Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaPolitike"Ramës po i shtrëngohet laku", Balliu shpërthen: Qeveria mbahet gjallë vetëm nga...

“Ramës po i shtrëngohet laku”, Balliu shpërthen: Qeveria mbahet gjallë vetëm nga paratë e drogës – Sot News


Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë, duke pretenduar se veprat e mëdha të infrastrukturës në vend po ndërtohen pa iu nënshtruar kontrolleve teknike të detyrueshme, duke u kthyer në një rrezik potencial për jetën e qytetarëve.

Në një intervistë televizive, Balliu u shpreh se kjo është një strategji e qëllimshme e ekzekutivit, për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore në rast aksidentesh apo fatkeqësish të shkaktuara nga cilësia e dobët e punimeve. Sipas tij, projekte madhore si tuneli i Llogarasë, aksi Qukës-Qafë Plloçë dhe rruga Korçë-Ersekë nuk kanë kaluar procesin e kolaudimit, i cili certifikon sigurinë dhe standardin e veprës përpara inaugurimit.

“Nuk i bëhet qëllimisht. Kolaudimi është momenti kur qeveria verifikon sigurinë e rrugës. Kjo bëhet që nëse ndodh një fatkeqësi, shteti të mos mbajë përgjegjësi dhe t’ia hedhë fajin operatorit,” theksoi Balliu.

Kjo mungesë sigurie, sipas deputetit, është pjesë e një skeme të gjerë korruptive që nis që te tenderat publikë. Balliu përshkroi një mekanizëm ku kompanitë e sapokrijuara, shpesh të lidhura me zyrtarët që japin tenderin dhe me pronarë fiktivë si pensionistë apo të afërm, marrin punë publike. Një tjetër metodë është ajo e konsorciumeve, ku vetëm një kompani është e kualifikuar dhe pasi fitohet tenderi, ajo largohet duke ua lënë punën firmave të pakualifikuara.

Duke e vënë theksin te përgjegjësia politike, ligjvënësi demokrat argumentoi se pas skemave korruptive qëndron kryeministri Edi Rama dhe jo thjesht ministrat e tij. Sipas Balliut, hetimet e SPAK-ut dhe presioni ndërkombëtar, veçanërisht nga SHBA, për të goditur pastrimin e parave nga trafiku i drogës, po e ngushtojnë lakun rreth kryeministrit.

“Shpirti i kësaj qeverie është pastrimi i parave të drogës. Kjo mban gjallë pushtetin e Ramës dhe pamundëson rritjen e buxhetit të qytetarëve,” shtoi ai. Në përfundim, Balliu bëri thirrje për një reagim të fortë nga opozita dhe shoqëria, duke theksuar se ky pushtet nuk mund të largohet me mjete normale politike, por me një radikalizim të qëndrimit opozitar.

Kjo situatë ka vetëm një zgjidhje, të largosh këta që i kanë krijuar këto situata. Kjo nuk është më një çështje se këtu po të kishim një drejtësi, do ishin zgjidhur me kohë. Këtu drejtësia funksionon në parim. Në parim kemi drejtësi, në parim ka hetim, në parim janë burgosur disa persona, po zgjidhje nuk sjellin. Pra, këtu është drejtësia në parim. Së dyti, ëh, kjo është një qeveri që tanimë i ka dhënë shembujt e vet, i ka dhënë provat e veta, e ka bërë të qartë qëllimin e vet dhe qëllimi është të vjedhë dhe të vazhdojë vjedhjen. Kostot nuk kanë rëndësi. Ju thatë me të drejtë për çështjen e sigurisë. Unë mund të kem të paktën një vit që denoncoj disa herë, kudo që ka mundësi, që rrugët nuk u bëhet kolaudimi. Dhe nuk i bëhet qëllimisht. Kolaudimin e bën qeveria. Kolaudimi është momenti që qeveria vjen, shikon rrugën dhe thotë kjo tanimë është një rrugë e sigurt dhe më pas bëhet inaugurimi. Kolaudimi nuk ndodh në Shqipëri. Prej kohësh. Rruga Qukës-Qafë Plloçë nuk ka kolaudim. Tuneli i Llogarasë nuk ka kolaudim. Rruga Korçë-Ersekë nuk ka kolaudim. Arsyeja pse kjo ndodh është që në rast se ndodh ndonjë gjë, larg qoftë, vdes një kalues në këto rrugë sepse shembet rruga, shteti mos të mbajë përgjegjësi dhe të thotë që ne s’kemi bërë kolaudimin. Dhe t’i vënë fajin operatorit.

Po inaugurimin e bëjnë gjithmonë këta. Kjo tregon monstruozitetin e kësaj qeverie, që është gati të vjedhë edhe pse vdes ndonjë qytetar, nuk ka problem. Këto përmbytjet, shi nuk bie vetëm në Shqipëri, shi bie gjithandej, pavarësisht çfarë thotë qeveria. Shi ka gjithandej. Moti i keq është edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, po nuk ndodhin këto që ndodhin këtu te ne. Sepse atje rrugët, qoftë ato brenda qyteteve dhe qoftë rrugët nacionale, bëhen me standarde dhe u bëhet kolaudimi, çdo investimi i bëhet kolaudimi, siç i bëhet kolaudimi makinës. Po njësoj funksionojnë dhe këto investime. Në rastin konkret, në Shqipëri, për shkak se bëhen projekte për të vjedhur dhe jepen leje ndërtimi për të vjedhur, rrugët edhe brenda qyteteve, siç është rasti i Tiranës, Lezhës, Shkodrës, Vlorës, Sarandës, jepen leje ndërtimi për të pastruar para, edhe aty ku nuk duhet.

Çfarë ndodh kur bie shi? Përmbytesh. Nuk bëhen hapja e kanaleve nëpër fshatra, dhe prandaj ikën bagëtia, dëmtohet bujqësia, sa herë që ka shi. Kur është verë pastaj, vendi merr flakë. Dhe s’kemi helikoptera për të shuar zjarrët sepse nuk investojmë aty ku duhet, po investojmë te Belinda Balluku dhe te këto projekte. 70% e buxhetit e merrte Belinda Balluku, edhe në buxhetin më të fundit. Për këto projekte që s’bëhen me kolaudim. Tani arsyeja pse nuk i bëhet kolaudimi këtyre projekteve është se po të bësh kolaudimin do shikosh që ti nuk ke hekur këtu te rruga. Dhe është problem. Që ti nuk ke marrë inxhinier, po ke disa individë të cilët e kanë marrë licencën e inxhinierit të paktën nja dy muaj, tre muaj sa të fillonte rruga. Pra të gjithë këto do të dilnin nga analiza, nga kolaudimi, nga ekspertiza që do të duhej të bënte shteti. Thjesht fare. Kemi ndërtuar ne rrugën, rrugën e kombit. Kemi ndërtuar ne… ka 12,700 km ka ndërtuar qeveria e Partisë Demokratike. Asnjë rrugë nuk shembet nga shiu. Asnjë. Këtu bie shi, i shemben të gjithë rrugët e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut. Pse? Se ato nuk janë rrugë për Shqipërinë dhe shqiptarët, janë rrugë për xhepin e pushtetarëve, për xhepin e Edi Ramës dhe të Lubi Ballukut.

260 milionë euro Qukës-Qafë Plloçë për 43 km, s’ndodh më në asnjë vend të botës. Shiko, Korçë-Ersekë, loti i parë është bërë nga Partia Demokratike. Projekti është bërë nga Partia Demokratike dhe ka qenë 25 milionë euro për lotin e parë dhe 25 milionë euro për lotin e dytë. E bëmë lotin e parë Partia Demokratike me 25 milionë euro, ndërron pushteti, vjen Edi Rama, loti i dytë është bërë me 70 milionë euro. Dhe është ndërruar gjurma e rrugës. Ndërkohë gjurma e vjetër kishte gjashtë ura. Ky e ka pa ura dhe e ka 70 milionë euro koston. Pse? Sepse aty këta vjedhin. Këto janë paratë që u merren qytetarëve. Në qoftë se shqiptarët duan të dinë dhe të kuptojnë pse nuk kanë para në xhep, këto janë arsyeja. Dhe për të gjithë ata të cilët bien pre e propagandës që thonë po ka pasur korrupsion edhe në kohën e PD-së. Korrupsion ka kudo në botë. Por korrupsion që të vidhet 90% nuk ka pasur kurrë, nuk ka në asnjë vend të botës dhe s’mund të ketë pasur dhe s’ka pasur kurrë në kohën e Partisë Demokratike.

Korrupsion që ti të thuash po paguaj 10 milionë euro për rrugën dhe për urën dhe mos gjendet as rruga dhe as ura, siç bën Belinda Balluku, nuk ka. Nuk ka pasur në kohën e Partisë Demokratike dhe s’ka më në asnjë vend të botës. Këto janë të gjitha formate të reja korrupsioni të shpikura nga një njeri që s’ka kush e kontrollon. Se tani unë me Belinda Ballukun nuk shquhemi për një miqësi, por të vij unë këtu dhe të them që këto i ka të gjitha përgjegjësi Belinda Balluku, do isha i pasinqertë. Nuk do ishte e vërteta ajo. Belinda Balluku nuk ndërmerrte dot asnjë nga këto projekte pa kërkesën dhe urdhrat e Edi Ramës. Po te tuneli i Llogarasë, po ku i njihte Belinda Balluku turqit? Turqit ia prezantoi Edi Rama. Belinda Balluku do merrte pjesën e vet sido që të ishte projekti. Pjesën që do t’i caktonte Edi Rama. Projekti është anulluar sepse e ka kërkuar Edi Rama të anulohet ai projekt dhe të ribëhet me fitues miqtë e vet. Dhe prandaj e mori Belinda Ballukun dhe e çoi te turqit. Pra aty është Edi Rama dhe prandaj i keni parë këto analistët e pavarur të qeverisë? Që dalin në çdo cep tani të studios, grusht shteti thonë. Problem i madh, po hetohet Belinda. Edi Rama kishte shkruar ‘cenohet Shqipëria dhe shqiptarët që po hetohet Lubia’. Po pse, një hajdute po hetohet. Pse të cenohen shqiptarët? Shqiptarët cenohen që kjo s’është në burg. Shqiptarët cenohen që s’është Edi Rama në burg, se imagjinoni ju.

Në qoftë se Edi Rama dhe Belinda Balluku do ishin në burg, sot shqiptarët do kishin në xhepin e tyre 260 milionë euro të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë, 70 milionë euro të rrugës Korçë-Ersekë, 80 milionë euro të Tigrit 1 dhe Tigrit 2, 400 milionë euro të inceneratorëve, 150 milionë euro të Unazës së Madhe, e qindra e qindra miliona euro të tjera. Sikur këta të dy të ishin në burg, këto para do të ishin sot në xhepat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk do kishin rrogat më të ulëta në rajon, po do t’i kishin më të lartat në rajon, siç i kanë pasur në kohën e Partisë Demokratike. Nuk do kishim pensionet më qesharake në botë, po do kishim pensionet më të larta në rajon sot. Kjo është kjo është e vërteta. Tani, këta e kanë treguar këtë. Këtu mendimi im ky, nuk bëhet më fjalë t’i bëjmë analizën këtyre. Këta janë hajdutë dhe kanë plan të vjedhin shqiptarët dhe do vazhdojnë vjedhjen se nuk ka njeri që t’i kërkojë llogari. Se s’ka drejtësi në Shqipëri që ta marri Edi Ramën ta arrestojë për vjedhjet që bën. Ai firmën e ka njësoj si Balluku aty. Njëra thirret, mbahet e pandehur, ky jo. Pse? Cila është arsyeja?

Që laku po ngushtohet te Edi Rama, nuk ka diskutim. Themi atë që është. Dhe nuk është thjesht për faktin që po hetohet Belinda Balluku, por është reagimi i Departamentit të Shtetit Amerikan për goditjen e shpirtit që ka Rama, që është pastrimi i parave të drogës. Ai është shpirti i Ramës. Në qoftë se ka diçka që e mban gjallë këtë pushtet dhe që e garanton këtë pushtet, është droga. Prandaj jetojmë në narkoshtet, prandaj themi që është narkoshtet. Pastrimi i parave të drogës në Shqipëri është ajo që mban gjallë pushtetin e Ramës dhe që pamundëson rritjen e buxhetit të qytetarëve dhe që pamundëson blerjen e një shtëpie nga qytetarët shqiptarë. Është pastrimi i parave të drogës. Dhe Departamenti i Shtetit me goditjen që i dha Luftar Hysës, biznesmenit të Edi Ramës, për të cilin Edi Rama, kur ne ngritëm akuzën që pastronte paratë e kartelës së Sinaloas, të gjithë gazetarët dhe mediat që bënë raportimin i sulmoi nga kryeministria, duke u thënë që t’ju vijë turp që akuzoni një qytetar të ndershëm, një biznesmen të ndershëm, e ç’thoshte ai. Dhe ja ku e ke Departamentin e Shtetit. Dhe kjo vjen pak muaj pasi Dumani ishte në Departamentin e Shtetit. Dhe këtu ne kuptojmë që çfarë pune kishte Dumani në Departamentin e Shtetit dhe për çfarë e thirrën ata.

E kanë thirrur për t’i thënë o zotëri, ne këtë të drogës, pastrimi i parave që po flet gjithë bota në Shqipëri, si ka mundësi s’ke konfiskuar asgjë ti? Ku je ti? Si ka mundësi që gjithë ky port, porti i Durrësit që kalojnë tonelatat aty, s’ka pasur një asnjë gram drogë atje. Si ka mundësi? Si ka mundësi që prokuroria belge thotë që pastrohen paratë e drogës në Shqipëri, antimafia italiane thotë pastrohen paratë e drogës në Shqipëri, Departamenti i Shtetit thotë pastrohen paratë e drogës në Shqipëri dhe ne s’kemi asnjë të arrestuar që po pastron paratë e drogës në Shqipëri. Si ka mundësi? Ky është sinjali që Edi Rama po goditet dhe që Edi Ramës po i ngushtohet laku. Dhe pastaj fakti i pamohueshëm që ende sot, kjo qeveri s’ka marrë për herë të parë në histori një urim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjedhjet. Pra këtu nuk ka absolutisht asnjë dyshim që Edi Ramës po i ngushtohet laku. Por në qoftë se ne presim që luftën të na e bëjnë të tjerët, ne jemi shumë gabim.

Në qoftë se ne presim që të na vijnë, të na e heqin Edi Ramën, ne jemi shumë gabim dhe të pasinqertë me veten dhe me qytetarët që na ndjekin. Heqja e Edi Ramës është detyrë e jona. Si opozitë, por dhe si shoqëri. Dhe kjo kur një qeveri kapet duke vjedhur, duke bashkëpunuar me krimin e organizuar, heqja e kësaj qeverie bëhet e domosdoshme kur ajo nuk jep dorëheqjen. Dhe forma për të larguar qeveri të tilla, çdo formë është e pranueshme. Sepse kur qëllimi është i drejtë, kur misioni është i vërtetë, çdo formë është e pranueshme. Dhe kjo është qasja që duhet të kemi ne si shoqëri dhe mbi të gjitha si opozitë. Tani, të jemi të drejtë. Unë mendoj që shqiptarët do t’i bashkohen një revolte, por revoltën duhet ta ketë opozita e para. Të revoltohemi njëherë. Ky është një regjim që nuk ikën me të lutem largohu. Sepse Edi Rama e di 24 orë po mos të jetë kryeministër është në burg. Dhe nuk ka plan të largohet nga aty. Sepse do shkonte në burg. Ky njeri do hiqet. Dhe patjetër ajo arrihet me sakrificë, arrihet me përballje. Unë nuk e di a mund të fitohet a mund të humbet, që të jemi të sinqertë me ju në këtë betejë. Por kjo është një betejë që duhet bërë.

Ky njeri nuk mund të rrijë aty. Ky njeri nuk mund të lejohet të rrijë aty. Dhe duhet të jetë patjetër opozita në krye të revoltës. Pra të revoltohemi ne njëherë dhe pastaj të shikojmë a revoltohen dhe shqiptarët bashkë me ne. Por ne duhet të shkojmë në ballë të kësaj rruge. Edi Rama është fatkeqësi kombëtare o zot. Berzh sot tregonte Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që 40% e popullit tonë është në emigracion. Ata paralajmëronin se çdo vit do të bie ekonomia për prodhimin e brendshëm bruto me 0.4%. Kjo tregon që në pak vite ne shkojmë në varfëri ekstreme. Po pse duhet t’ia bëjmë ne vetes këtë? Pse duhet t’ia bëjmë vendit tonë ne këtë që të mbushi xhepat Edi Rama? Ndërkohë që shqiptarët në 12 vite janë larguar se ju është pakësuar ekonomia në shtëpitë e tyre, Edi Ramës i ka shkuar ekonomia nga zero në qindra miliona. Pse duhet t’ia lejojmë ne vetes këtë? Ne e kemi të faktuar tanimë që ky është një njeri që flen me Sinaloan. Dhe nuk ka ndërkombëtar që mund të dali sot dhe të thotë një fjalë për reagime të forta dhe ballore të opozitës, se ç’do më thotë? Mos të dalë unë kundër Sinaloas?

Unë jam me ndërkombëtarët që janë kundër Sinaloas. Ndërkombëtarët që janë me Sinaloan, të shohin rrugën e tyre. Ky është njeri i Sinaloas. Po pse, rastësi është që çfarë e lidh ‘Ndrangheta, Sinaloa, e të gjithë këto organizata kriminale, pse vijnë vetëm në Shqipëri? Në datë 23 ka gjyqin ai tjetri, që erdhi këtu për të pastruar 100 milionë euro të ‘Ndranghetas në kulla. Tani ka gjyqin, në Itali. Po si ka mundësi që këta vijnë të gjithë këtu? Çfarë ka këtu? Këtu ka Edvin. Ku është Edvini, është mirë për drogën, po s’është mirë për Shqipërinë. Pra, në këtë kontekst, i nderuar, mendoj që ne sot duhet të fokusohemi tek shpëtimi i vendit nga kthetrat e këtij njeriu. Por ne duhet të jemi të sinqertë në betejën tonë. Kjo betejë nuk bëhet me të lutem ik. Kjo betejë bëhet me sakrificë dhe bëhet me përballje. Pushtete të tilla nuk bien me diskutime. Kjo punë do zgjidhet në sheshet e Shqipërisë. Dhe ne duhet të bëhemi gati. E para opozita dhe patjetër qytetarët me ne.



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat