Në qendër të kësaj sage mbetet akuza për falsifikim dokumentesh, për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë fillimisht e kishte dënuar këngëtarin me një vit burg. Prokuroria pretendon se Ejlli ka kryer veprime noteriale të paautorizuara në një kohë kur licenca e tij nuk ishte aktive, duke përdorur vulat në mënyrë të paligjshme. Dosja tani është në duart e gjyqtarit Sokol Binaj, i cili është caktuar relator i kësaj çështjeje delikate që mban pezull qetësinë e artistit shkodran.
Ajo që e rëndon më tepër pozicionin e tij në sytë e organit të akuzës është lidhja me përfituesin e këtyre veprimeve, Fatmir Avdurramani.
Ky i fundit është një emër i njohur për drejtësinë, me precedentë penalë në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe me pasuri të konfiskuara nga shteti shqiptar. Prokuroria është e vendosur të bindë Gjykatën e Lartë se bashkëpunimi i dyshuar mes tyre qëndron dhe se vendimi për burgosjen e Ejllit duhet të rikthehet në fuqi, duke e lënë kështu fatin e tij sërish të hapur dhe plot të panjohura. /Prive By Liberta Spahiu



