Lideri “botëror” i hypur në tullumbacen e vetëkënaqësisë ka fatkeqësinë të dështojë kudo ku po hedh flluska propagandistike për madhështinë e tij. Marrëzia e tij së bashku me stafin e eunukëve që e rrethojnë kërkon me çdo kusht të shesë çdo lëvizje të tij nëpër takime ndërkombëtare si një sukses, ndërkohë që është i zhytur në pusetën e jashtëqitjeve të korrupsionit. Lideruci i një popullate me 2 milionë banorë ka pësuar një tjetër fiasko në shoun e tij të radhës. Në seancën e fundit parlamentare, Edi Rama u mburr se të hënën ishte i ftuar të mbante një fjalim në parlamentin izraelit, në të njëjtin format siç kishte folur Donald Trump.
“Të hënën e ardhshme do t’i drejtohem Parlamentit të Izraelit si kryeministër i Shqipërisë, por pa lejen e këtyre, kuptohet, në të njëjtin format që iu rezervua para disa kohësh Presidentit të SHBA-së”, tha mes të tjerash Rama.
Mirëpo, përtej mënyrës se si ai u mundua ta shiste këtë sikur ky privilegj i ishte bërë vetëm atij nga këto anë, rezulton se në të njëjtën ditë dhe në të njëjtat aktivitete në Izrael është i ftuar edhe një politikan tjetër nga Ballkani. Bëhet fjalë për Milorad Dodik, ish-presidentin e Republikës Srpska të Bosnje-Hercegovinës.
Lajmi bëhet i ditur nga media boshnjake “Srpska National”, e cila shkruan se Dodik ka mbërritur në Izrael së bashku me presidenten në detyrë, Ana Trišić Babić, ku do të takohen me krerët e shtetit izraelit dhe përfaqësues të vendeve të tjera pjesëmarrëse.
“Presidentja në detyrë e Republikës Serbe, Ana Trišić Babić, dhe kryetari i SNSD-së, Milorad Dodik, kanë mbërritur në Izrael për një vizitë, gjatë së cilës do të takohen me zyrtarët më të lartë izraelitë.
Dodik i tha SRNA-së se janë planifikuar takime me Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, Kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe disa ministra. Me ftesë të Ministrisë Izraelite për Çështjet e Diasporës, Dodik do të marrë pjesë në një konferencë mbi luftën kundër antisemitizmit, gjatë së cilës do të takohet me shumë pjesëmarrës nga bota hebraike dhe demokratike. Dodik deklaroi se të enjten, më 29 janar, do t’i jepet një çmim për bashkëpunim nga parlamenti izraelit. Ai ka vlerësuar se kjo vizitë do të jetë një tjetër konfirmim i bashkëpunimit dhe miqësisë së mirë midis Republikës Serbe dhe Shtetit të Izraelit”, shkruan media boshnjake



