Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu tha se fakti që kryeministri Rama flet për Florjan Binajn, tregon se ka frikë nga kandidati që mbështet opozita për kryebashkiak të Tiranës.
Deputeti u shpreh se sondazhet e nxjerrin fitues Florjan Binajn, ndërsa sipas tij Rama kapet pasi vetë është aktori kryesor i korrupsionit në Shqipëri.
“Të gjitha sondazhet e nxjerrin absolutisht fitues Florjan Binajn. U hoq Tirana për në datën 9 nëntor sepse Rama ka frikë. Donte që e gjithë Shqipëria të përqendrohej për zgjedhjet e Tiranës. Sot, kemi në krye një aktor jo humori, por korrupsioni. Edi Rama është aktori kryesor i korrupsionit në Shqipëri. Ky kryeministër ka pushtetin vendor, pushtetin qendror, pushtetin e drejtësisë, pushtetin e medias… ky e trajton Shqipërinë më keq sesa një Mbret. Këtij aktori i shkojnë në burg kryebashkiakë, ministra, deputetë dhe nuk mban përgjegjësi. Ka përgjegjësi politike dhe administrative.
Fakti që merret me Flor Binajn është frikë. Rama është në panik dhe jam i bindur që deri ditën e zgjedhjeve do të ndodhin gjëra dhe radhën e ka aktori i Rilindjes. Ndërsa aktori Binaj do të jetë kryetari i Bashkisë Tiranë”, tha Mziu.



