Ish-ministri i Financave dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend në një kohë kur SPAK ka kërkuar arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
I ftuar në një emision televiziv, Malaj u shpreh se për çështjen e Ballukut mund të ketë edhe një zgjidhje tjetër për masën e sigurisë, duke përmendur mundësinë e arrestit në shtëpi.
“Lidhur me Ballukun ka një rrugë dalje. Nga konsultimet që kam bërë, PS nuk do që të japë arrest me burg. Ka disa argumente për këtë, por pse të mos jepet arrest shtëpie? SPAK kërkon një arrestim dhe në këtë rast duhet të vlejë parimi i prezumimit të pafajësisë”, tha ai.
Malaj theksoi se çdo vendim duhet të respektojë parimin e barazisë përpara ligjit, duke paralajmëruar se do të ishte problematike nëse politika përpiqet të ndalojë arrestimin e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion.
“Parimi themelor i një shteti ligjor është që përpara ligjit të gjithë janë të barabartë dhe ky parim duhet të vlejë për çdo shqiptar”, deklaroi ish-ministri.
Ai kritikoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama, duke thënë se vendi po përballet me një krizë politike dhe se dorëheqja, sipas tij, do të ishte një akt përgjegjësie.
“Kriza i ka hedhur rrënjët e veta. Shenjat e para të sëmundjes së një lideri të dështuar janë të shohësh armiq kudo. Sheh armiq ndërkombëtarë, brenda dhe jashtë partisë. Kjo psikozë do i kushtojë shtrenjtë nëse nuk jep dorëheqjen. Dorëheqja është shenjë atdhedashurie. Nëse do rrijë më gjatë do jetë më keq”, u shpreh Malaj.
Megjithatë ai theksoi se nuk beson se vendi do të shkojë drejt destabilizimit, duke shtuar se qytetarët janë të zhgënjyer dhe shpesh zgjedhin emigrimin për shkak të mungesës së besimit te politika.
Sipas Malajt, përpjekjet për të dobësuar drejtësinë e re nuk do të kenë sukses.
“Është e pamundur që Rama të arrijë të shpërbëjë SPAK, siç u tentua dikur në Rumani. Nuk ka kthim pas. Ose do të bashkëpunojë sinqerisht me drejtësinë, ose do të ketë një fund politik të hidhur”, tha ai.
Në fund, Malaj shtoi se një nga arsyet kryesore të zhgënjimit të qytetarëve është perceptimi se paratë kriminale janë ndërthurur me pushtetin politik në vend.



