Friday, March 6, 2026
Google search engine
BallinaAktualitetProtestë në Psikiatrinë e Vlorës, sanitaret denoncojnë vonesat e pagave dhe mungesën...

Protestë në Psikiatrinë e Vlorës, sanitaret denoncojnë vonesat e pagave dhe mungesën e kontratave

Kompania që ka fituar tenderin për pastrimin në Spitalin Psikiatrik të Vlorës është “Rej sh.p.k”, në pronësi të Luan Kaprit, i afërm i ish-kryebashkiakut demokrat të Pogradecit, Eduart Kapri. Kjo firmë ka përfituar tendera edhe në bashki të tjera të vendit. Ndërkohë, sanitaret denoncojnë se prej gati dy muajsh nuk kanë marrë pagat e tyre dhe vazhdojnë të punojnë pa kontrata, mes turneve të gjata e të lodhshme, me deklarime të pasakta dhe vetëm me pagë minimale. Spitali mohon problemet duke deklaruar se “bashkëpunimi me kompaninë dhe stafin vijon normalisht”.

Sot, 25 sanitare të këtij spitali zhvilluan një protestë, duke denoncuar se, pavarësisht kërkesave të përsëritura për kontrata pune, drejtuesit refuzojnë t’ua japin dhe i kërcënojnë me largim nëse vazhdojnë të këmbëngulin. Punonjëset theksojnë se po u mohohen të drejtat më minimale: pagesa e festave zyrtare, kompensimi i ditëve të pushimit dhe deklarimi i plotë i pagës së vërtetë.

Sipas tyre, për muaj të tërë kanë kërkuar të takojnë drejtoreshën e spitalit, por nuk e gjejnë asnjëherë, ndërsa firma private që menaxhon pagat nuk jep asnjë përgjigje. Situata, thonë ato, është kthyer në një abuzim të hapur, ku përveç mungesës së pagave dhe kontratave, janë të pambrojtura përballë presionit dhe heshtjes së institucioneve.

“Ne duam vetëm të drejtat tona: kontratën e punës, deklarimin e plotë të pagës, pagesën e festave dhe ditëve të pushimit. Asgjë më shumë nga ajo që na takon me ligj”, shprehen sanitaret.

Të dëshpëruara nga gjendja ekonomike, ato tregojnë se jetojnë me kredi, me borxhe e ushqime me listë, ndërkohë që përballen çdo ditë me një punë tepër të rëndë dhe mungesë totale sigurie. “Na kalojnë nga një firmë tek tjetra. Që prej shkurtit kështu është puna. Për atë rrogë vijmë, sepse me të ushqehemi. Thonë se do ketë edhe shkurtime, kush ngelet pa punë, pa bukë. Na trajtojnë si kafshë, punojmë për tre vetë, jemi shumë keq”, shprehen ato.

Ndërkohë, Spitali Psikiatrik i Vlorës reagoi me një deklaratë zyrtare, duke theksuar se punonjëset e pastrimit nuk janë në varësinë e tij, pasi kontrata është lidhur me kompaninë private që menaxhon edhe pagesat. “Marrëdhëniet me kompaninë dhe stafin janë normale dhe standardet e higjienës në spital vijojnë të respektohen”, thuhet në reagim.

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat