Përmbytjet e ditëve të fundit kanë prekur rëndë zonën e Torovicës në Lezhë, duke përfshirë rreth 2/3 e sipërfaqes bujqësore prej 2500 hektarësh. Dëmet konsiderohen të mëdha, ndërsa qëndrimi i ujit në sipërfaqe për një kohë të gjatë rrezikon të sjellë humbje të konsiderueshme për fermerët që kanë mbjellë tokat e tyre.
Prej tre ditësh, fushat e Torovicës vijojnë të jenë nën ujë dhe procesi i kullimit pritet të kërkojë kohë të gjatë. Kjo situatë rrezikon seriozisht sezonin e korrjeve, pasi sipas fermerëve dhe specialistëve, këtë vit mund të mos ketë prodhim gruri, duke sjellë pasoja të rënda ekonomike për banorët e zonës.
Në terren ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, i cili u takua me banorët dhe ngriti shqetësimin se kjo është një situatë që përsëritet vazhdimisht. Sipas tij, qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe ta vërë situatën nën kontroll, në vend që të fajësojë vetëm faktorët natyrorë pa marrë masa konkrete.
Gjekmarkaj theksoi se është urgjente ndërhyrja në hidrovorin e Balldrenit, i cili aktualisht nuk arrin të kryejë funksionin e tij për shkak të mungesës së investimeve. Sipas tij, investimi i nevojshëm është premtuar prej vitesh, por nuk është realizuar asnjëherë, duke lënë zonën të pambrojtur përballë përmbytjeve të përsëritura.



