtator, duke shënuar hapin e parë të Altman dhe Ive drejt një gjenerate të re pajisjesh inteligjente, ku AI dhe dizajni premium synojnë të ndryshojnë mënyrën se si ndërveprojmë me teknologjinë.



