Banka Botërore publikoi raportin e fundit të ecurisë së projektit “Për Forcimin e Cilësisë së Auditimit dhe Raportimit (SQARP)”. Dokumenti vlerëson se ecuria e tij ka qenë e kënaqshme duke arritur një sërë rezultatesh të parashikuara në objektivin fillestar të tij.
Kështu sipas BB Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit (NAC) dhe Bordi i Mbikëqyrjes Publike (POB) janë pajisur me njohuritë dhe mjetet thelbësore për të përmbushur efektivisht përgjegjësitë e tyre.
Raporti vëren se NAC ka zhvilluar, miratuar dhe testuar me sukses një metodologji të bazuar në rrezik për monitorimin e pasqyrave financiare. Janë shqyrtuar gjithsej 14 pasqyra financiare, që është dyfish i objektivit minimal prej shtatë. Ky është një hap kyç në krijimin e një qasjeje të strukturuar dhe të qëndrueshme për rishikimin dhe mbikëqyrjen e raportimit financiar.
Ndërkohë Bordi ka kryer funksionet e tij të mandatuara përmes Komisioneve të tij dhe punës së inspektorëve.
“Ka raportim transparent në Raportet Vjetore që nga viti 2017. Gjatë vitit 2025 janë kryer gjithsej 88 inspektime, si për auditimet e Entiteteve me Interes Publik (PIE), ashtu edhe për ato jo-PIE. Në nëntor 2025, POB arriti statusin e vëzhguesit në mbledhjet plenare të Komitetit të Organizmave Evropianë të Mbikëqyrjes së Auditimit (CEAOB), një njohje e rëndësishme e statusit të tij si organ publik mbikëqyrës për profesionet e auditimit dhe kontabilitetit në vend” thuhet në raport.
I njëjti vlerëson se projekti ka përmirësuar kapacitetin e profesionit të kontabilitetit në Shqipëri, duke e pozicionuar atë për të konkurruar më mirë në nivel ndërkombëtar: kontabilistët profesionistë tani kualifikohen sipas praktikave të njohura ndërkombëtare, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve të përmirësuara të kontabilitetit globalisht. Janë ofruar programe trajnimi për eksportin e shërbimeve kontabël për 50 kontabilistë të certifikuar; programi i trajnimit IFRS është zhvilluar dhe pilotuar për një grup tjetër prej 50 kontabilistësh të certifikuar. Janë përgatitur materialet për kontabilitetin forensic, dhe një seancë pilot trajnimi është zhvilluar për 57 profesionistë. Programi i trajnimit për Agjencinë Shqiptare të Mbikëqyrjes Financiare (AFSA) u zhvillua, ku morën pjesë 12 punonjës të AFSA-s dhe 37 punonjës nga kompanitë e sigurimeve.
Banka Botërore vëren se me mbështetjen e projektit, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një model për të testuar saktësinë e llogaritjeve të humbjeve nga kreditë të kryera nga bankat tregtare në përputhje me IFRS 9 – Instrumentet Financiare. Projekti gjithashtu ka përqendruar përpjekjet në ndërtimin e kapaciteteve të aktorëve brenda sektorit të drejtësisë për menaxhimin e rasteve që lidhen me CFR. Përmes këtij përpjekjeje, 12 trajnerë dhe një grup prej 80 gjyqtarësh dhe prokurorësh morën trajnim të specializuar në kontabilitet dhe raportim financiar. Ky program trajnimi është adoptuar formalish nga Shkolla e Magjistraturës dhe do të vazhdojë të ofrohet si pjesë e kornizës së Zhvillimit Profesional të Vazhdueshëm (CPD).
Raporti vlerëson se megjithëse qëndrueshmëria institucionale është e fortë në shumë dimensione, disa kufizime mbeten, veçanërisht për burimet njerëzore në MoF, NAC dhe POB. Këto kufizime mund të ndikojnë në efektivitetin afatgjatë të këtyre institucioneve. Struktura arsimore për audituesit statutore dhe kontabilistët e certifikuar kërkon evolucion të vazhdueshëm për t’u përshtatur me nevojat dhe standardet e reja. Po ashtu, Organizatat Profesionale të Kontabilistëve (PAO) duhet të përqendrohen në tërheqjen dhe regjistrimin e profesionistëve të rinj si anëtarë për të siguruar rritje dhe dinamizëm të vazhdueshëm brenda profesionit.
Shpenzimet aktuale deri tani arrijnë 1.4 milionë euro, që përbën 99% të buxhetit të akorduar. Pritet që deri në fund të dhjetorit dhe brenda periudhës së lehtësimit, të gjitha detyrat e mbetura të dorëzohen dhe paguhen./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



