Dalja e fundit publike e kryeministrit Edi Rama përkrah zëvendëses së tij, Belinda Balluku, duket se i ka dhënë fund distancës së vërejtur mes tyre, duke ndezur debatin për një “pakt të heshtur” mes dy zyrtarëve më të lartë të qeverisë. Ky riafrim vjen pas një periudhe tensionesh të larta, të zbuluara edhe nga mesazhet e dala nga dosja hetimore e SPAK.
I ftuar në një emision televiziv, analisti Alfred Lela, theksoi se prej kohësh, marrëdhënia mes kryeministrit dhe zëvendëskryeministres u cilësua si e ftohtë, një distancim që u bë evident në dalje të pakta të përbashkëta. Megjithatë, shfaqja e Ramës në krah të Ballukut sugjeron se “gjërat janë hekurosur” dhe tensionet janë sheshuar. Ky ndryshim drastik mendohet se nuk është i rastësishëm, por pjesë e një marrëveshjeje të mirëmenduar.
Kjo strategji politike nuk është e re. Një sjellje e ngjashme u vu re edhe në rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Edhe atëherë, pas nisjes së hetimeve nga SPAK, u fol për një distancim të Ramës, i cili më pas u “retushua” me dalje të përbashkëta. Kjo taktikë u krahasua me praktikën e vjetër të regjimit komunist për zhdukjen e personave nga fotografitë zyrtare.
Megjithatë, sipas Lelës, ka një dallim thelbësor mes dy rasteve. Në çështjen Veliaj, reagimi fillestar i Ramës ishte një “sulm i hapur”, me një gjuhë tejet të ashpër dhe organizimin e një mitingu anti-SPAK në sheshin “Skënderbej”. Ndërsa me Ballukun, duket se është zgjedhur rruga e një armëpushimi të brendshëm për të paraqitur një front të bashkuar përballë drejtësisë.
Intervista në studio:
Lela: Po sigurisht që do të thotë diçka pas asaj që ju me të drejtë e përmendët dhe mund të cilësohet si distanca, e hequr mes palëve, distanca që u pa, u duk edhe në shfaqje publike mes kryeministrit dhe zëvendëskryeministres, pra dy krerëve më të lartë të qeverisë. Duket se gjërat janë hekurosur ose janë ç’tendosur dhe kjo ma merr mendja ka të bëjë ose me një pakt të arritur, një pakt i cili duhet të, duhet të ketë në në qendër të vet heshtjen. Pra është një pakt i arritur, për të mos e vazhduar më tej atë luftë, e cila siç u pa, shfaqi edhe në mesazhet e dala nga dosja hetimore e SPAK, me etiketime, me arsyetime apo dhe po themi, me me gjëra që e kapërcenin etikën, jo vetëm atë etikë shtetërore, por edhe edhe personale. Kështu që gjasat janë, ha mendjet ose logjika ta do, që ndoshta Rama dhe dhe Balluku pas zorit dhe pas tensioneve të fillimit duhet të kenë ngritur një pakt. Pra për ta mbajtur njëri-tjetrin dhe për të fshehur sa të mundnin nga skandali ku ata të dy janë të përfshirë, edhe pse më duket mua të paktën, njëra si nxënëse e bindur dhe zoti Rama si mjeshtër.
Parruca: Kjo ka qenë gjithashtu një situatë shumë e diskutueshme dhe e komentuar edhe kur ishte zoti Veliaj në këtë situatë, pra që nisi hetimet SPAK-u, ende pa u arrestuar. Shikoheshin me shumë kujdes të gjitha këto takimet, ishte Rama, nuk ishte, sa larg ishte nga Veliaj. E retushoi pastaj kur nxori foton tjetër apo jo? Dhe kjo çështja e retushimit është një gjë që shqiptarët e njohin mirë edhe nga historia e tyre, që nga ’46-ta, njerëz që zhdukeshin nga fotografitë papritur apo që u bëhej fytyra nëpër albumet familjare me vizatim. Si ndryshon dhe çfarë lloj komunikimi është ky, kur lideri takohet apo nuk takohet, apo ruan distancën, apo pasi ruan distancën ritakohet pastaj me dikë tjetër?
Lela: Kjo është klasike, njihet edhe edhe në botë. Pra liderë politikë distancohen nga politikanë ose aleatë, qofshin dhe jo politikë, të njohur ose të paktën të dyshuar për korrupsion. Sigurisht, në teatrin shqiptar kjo merr ngjyra të forta dhe ju e thatë, është një mjeshtri që shqiptarët komunistët e Enver Hoxhës, me Enver Hoxhën në krye të tyre, e morën nga Bashkimi Sovjetik, ku kjo ishte kthyer pothuajse në art, por si teknikë komunikimi kjo është, është edhe perëndimore, por sigurisht është më me spec, pra është, më e butë, nuk është kaq abrazive sa ç’ndodh në vende që kanë pasur histori të gjata me autoritetin, autoritarizmin dhe diktaturën, siç është edhe rasti i Shqipërisë. Në rastin Veliaj-Balluku më duket mua ndryshon sepse nëse i kthehemi fillimeve kur SPAK-u hapi çështjen dhe e mori të pandehur zotin Veliaj, zoti Rama ishte, ishte pothuajse në sulm. Nëse e mbani mend, ishte gjuha e tij ishte shumë e fortë, shumë e shprehur në momentet e para dhe sigurisht ajo që mbahet mend është sidomos mitingu anti-SPAK i zhvilluar në sheshin Skënderbej, pra pak në të ngjitur me bashkinë dhe pastaj ndryshoi toni, ndryshuan edhe llogaritë me sa duket.



